Kostandin Nishku alias Baki Duzha, i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e një 9-vjeçari në vitin e largët 1997, u arrestua në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Prej vitesh, 59-vjeçari nga Gramshi ka jetuar me një identitet tjetër të tretë në vendin fqinj, Hazir Vjeri, me qëllim fshehjen nga autoritetet për arrestimin e tij.

Dënimi i tij me burgim të përjetshëm është rrjedhojë e një ngjarjeje kriminale të ndodhur në vitin 1993, kur vëllai i tij ishte vrarë nga një tjetër person, Veli Bregu, i cili ishte arrestuar dhe dënuar për ngjarjen. Megjithatë, autori i vrasjes së 1993-shit, u arratis nga burgu 4 vjet më vonë, më 1997-ën, në kohën e trazirave në vend, kur u hapën edhe burgjet. Kostandin Nishku, në atë kohë 29 vjeç, pasi mori vesh lajmin e arratisjes nga burgu, shkoi i armatosur bashkë me shokun e tij Roland Kotorri te familja e autorit Veli Bregu, konkretisht te vëllai i tij Kujtim Bregu, dhe kërkoi t’i tregonte vendndodhjen e personit që i vrau vëllain.

Familjarët e autorit nuk ia plotësuan kërkesën edhe pasi i kërcënoi me vdekje. Në këto kushte, Kostandin Nishku qëllon për vdekje me armë nipin e burrit që i vrau vëllain 4 vite më herët, djalin e Veli Bregut.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, përmes falsifikimit të dokumenteve, në Paskuqan mundi të sigurojë një emër të tretë për veten, Hazir Vjeri, duke ndërruar emrin edhe në dokumente zyrtare, si i ardhur nga Saranda. Nga ajo kohë dyshohet se është larguar në Greqi dhe ka nisur një jetë tjetër, me identitetin e ri.

Në vitin 2015, në atë kohë 49 vjeç, shqiptari Hariz Vjeri u arrestua në Greqi dhe lindën dyshimet e para se mund të ishte i njëjti që ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të miturit në ’97-ën, Kostandin Nishku apo Baki Duzha. Dyshimet e autoriteteve u forcuan edhe më shumë kur konstatuan se Hariz Vjeri, bashkëjetonte në Greqi me ish-bashkëshorten e Nishkut, çfarë ngjalli dyshime se mund të ishte i njëjti person. Por, në atë kohë, autoritetet shqiptare nuk arritën të bindin me prova konkrete policinë greke për një arrestim dhe ekstradim të mundshëm, ndërsa mungonin edhe shenjat e tij të gishtave.

11 vite më vonë, pas një hetimi kompleks të dy policive, më në fund u arrit të konfirmohej se Kostandin Nishku, Baki Duzha dhe Hariz Vjeri, janë i njëjti person.  Burime pranë Policisë së Shtetit thanë për Report Tv se identiteti është konfirmuar përmes krahasimit të fotove të vjetra që datojnë që para vitit 1997-ës të të dënuarit me burgim të përjetshëm, foton e pasaportës false të vitit 2013, me ato të rejat të dërguara nga autoritetet greke. Ekspertët përcaktuan tiparet e njëjta krahasuese të fotove, të cilat bashkëlidhur me detajet e tjera të bashkëjetesës me ish-gruan e tij, konfirmuan përfundimisht se është i njëjti person.

Kostandin Nishku alias Baki Duzha dhe Hariz Vjeri, pritet në vijim të ekstradohet në drejtim të Tiranës, për të vijuar dënimin me burgim të përjetshëm.