TIRANE-  Dënohet me 1.4 vite burg Artenc Shehu, njeriu që vitin e kaluar vrau nga pakujdesia saldatorin Gëzim Karaj. Shkak i kësaj vrasje ka qenë një debat i ndodhur mes viktimës dhe të dashurës së autorit të krimit, e cila i kishte kërkuar 60-vjeçarit Karaj që të mos hidhte mbeturinat në rrugë, pasi e pengonin për nxjerrjen e makinës nga vendi ku ishte parkuar. Mes viktimës Gëzim Karaj dhe shtetases me inicialet M.J dhe nënës së saj, ka pasur një konflikt, ku viktima ka qëlluar me pëllëmbë M.J, e cila është me profesion stjuardesë në një kompani ajrore.

Pas këtij incidenti M.J ka telefonuar të dashurin e saj, Artenc Shehun, i cili ka mbërritur në vendgjarje dhe pasi ka marrë dijeni nga e dashura e tij për vendodhjen e 60-vjeçarit Karaj, është afruar pranë këtij të fundit dhe e ka qëlluar me një pëllëmbë në fytyrë. Më pas çifti është larguar, ndërkohë sipas akuzës e gjithë skena ka ndodhur në sy të gruas dhe dy vajzave të viktimës, të cilat ndodheshin në ballkonin e apartamentit. Gëzim Karaj, ka gjetur vdekjen disa minuta pasi është qëlluar me pëllëmbë nga i pandehuri Artenc Shehu.Nisur nga këto rrethana në 23 prill,gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me 2 vite burg Shehun, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar i tij zbri në 1.4 vite heqje lirie.

Ngjarja
Rezulton se në datën 28.08.2013, rreth orës 10:15 është njoftuar salla operative se në spitalin “Nënë Tereza” Tiranë ka gjetur vdekjen shtetasi Gëzim Karaj. Ky shtetas, disa minuta para se të gjente vdekjen, është konfliktuar para shtëpisë së tij në rrugën “Ali Demi” me shtetasin Artenc Shehu, i cili e ka goditur në fytyrë. Nga deklarimet e marra rezulton se rreth orës 09:15, viktima Gëzim Karaj ka dalë nga servisi i tij me disa dërrasa dhe mbeturina, të cilat i ka vendosur në një biçikletë dhe po i transportonte te kazani i plehrave.

Duke qenë se rruga ishte e bllokuar nga disa makina të parkuara, viktima i ka shkarkuar këto mbeturina në rrugë. Në këtë moment aty është afruar shtetasja M.J. e shoqëruar nga e ëma e saj dhe i ka kërkuar viktimës Gëzim Karaj që të mos i hidhte mbeturinat aty, pasi nuk kalonte dot me makinë. Midis tyre ka lindur një debat, në vijim të të cilit, sipas deklarimeve të shtetases M. J. dhe të nënës së saj, viktima ka qëlluar M.J. me shuplakë. Pas kësaj, shtetasja M.J. ka marrë në telefon shokun e saj, Artenc Shehu, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Pasi është takuar me shtetasin Gëzim Karaj dhe kanë debatuar për disa çaste, e ka goditur këtë të fundit në fytyrë, sipas tij, vetëm me shpullë. Më pas kanë ndërhyrë shtetasja M.J.dhe e ëma, të cilat e kanë larguar. Në këtë moment ka ardhur edhe shtetasja N.Karaj, bashkëshortja e viktimës, e cila e ka marrë këtë të fundit dhe kanë shkuar në shtëpi. Pas disa minutash, gjendja e Karaj është përkeqësuar, duke gjetur vdekjen në spital.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)