FIER-Pak javë më parë u zbulua vrasja makabre që kishte bërë Albert Zekaj. Ai, pasi vrau shokun e dhomës me çekiç, Kreshnik Beqirajn, i copëtoi trupin duke e groposur në një fshat të Fierit, ndërsa ngjarja u zbulua një vit më pas, pas denoncimeve.
Pas ngjarjes në Fier në qershor, Albert Zekaj u zhvendos në Tiranë në gusht ku u strehua nga disa misionarë të një shoqate fetare. Këta të fundit në mënyrë vullnetare kanë dëshmuar pas zbulimit të krimit duke deklaruar se “Nuk dyshuam asnjëherë që Albert Zekaj të kishte kryer ndonjë krim” janë shprehur ata para grupit hetimor.
“Jemi tronditur kur e dëgjuam lajmin se Alberti mund të kishte vrarë një njeri. Ai erdhi tek shoqata jonë në muajin gusht të vitit të kaluar dhe kërkoi ndihmë. I kemi mundësuar strehim, ushqim dhe veshje sa herë që ka pasur nevojë. Madje i kemi siguruar edhe punë me kohë të pjesshme, kur kemi patur mundësi. Ai dukej i qetë dhe i dëgjuar. Ishte fjalë pak, por kurrë nuk kemi pasur ndonjë dyshim se ai mund të ishte person problematik, e aq më tepër një vrasës. Ai na kishte thënë se kishte pak komunikim me familjen e tij dhe shfaqej si nevojtar, prandaj e kemi ndihmuar. Asnjëherë, askush prej nesh, nuk ka patur dyshim që ai të kishte kryer një krim. Jemi vërtetë të tronditur që kemi ndihmuar një person të tillë”Dëshmia e misionarëve
Ndërkohë, që sipas burimeve të Report Tv në Fier, ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gjaku në banesën ku Kreshnik Beqiraj dhe Albert Zekaj jetonin me qira duke plotësuar kështu provat ndaj 32-vjeçarit nga Kopliku i Shkodrës për vrasjen e Kreshnik Beqirajt. Viktima dhe autori ishin njohur në një burg në Belgjikë, ndërsa pas ardhjes në Shqipëri jetuan në një shtëpi me qira në Fier. Autori pranoi krimin, ndërsa pohoi se gjithçka kishte ndodhur për shkak se shoku i tij i dhomës nuk paguante qiranë.