Policia e Shtetit ka lëshuar fletëarresti për Aldison Belulajn, autorin e vrasjes së studentes së juridikut, Ariela Murati, 21 vjeçe, me akuzën për "vrasje me paramendim".

Ekzekutimi i urdhërarrestit është i pamundur pasi i riu ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës. Belulaj, student i Infermierisë qëlloi veten me dy plumba në kokë, pasi ekzekutoi shoqen e tij e cila i refuzoi propozimin për lidhje. 

Tashmë pritet përmirësimi i gjendjes së 23-vjeçarit për të marrë deklaratën e tij lidhur me rrethanat e krimit të rëndë, ndërkohë që për sa kohë ai do të jetë në spital do të ruhet nga policia pasi cilësohet person në arrest.

Mjeku i Traumës, Jorgo Margo: 23-vjeçari dy shenja plumbi në kokë
Mjeku kirurg i Spitalit të Traumës, Jorgo Margo ka deklaruar se i riu ka dy shenja plumbi në kokë dhe po mbahet në jetë përmes aparaturave. Predhat kanë përshkuar tej për tej kokën e të riut. Sipas tij, gjendja shëndetësore e Aldison Belulajt është kritike pasi njëri nga plumbat i ka prekur trurin. 

"Dëmtimet janë në kokë, janë plagë armë zjari të shkaktuara nga pistoleta. Janë dy plagë të cilat kanë shkaktuar jo pak dëme te i lënduari. Kemi thyerje të kafes dhe dëmtime të trurit. Më e dëmshmja është ënjtja e të gjithë trurit. Është në rrezik pasi ënjtja është ajo që i merr jetën njeriut. Nëpërmjet ënjtjes së trurit, ky i fundit asfikson veten. Ka dy plagë plumbi.

Ka qëndruar nën mbikëqyrje të rreptë në urgjencë dhe sot në mëngjes është dërguar në renamiacion dhe shpresojmë që të mos përparojë enjtja. Nuk është konshient. Ka patur lëvizje por jo të ndërgjegjshme. Këtu nuk mungon gjë dhe nuk ka arsye për ta dërgiar jashtë vendit
". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com