DURRËS- Marjan Kodheli, i cili vrau babanë një ditë më parë në Shkallnur të Durrësit, pretendon se me të atin ka patur konflikte të vazhdueshme që prej kohës kur ai ishte kthyer nga emigrimi. Report Tv ka zbardhur dëshminë e 25-vjeçarit, i cili ka treguar edhe momentin kur qëlloi të atin me thikë duke e lënë të vdekur. Ai pretendon se po konsumonin drekën sëbashku dhe babai, Pjetër Kodheli, nuk po e linte të qetë duke debatuar. Ai thotë se humbi kontrollin dhe më pas mori thikën dhe e qëlloi.

I riu ka dëshmuar se gati 6 vite ka jetuar në Francë dhe Greqi, por së fundmi ishte kthyer në vendin tonë, por nuk kishte një punë dhe tensionet me babanë ishin shtuar prej kohësh.

“Po hanim drekë dhe papritur babai mu hodh me nerva në debat. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e kujtoj mirë pse ndodhi, por kemi pasur konflikte të vazhdueshme që prej se jam kthyer nga Greqia, disa muaj më parë.

Kam jetuar për rreth gjashtë vjet në Francë, ku kam edhe pasaportë franceze. Më pas shkova në Greqi dhe punova atje. Kur u ktheva në shtëpi, isha pa punë dhe tensionet me babanë nisën të shtoheshin. Sherri nisi gjatë drekës. Nuk e di si ndodhi, por në ato momente humba kontrollin, mora thikën dhe e godita”, ka dëshmuar i riu.

Dyshimet janë se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor, por nuk ka kartelë mjekësore. Ka qenë bashkëjetuesja e 69-vjeçarit e cila ka dëshmuar në polici se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor. Do të jetë një psikologe që do të zhvillojë seancë me të riun për të verifikuar nëse shfaq probleme të shëndetit mendor në mënyrë që ky fakt ti atashohet edhe Prokurorë kur të depozitohen materialet nga Policia e Durrësit.

69-vjeçari u gjet dje i pajetë brenda në banesën e tij në zonën e Kodrës së Kuajve, në fshatin Shkallnur të Durrësit. I riu ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua pas dy orësh ndjekje intensive nga forcat e posaçme “Shqiponja”.