REPORT TV zbardh pjesë nga dëshmia e autorit të masakrës dy ditë më parë në Mat. Kujtim Koxha 54-vjeç ka deklaruar para grupit hetimor se nuk është penduar për vrasjen e trefishtë.

Nuk jam penduar për vrasjet. Nuk dua avokat nga shteti, pasi do ta gjejë vetë

Kujtim Koxha

Autori Kujtim Koxha njihet si tip problematik në fshat. Ai hapi zjarr dy ditë më parë pas sherrit me punonjësit e bashkisë së Matit duke lënë të vdekur 3 persona, ndërsa njëri mbeti i plagosur, jashtë rrezikut për jetën.

Viktimat janë punonjësit e Bashkisë Mat, Mentor Hoxha 35 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç si dhe Hamit Buci 38 vjeç, banorë i fshatit Shëlli. Ndërsa i plagosuri  jashtë rrezikut për jetën është Astrit Hani.

Sipas dëshmisë së të plagosurit, por edhe banorëve të zonës, autori i krimit kishte pirë raki me një nga viktimat, Hamit Buçin, ndërsa babai i një prej viktimave (Mentor Hoxhës) i kishte lënë porosi pronarit të lokalit që ta qeraste Koxhën me një dopio raki nga ana e tij.

Por pas debatit me punonjësit e bashkisë për një rrugë, shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë.

Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka marrë armën dhe ka qëlluar punonjësit që po konsumonin drekën. Astrit Hani tha se në lokal ishin 13 persona dhe nëse djali i pronarit të lokalit nuk do i kishte hequr armën nga dora do ti kishte vrarë të gjithë.

Autori pritet që të dalë para gjykatës, ndërsa referuar masakrës, Lulzim Basha tha se ishte gati për referendum për rikthimin e dënimit me vdekje, por Bashkimi Europian nuk e pranon një ligj të tillë.