Vritet efektivi i RENEA-s në Lazarat
  "Grupi i zjarrit" me 21 persona

LAZARAT - Vrasja e efektivit te RENEA-s nga një grup te armatosurish, ka bërë që Policia e Shtetit, FNSH, RENEA të zbarojnë në Lazarat dhe të nisin ndërhyrjen në fshat për të arrestuar grupin e zjarrit perj 21 personash të moshave 18-40 vjeç. 

Efektivi i forcave RENEA Ibrahim Basha mbeti i vrarë këtë mëngjes gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur pas mesnate të shtënat ndaj policisë lokale në Lazarat. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. 
 
Përleshja e armatosur mes policisë dhe "grupit te zjarrit", rikthehet kur ka kaluar një vit nga superaksioni i Policisë së Shtetit në këtë fshat për çrrënjosjen e lëndëve narkotike që i kishin vënë Lazaratit etiketimet e një fshati rebel e republikë të kanabisit. 

Njoftimi i Policise per ngjarjen ku humbi jeten efektivi

Ora 19:10 Meta: Para drejtësisë shkaktarët e këtij akti terrorist
Solidaritet për struktura e Policisë së Shtetit ka shprehur edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta duke iu bashkuar ngushëllimeve për efektivin e vrarë në krye të detyrës në Lazarat Ibrahim Bashën.
 
Kryeparlamentari Meta kërkoi nga gjithë strukturat ligjzbatuese të nxjerrin para drejtësisë të gjithë shkaktarët e këtij akti kriminal dhe terrorist, siç ai e quan.
 
ilir meta

Në një njoftim zyrtar për mediat nga zyra e shtypit e Kuvendit, thuhet në përfundim se kreu i Kuvendit Meta u “bën thirrje gjithë qytetarëve të ndershëm të Lazaratit të distancohen nga akte dhe grupime të tilla kriminale dhe të mbështesin Policinë e Shtetit në goditjen e këtij grupi kriminal”.

Ora 18:45 Ja 21 pjesetarët e grupit të zjarrit në kërkim
Policia e Shtetit ka angazhuar më shumë se 400 forca të RENEA-s, FNSH dhe policisë lokale, në operacionin për kapjen e personave që qëlluan me armë mbi efektivët e RENEA-s paraditen e sotme. 

Janë identifikuar 21 shtetas, si të dyshuar për sulmin dhe që aktualisht lëvizin të armatosur në brendësi të fshatit Lazarat. 

Shtetasin e shpallur në kërkim janë: 

Arbion Aliko, 20 vjeç 
Alban Aliko, 18 vjeç 
Bervin Basho., 22 vjeç 
Edmond Boci, 48 vjeç 
Zhaklin Derxho, 18 vjeç 
Xhuljano Nuri, 22 vjeç 
Gurim Skënderi, 29 vjeç 
Xhemal Gjini, 18 vjeç 
Fatmir Gërveshi, 20 vjeç 
Gerald Bime, 17 vjeç 
Jeton Kalemi, 21 vjeç 
Rustem Mahmutaj, 20 vjeç 
Albon Meçi, 20 vjeç 
Denis Mahmutaj, 19 vjeç 
Xhemil Gjolleshi, 20 vjeç 
Sinan Rabaj, 30 vjeç 
Eligent Basha, 21 vjeç 
Albi Mahmuti 
Sevo Shurdhi 
Endush Aliko 
Ani Hiri. 

arbion, zhaklin, alban, gerald

Policia e Shtetit ju bën thirrje këtyre shtetasve të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse. Një thirrje u drejtohet edhe banorëve  si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat, për të bashkëpunuar me forcat e policisë. 

Policia e Shtetit apelon se është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjesimin e grupit të armatosur, nëse i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë.



Ora 18:35 Luan Rama: Mbështetja për policinë detyrë e të gjithëve
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, deputeti Luan Rama ka vizituar 2 efektivët e plagosur të cilët ndodhen në të shtruar në Spitalin e Traumës.

Pasi ka dalë nga ambientet e spitali Luan Rama ka shprehur ngushëllime për familjarët e Ibrahim Bashës.

“Sot na kanë qëlluar të gjithëve! Ngushëllime familjes së Ibrahim Bashës. Sot ditë e trishtë për të gjithë! Mbështetja për policinë detyrë e të gjithëve!”- u shpreh Luan Rama.

Ora 18:00 BE: Pershendesim kurajen e oficere. Mbeshtesim fuqimisht ata qe punojne per ligjin
Përshëndesim kurajën e oficerëve shqiptarë! Me këtë mesazh inkurajues dhe mbështetës ndaj uniformave blu, delegacioni i Bashkimit Evropian në vendin tonë ka shprehur ngushëllimet për familjen e oficerit të vrarë të RENA-s në operacionin e mëngjesit të sotëm në fshatin e Lazaratit.
 
Në një deklaratë zyrtare BE thotë se oficeri humbi jetën në një operacion kundër trafikimit të drogës në Lazarat, e thekson më tej se do të vazhdojë mbështetjen “për të gjithë ata që punojnë për zbatimin e shtetit ligjor”.
 
Deklarata e delegacionit te BE-së
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dëshiron të shprehë ngushëllime të sinqerta për familjen e oficerit të vrarë të policisë dhe keqardhje për oficerët e plagosur në operacionin e mëngjesit të sotshëm kundër trafikimit të drogës në Lazarat. Ne përshëndesim kurajën e oficerëve shqiptarë të policisë që po i shërbejnë vendit të tyre duke e çuar përpara luftën kundër trafikut të drogës dhe do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht të gjithë ata që punojnë në Shqipëri për zbatimin e shtetit ligjor.

Ora 15:40 Tahiri: Ata që guxuan të qëllojnë mbi policinë do të marrin dënimin më të pashembullt 
Një gjuhë të ashpër ka përdorur ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ndaj grupit kriminal në kërkim i cili vrau gjatë aksionit policor për kapjen e tyre efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat. “Ata që guxuan të qëllojnë mbi policinë do të marrin përgjigjen më të pashembullt”, u shpreh ministri ndërsa la ambientet e drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës.
 
Duke e cilësuar një akt banditesk dhe terrorist, ministri Tahiri tha se për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla, Policia është e gatshme të bëjë gjithçka përballë garantimit të sigurisë për çdo qytetar.
 
“Janë momente të vështira për Policinë e Shtetit, por kam besim që solidariteti i çdo shqiptari shkon për punonjësit e policisë që edhe në këto momente po vënë jetën në rrezik. Të gjithë ata që kanë qëlluar me armë ndaj policisë do marrin përgjigjen më të pashembullt. Ne jemi shumë të gatshëm të bëjmë gjithçka për të garantuar që shteti ligjor të vihet në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye jemi të vendosur të mos tolerojmë në asnjë mënyrë që terroristë të tillë të shkaktojnë të tilla situata. Të gjithë ata që kanë qëlluar kundër policisë do marrin përgjigjen e duhur ligjore. I kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit, kjo edhe vjet, dhe e bëj përsëri; për tu solidarizuar me Policinë e Shtetit. Ne besojmë se banorët e ndershëm janë krah për krah me Policinë e Shtetit”, u shpreh Tahiri.



Ministri gjeti rastin t’i bëj apel opozitës që të lërë akuzat dhe të vihet krah policisë.
 
I bëj thirrje përfaqësuesve politikë në Tiranë e Gjirokastër të mos përdorin gjuhë me dy kuptime, por të dënojnë pa asnjë ekuivok këtë krim dhe të rreshtohen në krah me Policinë e Shtetit”, përfundoi ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri.

Ora 15:20 Policia pika kontrolli në hyrje të Lazaratit
Policia ka zbarkuar në fshatin e Lazaratit për të kapur grupin e armatosur që i mori jetën një efektivi të RENEA-s gjatë aksionit të mëngjesit. Pika të shumta kontrolli janë ngritur në hyrje të fshatit të Lazarat për të kaluar në sitë të gjitha automjetet që kalojnë dhe për të shmangur kalimin e personave të dyshimtë.



Në një transmetim të drejtpërdrejt nga këto pika A1 Report përcolli për të gjithë shikuesit atë se çfarë po ndodh në Lazarat në kohë reale.



Ora 15:00 SHBA: Të dënohen me gjithë fuqinë e ligjit autorët e këtij krimi të tmerrshëm 
Ambasada amerikane në vendin tonë i bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese shqiptare që të vënë para drejtësisë e të dënojnë autorët e sulmit të armatosur në Lazarat që i mori jetën një efektivi të RENEA-s e plagosi dy kolegë të tij.
 
Ambasada e në deklaratën e saj zyrtare me ngushëllime për oficerin e rënë në detyrë Ibrahim Basha, duke theksuar edhe detyrën e tij në misionet me forcat e NATO-s në Afganistan.
 
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha – anëtar i Forcave Speciale Shqiptare, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan – i cili u vra në Lazarat sot. Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u plagosën në krye të detyrës. Ambasada e SHBA mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës.
 
Ora 14:30 Manja në A1 Report: Kriminelët në Lazarat për axhendë elektorale
Deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja nga studio e A1 Report tha se grupi kriminal që vrau këtë mëngjes një efektiv të forcave RENEA është i importuar në fshatin e Lazaratit për axhendë elektorale. Duke hedhur akuza ndaj opozitës, anëtari i komisionit të Ligjeve i kërkoi autoriteteve kompetente të hetojnë edhe në këtë drejtim.
 
“Ata janë grupe kriminelësh të importuar ose të fshehur në Lazarat, nuk janë banorë të Lazaratit. Banorët kërkojnë të zbardhet ngjarja e të bëhen publike se kush janë këta njerëz që qarkullojnë në fshat. Kam mendime që ata janë thirrur për axhenda elektorale sepse nuk ka se si shpjegohet ndryshe se aty ka pasur prezencë të vazhdueshme të policisë. Në Lazarat banorët po i ktheheshin normalitetit. Shpresoj mos të jetë hipokrizi kjo që kërkon lideri i opozitës sot,  që thotë se policia nuk kishte mjetet logjistike e duhet transparencë.  Ndoshta duhet bërë transparenca edhe në një drejtim tjetër. Basha është ora t’i kërkojë ndjesë Policisë së Shtetit për gjendjen si e la. Jam i bindur që qeveria Rama në këto gati 2 vjet qeverisje kemi investuar në modernizimin e policisë shqiptare. Basha sot nuk duhej të ishte marrë fare për të bërë politikë, duhet të kishte ngushëlluar familjarët”, tha deputeti socialist.



Ora 13:28 Basha viziton 2 të plagosurit: Efektivët e RENEA-s kanë qenë me makinë të papërshtatshme
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka vizituar në ambientet e Spitalit të Traumës, dy efektivët e RENEA-s të plagosur sot në Lazarat. Basha shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimës dhe u uroi shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur.

Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen  dhe miqtë e tij. Vizituam dy kolegët e tij, të cilët janë me plagë të lehta, por jashtë rrezikut për jetën. Kemi kërkuar që në momentin e parë që të meren masat dhe që autorët të ndëshkohen me forcën e ligjit”, - tha Basha
 
Basha tha se 2 të plagosurit i kishin thënë se kishin qenë në aksion me një mjet të papërshtatshëm, të tipit Volkswagen. 



Nga shtruesit morëm vesh që grupi ka qenë në skemën e operacionit me një mjet të papërshtatshëm, të tipit Volkswagen”, - tha Basha..
 
Më tej ai e ka quajtur të papranueshëm dhe të palogjikshëm qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në lidhje me ngjarjen e rëndë të Lazaratit.

Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, Kryeministri i vendit, i cili duhet të marrë përgjegjësi dhe jo të sulmojë opozitën këtu nga dera e spitalit. Është e papranueshme dhe e palogjikshme. I uroj shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur”, - tha Basha 


Ora 13:20 Burgaj: Jam në përkrahje të Policisë! 
Edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj u ndodh pranë dy efektivëve të plagosur në Lazarat. Në një prononcim për mediat nga ambientet e spitalit të Traumës, Burgaj tha se është në përkrahje të Policisë së Shtetit. “Uroj shërim të shpejtë për efektivët. Njëkohësisht kapjen dhe vënien sa më shpejt para drejtësisë të autorëve”, u shpreh Burgaj. 



Ora 13:05 Presidenti Nishani: Dënim aktit kriminal! Autoritet të vënë para drejtësisë autorët
Ndërsa i shpreh ngushëllime familjes së efektivit të forcave speciale RENEA Ibrahim Basha i cili humbi jetën në krye të detyrës  sot në Lazarat, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.

Nishani gjithashtu u ka bërë thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira.

“Presidenti i Republikës po ndjek me shqetësim ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Lazarat gjatë ditës së sotme ku ka humbur jetën Ibrahim Basha, efektiv i forcave speciale RENEA, dhe ku janë plagosur dy efektivë të tjerë. Kreu i Shtetit ngushëllon familjen e të ndjerit Basha për humbjen e rëndë si dhe i gjendet pranë të gjithë familjarëve e të afërmve në këtë ditë të rëndë për ta, ndërkohë që u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur. Presidenti Nishani dënon aktin kriminal dhe u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve, duke u bërë njëkohësisht thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira”, - thuhet në deklaratën e Presidentit Bujar Nishani.
 
Ora 13:00 Visho Ajazi Lika mbërrin në spitalin e Traumës
Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit Visho Ajazi Lika mbërriti në spitalin e Traumës, ndërsa nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili ndodhej më herët në spital, u shoqërua drejt dhomave të dy efektivëve të plagosur.

visho

(Ne foto, kreu i SHISH Visho Ajazi Lika)

Ora 12:58 Mjeku: Të plagosurit nuk kanë plagë serioze
Drejtori i Spitalit të Traumës ku po marrin ndihmë dy punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur në Lazarat thonë se, gjendja e tyre është e mirë.

“Njëri ka plagë sipërfaqësore në kokë, ndërsa tjetri ka plagë në shpatullën e majtë. Janë në parametra optimalë. Nuk do të kenë asnjë konsekuencë. Janë jashtë rrezikut për jetën dhe pa nevojë për ndërhyje emergjente. Janë të vetëdijshëm, kanë plagë sipërfaqësore”, u shpreh drejtori i Spitalit të Traumës.



Ora 12:55 Rama: Ditë zie! Opozita pastë faqen e zezë që fajëson policinë
Me ngushëllime për familjarët e efektivit të vrarë në Lazarat dhe duke e cilësuar një ditë zie, kryeministri Edi Rama i dha përgjigje deklaratave të opozitës për këtë ngjarje. Kreu i qeverisë e sheh paradoksale faktin që nga njëra anë policia ndeshet me grupin e armatosur, të cilin Rama nuk ngurroi ta quajë vrasësh tashmë që plumbat e tyre morën jetën e një efektivi,  ndërsa nga ana tjetër opozita fajëson policinë.
 
“Është një ditë zie për gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit por besoj që çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kurajën, shërbimin e policisë dhe këtyre djemve, sot ka zi.


 
Ndërkohë që duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së atij që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur në të njëjtën kohë edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizoj se duhet të ndihen vërtetë keq ata që për faqen e tyre të zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë madje edhe duke e fajësuar jo dhe aq në mënyrë indirekte. Paçin faqen më të zezë”, u shpreh Rama pasi vizitoi dy policët e plagosur në spitalin e Traumës.

Ora 12:40 Berisha: Krim i shëmtuar, të ndëshkohen autorët
Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka dënuar ashpër krimin e rëndë të ndodhur në Lazarat. Në një status në Facebook, Berisha ngushëllon familjarët e efektivit të vrarë, Ibrahim Basha dhe u uron shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur, ndërkohë u bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit të identifikojnë e të ndëshkojnë me forcën e ligjit autorët e këtij krimi të rëndë.
"Te dashur miq, nje ngjarje e rende, ne te cilen ka humbur jeten nje efektiv i Policise dhe jane plagosur dy police te tjere, ka ndodhur ne Lazarat. Duke denuar ashper kete krim te shemtuar, shpreh ngushellimet me te thella familjes te efektivit te Policise, te ndjerit Ibrahim Basha dhe ju uroj sherim te shpejt e te plote dy punonjesve te plagosur te Policise. Me kete rast u bej thirrje organeve te zbatimit te ligjit te identifikojne, vendosin e ndeshkojne me forcen e ligjit autoret e ketij krimi te shemtuar! sb"

Ora 12:30 Rama, Tahiri, Beqaj dhe Çipa në spitalin e Traumës
Kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Ardian Çipa mbërritën në spitalin e Traumës për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të dy efektivëve që mbetën të plagosur në Lazarat. 



Ora 12:20 Doda: Tragjedi njerëzore, të kapen sa më parë autorët
Tragjedi njerëzore e ka quajtur, Deputetja Demokrate Mesila Doda, vrasjen e policit të Forcave RENEA, në orët e para të ditës së sotme në Lazarat. Në një status në Facebook, ajo u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimës dhe u kërkon forcave të rendit që të bëjnë të mundur kapjen sa më parë të autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. 

Ora 12:10 Rinisin sërish të shtënat
Sipas informacioneve informale të siguruara nga A1 Report, në qendrën e fshatit të Lazaratit kanë rinisur të shtënat nga grupi i armatosur. Dyshohet se në qendër të Lazaratit ka persona ende të paidentifikuar por që dyshohet se janë të moshave të vogla (adoleshentë) të cilët qëllojnë me armë në ajër. Ky lajm nuk konfirmohet ende nga policia, por është siguruar në rrugë informale të cilat pritet të konfirmohen në vijim. 

Ora 12:05 Mberrijne ne Spitalin e Traumes dy policet e plagosur
Kane mberritur ne spitalin e Traumes ne kryeqytet dy efektivet qe mbeten te plagosur ne Lazarat. Ata jane transportuar me helikopter ne nje kohe shume te shpejte nga spitali rajonal i Gjirokastres ku moren mjekimin e pare. Familjare te efektiveve Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj kane pritur me ankth mberritjen e te afermve te tyre. 





Ne ambientet e spitalit te Traumes kane pritur koleget e tyre edhe efektive te tjere te RENEA-s dhe ish-efektivë, siç ishte ish-kreu i Policise se Tiranes Ezen Brencani. Ky i fundit tha ne nje lidhje te drejteperdrejte per A1 Report se ndodhej aty ne mbeshtetje te kolegeve te tij. 



Ora 11:20 Njoftimi zyrtar i Policise
Gjatë natës së kaluar, një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër. Herët në mëngjes, Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë.
 
Gjatë operacionit, në momentin që Policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë.Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha.
 
Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, me iniciale J.I dhe P.H, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
 
Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, si edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.  



Ora 11:35 Nisen me helikopter drejt Tiranes dy policet e plagosur
Dy policet te cilet mbeten te plagosur gjate aksionit ne Lazarat jane transportuar nga helikopter nga Spitali i Gjirokastres ne drejtim te Tiranes ku do te marrin mjekim te specializuar ne spitalin e Traumes ne kryeqyet. 





Ora 11:00 PD: Policia të zbardhë ngjarjen, lazaratasit të ruajnë gjakftohtësinë
Ngjarja në Lazarat nuk ka mbetur edhe jashtë vëmendjes së Partisë Demokratike. Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë në mënyrë elektronike për mediat, PD i kërkon Policisë të zbardhë ngjarjen dhe i drejtohet me një apel banorëve të Lazaratit për të ruajtur gjakftohtësinë dhe për të mos u provokuar nga grupet e armatosura. Gjatë operacionit për të kapur një grup të armatosurish që qëlluan drejt policisë, humbi jetën efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.

Deklarata e PD-së
Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në Lazarat, ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur, me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e një efektivi tjetër. Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile. Partia Demokratike u bën thirrje banoreve të Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të grupeve kriminale”.

Ora 10:50 Efektivët e plagosur Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj
A1 Report mëson se dy efektivët qe mbeten te plagosur si pasojë e të shtënave nga grupi i armatosur në Lazarat jane Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.

jetmir isaj
( Në foto Jetmir Isaj, efektivi i Renea-s i plagosur )

perlat hamitaj
( Në foto Perlat Hamitaj, efektivi i Renea-s i plagosur )


Ora 10:45 Grupi i armatosur "kurth" policise
Policia, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENA zbarkuan në Lazarat pasi gjatë natës një grup i armatosur nisi të qëllonte në drejtim të shërbimeve të policisë që kryejnë shërbimin në këtë fshat. Gjatë operacionit për kapjen e të armatosurve, policia bllokoi në orët e para të mëngjesit disa nga autorët në një makinë së bashku me armët me të cilat kanë qëlluar gjatë natës .
 
Por një “kurth” i grupit të armatosurve ka çuar në ndarjen nga jeta të efektivit të RENEA-s i cili është qëlluar në befasi. Mbi policinë është qëlluar nga një drejtim tjetër, ku për pasojë efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha mori një plumb vdekjeprurës në kokë. 



Ora 10:25 Efektivi i vrarë është Ibrahim Basha
A1 Report mëson identitetin e efektivit të vrarë në aksionin në Lazarat. Bëhet fjalë për efektivin Ibrahim Basha. 

ibrahim basha

ibrahim basha
( Në foto Ibrahim Basha, efektivi i Renea-s i vrarë )

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Real Madrid ndryshon emrin e stadiumit

Real Madrid ndryshon emrin e stadiumit