Të paktën 63 gra janë vrarë nga familjarët në Kosovë që nga viti 2010, sipas të dhënave të regjistruara nga Policia e Kosovës.
Rasti më i fundit u shënua mëngjesin e kësaj të mërkure në qytetin e Prizrenit, ku një 80-vjeçare u gjet pa shenja jete në banesën e saj. Sipas zëdhënësit të Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyçi, rasti është raportuar rreth orës 01:30 të datës 26 gusht 2026.
“Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80-vjeçare, L.D.”, bëri të ditur Bytyçi.
Në vendngjarje kanë dalë patrullat policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Sipas policisë, dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga goditje me duar, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
I dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeç, B.D., është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara. Në momentin e incidentit, ata kanë qenë vetëm në shtëpi.
Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Ngjarja në Prizren vjen vetëm dy ditë pas një tjetër krimi që tronditi Kosovën. Më 24 gusht, një grua shtatzënë u vra në Malishevë. Edhe në këtë rast, i dyshuari është bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në gjendje kritike pasi pësoi plagë nga arma e zjarrit.
Kështu, brenda vetëm një jave, në Kosovë janë shënuar dy raste të vrasjes së grave, ku të dyshuarit kryesorë janë bashkëshortët e viktimave.










Komente
Komento