BEOGRAD - Presidenti rus, Vladimir Putin vendos të reduktojë furnizimin me gaz për Serbinë në masën 28%, dhe kjo për shkak të mospagesës së borxhit nga ana e qeverisë ndaj kompanisë ruse “Gazprom”. Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe sipas të cilave, presidenti rus mori vendimin për reduktimin e furnizimit të gazis rus ndaj Serbisë, dy ditë pas vizitës së tij në Beograd.

Kjo pasi sipas mediave serbe, Putin ka mbetur i pakënaqur nga vizita e tij, pasi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje mbi pagimin e borxhit të Serbisë ndaj Rusisë mbi gazin, që kap afërsisht shumën e 200 milionë dollarëve.

Siç citojnë mediat serbe, marrëveshja në fjalë kishte të bënte me pagesën e borxhit deri në Mars të vitit 2015, por kjo e refuzuar nga Vuçiç. Mësohet se Vuçiç refuzoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pasi sipas tij “kërkesa e Putinit ishte e papërshtatshme dhe e padrejtë, duke pasur parasysh faktin se Rusia është duke nxjerrë shumë përfitime në Serbi nëpërmjet kompanisë NIS (Industria Serbe e Naftës)".

I ndodhur në këtë situatë, Putin vetëm dy ditë pas vizitës në Beograd vendosi të zvogëlojë furnizimin e gazit ndaj Serbisë, në masën 28%.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)