Vuani nga sinusiti?
Ndërlikimet dhe trajtimi i tij

Vuani nga sinusiti? <br />Ndërlikimet dhe trajtimi i tij
Si fillim, çfarë janë si nuset? Sinuset janë një sistem kavitetesh të zbrazëta në kafkë, të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën. Në kafkën e njeriut gjenden katër çifte sinusesh. Normalisht, sinuset janë bosh, përveçse një shtrese të hollë mukusi që kanë në sipërfaqe. Pjesa më e madhe e sinuseve derdhen në hundë përmes një kanali të vogël. Roli i tyre është i paqartë. Ka teori që pretendojnë se sinuset ndihmojnë për të lagështuar ajrin që marrim gjatë frymëmarrjes si dhe largon grimcat që hyjnë bashkë me të, ashtu siç ka teori që thonë se sinuset përforcojnë zërin. Ajo që është e sigurt, është që sinuset nuk I shpëtojnë sëmundjeve.
SINUSITI VS. MIGRENA

A është vërtetë aq i shpeshtë sinusiti?

Është një perceptim i gabuar që sinusiti është një sëmundje e shpeshtë që e takon te kushdo. Por mesa duket nuk është vetëm një problem shqiptar. Një studim nga e mirënjohura Mayo Clinic, në SHBA, arriti në përfundimin që incidenca e sinusitit mund të jetë tepër e ekzagjeruar. Studimi zbuloi se numri i pacientëve me diagnoze të konfirmuar të sinusitit ishte plot 7-8 herë më i vogël se ai i raportuar random në literaturë. Një pjesë e mirë e atyre që vetë-diagnostikohen me sinusit në fakt vuajnë nga migrena. Në këtë përfundim arriti një studim që u përpoq të qartësonte diagnozën e dhimbjeve të kokës nga sinuset dhe dhimbjet migrenoze. Ndodh shpesh që migrena ngatërrohet me dhimbjet e kokës nga sinuziti për shkak të karakteristikave të përbashkëta. Kështu, ndryshimet e klimës, ekspozimi ndaj materialeve që shkaktojnë alergji dhe ndryshimet e lartësisë janë faktorë që shkaktojnë
migrenën, por gjithashtu përkeqësojnë një sinusit. Një episod migrenoz mund të shfaqet me dhimbje koke, bllokim hundësh, rrjedhje hundësh, lotim e skuqje të syve, simptoma që mund të takohen edhe në sinusit. Në studim u përfshinë 100 të rritur që mendonin se vuanin nga sinusiti. Rezultatet treguan që 63% e pjesëmarrësve në të vërtetë kishin migrenë, ndërsa 23% edhe pse me diagnozë të pasigurt, anonin më tepër nga migrena.

Çfarë është sinusiti dhe çfarë iu bën sinuseve?


Sinusit do të thotë që hunda dhe sinuset janë të pezmatuara, gjë që pengon nxerrjen normale të mukusit, madje shtohet prodhimi i tij, si dhe trashet mukoza që vesh këto kavitete. Shkaktarët më të shpeshtë të këtij pezmatimi janë viruset ose bakteret që infektojnë kavitetin e sinusit.
Përveç këtyre që u përmendën ka disa faktorë të tjerë që përbëjnë risk për shfaqjen e sinusitit

1. Problemet dentare. Problemet me dhëmbët apo procedurat dentare shkaktojnë infeksione që përbëjnë rreth 10% të sinusitive maksilare.
2. Ndryshimet e presionit atmosferik. Njerëzit që përjetojnë ndryshime të presionit atmosferik, si gjatë fluturimeve, ngjitja në lartësi të mëdha ose gjatë notimit, rrezikojnë për bllokime të sinuseve dhe kanë mundësi të shtuara për të pasur sinusit. (Noti e rrit riskun për sinusit edhe për arsye të tjera).
3. Duhanpirja dhe ndotës të tjerë. Ndotja e ajrit nga lëndët kimike industriale, tymi i duhanit ose ndotës të tjerë, i dëmton ciliet që janë përgjegjëse për largimin e mukusit nga sinuset.

Sinusit akut apo kronik?

Në pjesën më të madhe të rasteve, sinusiti është një problem që zgjat për një kohë të shkurtër dhe shkaktohet nga infeksioni i sinuseve. Tre simptoma thelbësore janë sekrecionet e trasha të turbullta nga hundët me ngjyrë të verdhë ose të gjelbër, hundët e zëna dhe dhimbja ose ndjesia e presionit në fytyrë, përreth syve ose në ball. Ndonjëherë mund të ketë edhe temperaturë, erë të keqe të gojës, dhimbje të dhëmbëve dhe kollë. Sinusiti akut zgjat deri në 4 javë, ndërsa ai kronik për 3 muaj ose më tepër. Sinusiti kronik mund të fillojë në mënyrë të ngjashme me infeksionin akut të sinuseve, por me simptoma më të lehta. Së bashku me tre simptomat që përmendëm më sipër, sinusiti kronik mund të shkaktojë edhe humbje të nuhatjes.

A janë të nevojshëm antibiotikët?

Antibiotikët përdoren vetëm nëse keni infeksion të sinuseve nga bakteret. Në pjesën më të madhe të rasteve, sinusiti akut shkaktohet nga një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga viruset banale virozave të zakonshme. Megjithatë, në disa raste, bakteret fillojnë të rriten dhe të infektojnë sinuset. Një infeksion i tillë bakterial zgjat më tepër se 10 ditë. Megjithëse antibiotikët nuk veprojnë kundër infeksioneve virale, shpesh ato jepen gabimisht nga mjekët për pacientët me sinusit. Mbipërdorimi i antibiotikëve, jo vetëm që shkakton efekte anësore të panevojshme, por gjithashtu mund të ndihmojë rritjen e baktereve rezistente ndaj mjekimit. Për këtë arsye, në rastet e lehta të sinusitit akut, përgjithësisht sugjerohet që të pritet deri në shtatë ditë pas diagnostikimit për të parë nëse simptomat përmirësohen vetë; nëse nuk ka përmirësime, apo nëse ka përkeqësim, ka mundësi të keni sinusit bakterial dhe një antibiotik si amoksicilina mund t’iu ndihmojë.

Cilët janë ndërlikimet e një sinusiti?


Megjithëse ndodh rrallë, një sinusit mund të ndërlikohet me formimin e
një abscesi (grumbullim qelbi), me infeksion të kockës, me meningit (pezmatim i cipave të trurit) ose infeksion të lëkurës përreth syve. Bëni kujdes me dekongjestionantët që shiten pa recetë. Në fillim të ndihmojnë, por po të përdoren më shumë se 3-5 ditë mund të përkeqësojnë kongjestionin e hundëve.
(xh.k/shqiptarja.com)






  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza