Vuçiç: Kosova nuk e do vazhdimin e dialogut

Vuçiç: Kosova nuk e do vazhdimin e dialogut

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi më 7 dhjetor, se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën porse Prishtina është ajo e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

“Ne duam, duam të arrijmë edhe marrëveshje për të zhdukurit porse Prishtina nuk e do këtë. Nuk dëshiron fare të diskutojë me ne”, deklaroi Vuçiç para gazetarëve pas inspektimit të disa punimeve në Beograd.

Vuçiq konsideron që Kosova aktualisht nuk do të fillojë ndonjë aksion serioz kundër serbëve në Kosovë, por sipas tij qeveria në Prishtinë shkeli të gjitha marrëveshjet që deri më tani u arritën me bashkësinë ndërkombëtare.

Presidenti serb përmendi si shembull marrëveshjen për lejimin e vizitave të ndërsjella duke shtuar se Beogradi lejoi shumë persona nga Kosova të vizitojnë Serbinë, por Prishtina nuk lejoi vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq madje as atëherë kur i ishte thënë që do t’i lejohej.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano paralajmëroi më 6 dhjetor që parakusht për aranzhimin e takimit të radhës duhet të jetë gatishmëria e palëve që të merren vesh rreth rezultateve konkrete, në të mirë të qytetarëve të tyre.

“Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano.

Në fund të nëntorit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin në tentimin që të organizojë rundin e ri të takimit në nivelin më të lartë.

Nga vizitat në Prishtinë e Beograd, burimet e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Lajçak megjithatë është kthyer krejtësisht i dekurajuar.

Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, në kuadër të dialogut ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Që të dyja takimet ishin të pasuksesshme dhe dëshmuan se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.

Pikërisht kjo i detyroi zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.

Më 16 dhe 17 nëntor, shefi i delegacionit të Kosovës për bisedimet, Bisnik Bislimi si dhe shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq, zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Bruksel.

Megjithatë, takimet përfunduan pa një takim trepalësh për shkak se pala serbe kishte kërkuar që të diskutohej për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë të cilën e kundërshton kategorikisht pala kosovare.

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, pas takimeve në Bruksel tha se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet joshumicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Ndërkohë shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.

Për një takim të mundshëm para fundit të këtij viti në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se shpreson edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 09/12/2021 19:53

    Kosova është shtet sovran o fashist …!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore