Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar për zhvillimet politike në Serbi, ku Vuçiç humbi zgjedhjet e djeshme përballë Listës Studentore.

Spiropali i ka cilësuar këto zgjedhje si një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri për demokracinë dhe bashkëpunimin në rajon ku ka theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të qytetarëve dhe të krijimit të një klime të re bashkëpunimi në Ballkan.

Në reagimin e saj, Spiropali u ndal edhe te marrëdhëniet Kosovë–Serbi, duke theksuar se përparimi i rajonit lidhet ngushtë me normalizimin e tyre. 

Reagimi i Spiropalit:

Serbët shprehën masivisht me votë vullnetin e tyre për ndryshim, duke mbyllur kështu, ndoshta përgjithmonë, epokën e dominimit politik të Aleksandër Vuçiç.

Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme.

Uroj që kjo zgjedhje të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Serbi dhe bashkëpunimin në rajon.

Çka ndodhi në Serbi hap për Ballkanin një mundësi që duhet gjykuar hap pas hapi nga veprimet dhe reagimet që do të pasojnë. Siç theksoi kancelari Merz, ngecja në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi pengon përparimin e rajonit. Drejtuesit e rinj kanë rastin dhe mundësinë të dëshmojnë se ndryshimi përfshin edhe eleminimin e mendësisë shoviniste, gatishmërinë për dialog, zbatim të marrëveshjeve, dhe respekt për sovranitetin e Kosovës.

Një urim i veçantë për përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, me pritshmërinë që zëri i tyre parlamentar të përkthehet në sa më tepër barazi, të drejta dhe mundësi për shqiptarët në Serbi.

Shqipëria është e interesuar për një Serbi demokratike dhe europiane. Prova e këtij orientimi do të jetë mënyra si pushteti i ri u përgjigjet qytetarëve të vet dhe ndërton marrëdhëniet me fqinjët. Me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, kjo mundësi duhet kthyer në hapa konkretë drejt paqes së qëndrueshme që u detyrohemi qytetarëve dhe brezit të ri të Ballkanit.


Lajmi kryesor:

‘Koalicioni Shqiptar’ 2 deputetë në parlamentin serb, reagon Begaj: Urime! Ky rezultat duhet të kthehet në më shumë të drejta, barazi dhe fund të diskriminimit