SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç mblodhi me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas sulmit amerikan në Venezuelë dhe kritikoi kapjen e aleatit të tij Maduro, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.
“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, tha Vuçiç për media të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Vuçiç tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-të, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
Më tej, Vuçiç shprehu shqetësim për aleancën e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes, të nënshkruar në vitin 2025, të cilën e konsideroi si kërcënim për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar për armatosjen e mëtejshme të Prishtinës dhe aleancës me Kroacinë dhe Shqipërinë. Ata planifikojnë të zhvillojnë sisteme më komplekse dhe dua të them që Serbia po e ndjek këtë me kujdes. Jo vetëm që po e ndjekim por edhe po përgatitemi për mbrojtje ndaj atyre që kërcënojnë hapur vendin tonë. Ne besojmë se forca jonë do të jetë pengesë e mjaftueshme dhe ne do të arrijmë qëllimin tonë të parë, ruajtjen e paqes në Serbi. Edhe sikur dikush nga rajoni të nisej kundër nesh, askush nuk do të na ndihmonte përveç nesh vetë.” tha Vuçiç.
Sipas tij armatosja e Kosovës, është jo legjitime dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vuçiç thotë se kjo rezolutë është pezull de facto nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe disa aktorë rajonalë, siç është Turqia.
Vuçiç bëri të ditur se Këshilli ka diskutuar për forcimin e njësive speciale, rritjen e armatimit, investime shtesë në industrinë ushtarake dhe rritjen e rezervave strategjike, përfshirë ushqimin, ujin dhe municionin. Sipas tij, në një periudhë prej një viti e gjysmë, Serbia do të dyfishojë kapacitetet e saj ushtarake, ndërsa kapacitetet njerëzore do të rriten për rreth 30 për qind.
“Një pjesë e madhe e armatimit prodhohet në vend, ndërsa një pjesë blihet jashtë. Ky është i vetmi mekanizëm i sigurt për mbrojtjen e vendit dhe faktori i vetëm real parandalues”, tha Vuçiç.
Në fund, ai theksoi se një nga përfundimet kryesore të Këshillit ishte se Serbia duhet të mbështetet te vetja.
“Nëse dikush nga rajoni do të ndërmarrë veprime kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë përveç vetes sonë. Amerika nuk do të na sulmojë, as ndonjë fuqi e madhe. Por në këtë botë të çmendur, gjërat mund të ndryshojnë brenda natës. Prandaj duhet të jemi të gatshëm”, përfundoi Vuçiç.
Raportet Serbi-Venezuelë
Zyrtarët e Serbisë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, pavarësisht se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë thënë se ai nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.
Vuçiç foli me Maduron për herë të fundit ka më 21 gusht 2025, kur zhvilloi bisedë telefonike. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç asokohe e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe tha se kishin biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Një nga argumentet kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Venezuelën, të cilat i kanë paraqitur zyrtarët serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në inaugurimin e Maduros si president në janar të vitit të kaluar mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nxitur kritika nga Brukseli.
Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend, i cili kufizohet me Kolumbinë, Brazilin dhe Guajanën.
Komente




E kush ndot duart me keta?! E vetmja gje qe duhet te kene frike jane vetja e tyre e krimet e lufterat qe kane bere kunder te gjitheve e si lady Makbeth e cmendur te vuajne pasojat e marrezive se tyre.E kaluara t'ju rikthehet si gogol,t'i beje te flasin me vete.
PërgjigjuVUCICI KA HALLIN SE E SULMON AMERIKA...DHE E ARR3STON....ASHTU SIC BERI SOT ME MADURON....PRANDAJ I SHTON KAPACITETET USHTARAKE....SHQIPERIA NUK KA AS 100 USHTARE.DHE ASNJE AVION...CFARE FRIKE DO KESH NGA SHQIPERIA..O VUCIC....???
Përgjigju