Vuçiç këmbëngul: Shqipëria e 
Madhe projekt, makth edhe i KE

Vuçiç këmbëngul: Shqipëria e <br />Madhe projekt, makth edhe i KE
BEOGRAD – Për Serbinë zyrtare, Shqipëria e Madhe shihet ende si një projekt i qeverisë së vendit tonë. Pavarësisht deklaratave të kryeministri Edi Rama se Shqipëia etnike është makth i serbëve dhe jo projekt i shqiptarëve, kryeministri Aleksandër Vuçiç këmbëngul në të kundërtën....madje, ky projekt sipas tij, duhet të jetë makth edhe i Komisionit Europian!
 
Në një intervistë për median serbe DANAS, Vuçiç thotë se do të donte të besonte se qëndrimi i Ramës të ishte i vërtetë. Ai tha se Serbia i arrestoi të gjithë huliganët që sulmuan bizneset shqiptare në Serbi, por ndërkohë nga ana tjetër asnjë zyrtar shqiptarë nuk dënoi incidentin në ndeshjen e 14 Tetorit Serbi-Shqipëri kur droni me flamurin e Shqipërisë së madhe fluturoi mbi stadiumin “Partizani” të Beogradit.
 
“Do të më pëlqente gjithashtu të kisha parë dënim të provokimit që u bë në ndeshje me futjen e dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Por nuk e kam dëgjuar këtë nga ana e zyrtarëve shqiptarë. Ndërkohë, siç e dini, asnjë zyrtar serb nuk e justifikoi ndërhyrjen e tifozëve, të gjithë ata që sulmuan bizneset shqiptare këtu u arrestuan. Dikush e organizoi atë. Duhet të presim sa të mësojmë se kush e ka organizuar, duhet vetëm pak durim. Megjithatë unë kam informuar Komisionin Europian tre orë para ndeshjes për ndonjë provokim të mundshëm...Shqipëria e Madhe duhet të jetë edhe makthi i tyre gjithashtu.. Pastaj thonë se janë të bashkuar për të hyrë në Europë, që është edhe politika e tyre”, përsëriti kryeministri Vuçiç.
 
Duke folur për akuzat e ngritura nga autoritetet serbe se ishte vëllai i kryeministrit Edi Rama ai që ngriti dronin me flamur, Vucic thotë se nuk dëshiron të konfirmojë diçka të tillë, pasi përfundimi i hetimeve, që për kryeministrin serb, duken të vështira, do të hedhë dritë mbi këtë fakt.
 
Kryeministri serb tha se nuk i urren shqiptarët dhe se ka qenë dhe është i gatshëm për të biseduar me ta.
 
"Sigurisht që unë nuk i urrej shqiptarët, dhe jam i hapur dhe i gatshëm të bisedoj më ta. Disa prej tyre janë qytetarë të vendit tonë, dhe me ta besoj se kam pasur gjithmonë një dialog të hapur. Nuk kam treguar urrejtje ndaj tyre në asnjë deklaratë”, tha Vuçiç.
 
Vuçiç thotë se nuk ishin thirrjet antishqiptare ato që u bënë shkak për ndërprerjen e ndeshjes, por ishte fluturimi i dronit dhe sulmi që sipas tij lojtarët tanë i bënë lojtarëve serbë për të mbrojtur flamurin. Sigurisht që koret raciste nuk ishin një gjest i mirë , thotë Vuçiç, por nuk ishin shkaku i ndërprerjes.
 
“Fajin direkt për incidentet e pati droni dhe lojtarët shqiptarë të cilët sulmuan lojtarët serbë. A mund të fajësohemi ne për futjen e tifozëve në fushë dhe gjithçka ndodhi më pas? Po kemi faj, dhe për ketë do t’i pranojmë pasojat”, tha Vuçiç.
 
Ai tha se vendosi për shtyrjen e vizitës së Ramës në Serbi për më datë 10 nëntor, pasi në datën kur takimi ishte parashikuar fillimisht (22 Tetor) do të ishte nën trysninë e incidenteve të ndeshjes. “Doja të ishte një mundësi për një bisedë racionale mes nesh”, tha Vuçiç.
 
Nuk doja të kishte përpjekje për të shkaktuar destabilitet në vend dhe nesër të thuhej “he, he, he një shaka e vogël”, tha kryeministri serb.
 
I pyetur nëse në Serbi ka qendra paralele pushteti, pjesë të pareformuara të shërbimeve sekrete të cilat pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe Shqipërinë, Vuçiç tha: “Nëse kam thënë se ekziston mundësia, nuk kam nënkuptuar që kjo është gjithë e vërteta, por ne jemi kujdesur në ruajtjen e të gjitha institucioneve të sistemit.”
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE