Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përsëriti sot qëndrimin e Beogradit se "nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës", ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe vendeve perëndimore që, sipas tij, mbështesin politikat e Prishtinës. Në fund të deklaratës, ai njoftoi se mbrëmjen e sotme do t'i dërgojë një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, duke i kërkuar që të mos lejohet hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Gjatë një vizite në qarkun e Toplicës, pjesë e fushatës të tij në terren para se të shpallë zgjedhjet, Vuçiç pretendoi se situata në Kosovë është rezultat i veprimeve të përbashkëta të Albin Kurtit dhe vendeve perëndimore.

"Bëhet fjalë për terror, jo vetëm nga Albin Kurti, por edhe nga ndihmësit e tij në Perëndim. E them këtë fare hapur. Nuk kam asnjë problem të them të vërtetën, pavarësisht se çfarë thonë ata. Të gjithë veprojnë së bashku. Nervozizmi i tyre është i madh. Kanë kaluar 18 vjet që kur e njohën pavarësinë e Kosovës. Ata menduan se gjithçka u shkoi sipas planit: shkatërruan Republikën Federale të Jugosllavisë, shkatërruan shtetin e përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, si parakusht që Mali i Zi të shpallte pavarësinë, por Serbia ende nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës", tha Vuçiç.

Duke folur për incidentin e Nenad Rashkoviçit, presidenti serb akuzoi mediat dhe autoritetet në Kosovë se, sipas tij, kanë përhapur pretendime të rreme për ngjarjen.

"Sa artikuj kanë publikuar duke thënë se Nenad Rashkoviçi ishte rrahur për shkak të një borxhi nga lojërat e fatit dhe se ishin serbët ata që e kishin sulmuar? Kanë botuar qindra artikuj. Qindra. Pastaj dje u detyruan të pranonin se po ndiqnin penalisht dy policë për terrorizimin dhe torturimin e një njeriu në atë mënyrë. Çfarë gënjeshtarësh janë, çfarë maskarenjsh. Nuk janë njerëz. Po aq maskarenj janë edhe ata që i mbështesin dhe që po u hapin urën mbi Ibër. Janë të të njëjtit soj, madje edhe më keq. Shtiren sikur janë naivë dhe sikur nuk shohin çfarë po ndodh. Shtiren si komandantë të KFOR-it, të gjithë bëjnë sikur nuk kuptojnë asgjë", u shpreh ai.

Vuçiç mbrojti edhe Listën Serbe dhe ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriç, duke thënë se ata përfaqësojnë interesat e serbëve në Kosovë.

"Ai duhej të ishte gëzuar për fitoren e Kurtit dhe jo për fitoren e Listës Serbe. Ditën kur të mos kemi më Listën Serbe, nuk do të ketë më as serbë në Kosovë. Do të mbeten vetëm Rashiç dhe njerëzit e tij. Kur them Lista Serbe, nuk e kam fjalën vetëm për Listën Serbe, por për dikë që përfaqëson Beogradin dhe Serbinë, si edhe popullin serb në tërësi në Kosovë. Ju sulmuat Marko Gjuriçin, të cilit mund t'ia besoj gjithçka. Por si mund të thoni se ai nuk e njeh situatën në Kosovë dhe nuk lufton për Kosovën? Thaçi e arrestoi, e ngacmoi dhe e rrahu brenda automjetit", tha Vuçiç.

Në fund të deklaratës, presidenti serb u rikthye te çështja e urës mbi Ibër, duke njoftuar se do t'i drejtohet me një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

"Do t'i dërgoj sonte një letër Rutes. Aq sa mundemi të luftojmë, do të luftojmë", tha Vuçiç.

Deklarata e Vuçiç vjen një ditë pasi Komisioni Evropian përsëriti se pret koordinim dhe konsultime mes institucioneve të Kosovës për hapjen e urës së Ibrit, duke kërkuar që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve. Reagimi i Beogradit ishte i menjëhershëm. Serbia i dërgoi një letër proteste të dërguarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ku kundërshtoi qëndrimin e Brukselit dhe pretendoi se nuk janë plotësuar kushtet e sigurisë për hapjen e urës.