BEOGRAD – Me vendosjen e kurorave me lule me nderime të larta shtetërore në monumentin e Dimitrije Davidoviçit, themeluesit të Kushtetutës së Sretenjit, kryeministri Aleksandar Vuçiç ka kremtuar festën kombëtare Sretenje - Ditën e shtetformimit të Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ne nga Sretenjet e më parshme mund të mësojmë shumë nga ajo dhe jam i sigurt se në ditën kur vendosëm themelet e shtetësisë, por edhe themelet modernizmit, sot mund të them se nuk ka asnjë vlerë më të madhe, më të rëndësishme dhe nuk ka gëzim më të madh se sa lufta për një Serbi moderne dhe të suksesshme," tha Vuçiç.

Ai theksoi se është krenar për faktin se të paktën mund të bëjë gjëra të vogla që vendi i tij të jetë edhe më i mirë, ndërsa në të njëjtën kohë populli në Serbi të tregojë se ka mësuar diçka nga paraardhësit e tyre të famshëm, siç ishin Dimitrije Davidoviç, Karaxhorxhe dhe të tjerët që erdhën pas tyre.

"Jam i bindur se Serbia është në rruge të mbarë dhe jam plotësisht i sigurt se ata që do të vijnë pas nesh, nuk do të turpërohen nga veprat tona", tha kryeministri pas vendosjes së kurorave.

Në ceremoni të shënimit të festës kombëtare morën pjesë edhe ministrat e qeverisë serbe, Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç, Ministri i Drejtësisë Nikola Selakoviç, i Mbrojtjes Bratislav Gashiç dhe Ministri i Punës, Veteranëve të Luftës dhe të Çështjeve Sociale Aleksandar Vulin.

Dita Kombëtare festohet më 15 shkurt, në kujtim të ditës kur më 1835 në Kragujevc erdhi në fuqi kushtetuta e Sretenjit, kushtetuta e parë e Serbisë, një nga kushtetuta më moderne, më demokratike dhe liberale e kohës së saj, me të cilën është hequr feudalizmi në Serbi. Në të njëjtën ditë, më 1804 filloi edhe Kryengritja e parë serbe.

Si Dita e Shetit serb është festuar që nga themelimi i Mbretërisë Serbo- Kroato- Sllovene (SKS), pas së cilës u anulua, ndërsa në vitin 2002 filloi të festohet përsëri në Serbi si dita e shtetit serb.

Festa kombëtare festohet dy ditë, 15 dhe 16 shkurt, duke qenë se këtë vit bie ditën e dielë, në Serbi e hëna dhe e marta janë shpallur ditë pushimi.


Redaksia Online
(do.k/shqiptarja.com)