Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç, ka folur ditën e sotme para gazetarëve lidhur me ftesën e marrë në 4 maj nga Kancelari gjerman Olaf Scholz për një vizitë në Berlin, ditë kjo kur atje do të do të jenë gjithashtu edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Emisari i BE-së Miroslav Lajcak.
Vuçiç tha se s’ka pritshmëri të mëdha nga bisedimet që pritet të ndodhin në Berlin.
“Nga takimi me kancelarin Scholz, pres të dëgjojë vërejtje për sjelljen e Serbisë, dhe do ta kem mundësinë të shpreh qëndrimin e Serbisë”, tha Vuçiç.
I pyetur nga gazetarët se çfarë mund të pritet nga bisedimet në Berlin, Vuçiç ka thënë se pritshmëritë e tij nuk janë shumë të larta dhe se “s’pritet të ndodh asgjë e mirë”.
“Kjo është e gjitha, as keq as mirë. Një mundësi e mirë për të shprehur qëndrimet tona, por ne s’do të ndryshojmë qëndrimin e Gjermanisë për pavarësinë e Kosovës e as atë për sanksionet”, tha kreu i shtetit serb.
Gjithashtu Vuçiç pretendon se situata në Kosovë nuk është e mirë dhe se gjithçka po shkon drejt dëbimit të serbëve vetëm që Serbia ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Unë jam shumë skeptik lidhur me këtë”, tha Vuçiç.
Vucic tha po ashtu se është shumë i shqetësuar për shkak të papërgjegjësisë dhe mendjelehtësisë së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, por edhe për shkak të shumë atyre në Perëndim që po e përkrahin politikën e Kurtit. Ai tha se po bëhet presion ndaj serbëve duke shrytëzuar situatën në Ukrainë.
“Ne nuk mund ta përmbushim këtë. Unë jam një skeptik i madh, edhe pse e mbështes dialogun e vërtetë. Sot ai dialog me Kurtin nuk ekziston”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se koha e urdhrave ka kaluar. Situata në Kosovë është dramatike, dhe populli serb është nën një presion të madh, sepse shumë duan të shfrytëzojnë situatën në Ukrainë për të ndikuar tek serbët për të pranuar diçka”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se Kosova nuk po i implementon marrëveshjet e Brukselit.