Vula e Faik Konicës “Ex Libris F.K”
i dorëzohet Bibliotekës Kombëtare

Vula e Faik Konicës “Ex Libris F.K”<br />i dorëzohet Bibliotekës Kombëtare
Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bibliotekën Kombëtare organizuan sot në Sallën “Lumo Skëndo” në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare ceremoninë e dorëzimit të shtampës “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”.
 
Kjo stampë është dhuratë nga Katedralja e “Shën Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në  Boston, pikërisht në vitin kulturor “Faik Konica”, shpallur nga Federata Panshqiptare “VATRA”.
 
Në mënyrë simbolike ajo iu besua Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij të fundit në SH.B.A., dhe nën përkujdesjen e tij ju besua Bibliotekës Kombëtare, në nderim të porosisë së lënë nga Faik Konica për dërgimin e saj në Shqipëri.
 
Shtampa, me një realizim unik artistik, përbëhet nga dy germa platini F.K, që përfaqësonin  artin e tipografisë koniciane të “Albania-s” e të librave që ai shtypi me ato germa, si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të Faik Konicës. Kjo logo mban edhe si shënim një thënie tipike të nxjerrë nga vepra e filozofit të mirënjohur Erasmus i Roterdamit (Desiderius Erasmus), të cilën Konica e ka perifrazuar në frëngjisht qysh te “Albania”, nr. 1, Janar 1902: “Il disent ce qu’il veulent: qu’il continuent, je n’en moque!” (Le të thonë ç’të duan, mua aq më bën..!)
 
Shtampa “EX LIBRIS”, me përmasa 4.5X5.75, është gjetur në “libra-raftin e Vatrës” dhe iu besua në fillim të viteve ’80 Kishës autoqefale të Nolit, ku u ruajt më tepër se 35-vjet në « Bibliotekën e Fan Nolit » në Boston, duke nderuar amanetin e vetë Konicës, shkruar Nolit në vitin 1942. Si relik historik është kataloguar në sistemin numerik të bibliotekës noliane dhe si i tillë është kundruar  nga qindra vizitorë, studiues e admirues të Konicës, shqiptarë dhe jo shqiptarë, të mirëpritur gjatë këtyre viteve në arkivën noliane.
 
Ky dhurim do të vijojë me plotësimin e amanetit të Konicës, duke mundësuar përmes bashkëpunimit të ngushtë të dy Ministrive, sjelljen në BKSH, të një sasie librash të bibliotekës së Faik Konicës që tashmë janë gjetur pranë komunitetit shqiptar në Sh.B.A. falë punës e kontributit të zotit Agron Alibali.
 
Në fjalën e tij Ministri Bushati u ndal në kontributin e veçantë të diasporës shqiptare në ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar, si dhe shprehu rëndësinë e organizimit të samitit të diasporës në 18 nëntor të këtij viti në Tiranë. 
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët