Vula e Faik Konicës vjen në Shqipëri
i dorëzohet Ministrit Ditmir Bushati

Vula e Faik Konicës vjen në Shqipëri<br />i dorëzohet Ministrit Ditmir Bushati
Një nder i madh Shqipërisë nga vëllezërit tanë shqiptaro-amerikanë.

Është e njohur tashmë publikisht se viti 2016 është shpallur VITI FAIK KONICA, nga Federata PanShqiptare "VATRA", Federata e hershme historike e Diasporës Shqiptare dhe veçanërisht e vëllezërve tanë, shqiptarëve të Amerikës, e themeluar nga binomi Noli-Konica. Në këtë kuadër, Katedralja "Shën Gjergji" e Bostonit, e njohur ndryshe edhe si "Kisha autoqefale e Nolit", i bëri Shqipërisë një dhuratë të bukur duke i dorëzuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Z. Ditmir Bushati, shtampën "EX LIBRIS F.K.", të quajtur ndryshe "Vula e Faik Konicës". Ky gjest i lartë i vëllezërve tanë shqiptaro-amerikanë ndaj Atdheut është një ngjarje madhore, një riatdhesim i dytë që i bëhet Rilindësit të shquar dhe gjeniut shqiptar Faik Konica, është një vlerësim i ri për Emrin dhe Veprën e tij të pavdekshme patriotike.

Me të marrë vesh lajmin se do bëhej kjo dhuratë, pata nderin t'i drejtohem Z. Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës "Dielli" në Nju Jork me anë të kësaj letre: 
I dashur Dalip,
Ishte një surprize tepër e këndshme që më emocionoi thellë lajmi që shtampa e Faik Konicës do të vijë këto ditë në Tiranë që nga Katedralja e Bostonit. Është një ngjarje madhore sepse kemi të bëjmë simbolikisht me një “riatdhesim të ri të Rilindasit erudit Faik Konica” që e donte Shqipërinë moderne, me mentalitet të përparuar perëndimor, në gjirin e familjes së bashkuar evropiane.

Shtampa Faik Konica, e njohur ndryshe si “EX LIBRIS F. K.”, është pjesë e pandashme e personalitetit të tij të lartë, të cilën ai nuk e ndau në asnjë çast të jetës, ashtu sikurse nuk ndau kurrë nga dora librin, apo gramafonin. Krejt biblioteka e tij e pasur përmbante këtë vulë të tij, një shtampë e realizuar bukur artistikisht me germat e veta speciale prej platini, që përbënin artin e tipografisë koniciane të Albania-s dhe të librave të tjerë që ai shtypi me ato germa.
EX LIBRIS ka qenë vazhdimisht në modë tek personalitete të larta të Letrave dhe zakonisht shprehin grafikisht një simbolikë apo moto ideali të personit që e përdor, ose pastaj një formulë filozofike, etj.

Tek "Albania", në tetor 1899, viti III, shfaqen për herë të parë germat e veçanta të platinit apo letrinat, me zbukurime florale e ravijëzime, krahas një morie vinjetash nga fauna dhe flora e sidomos simboli i shqiponjës. Po ashtu në fund të "Albania-s" nga tetori 1899, Konica jep emrin e shtypshkruesit të tij kryesor me adresën: "F. Donnay Imprimeur 398, Chaussée de Ëaterloo".

Mendoj se shtampa EX LIBRIS F.K. është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. “Kam thyer kushedi sa shpata me të”, i shkruan Konica Apolinerit.
Shtampa, përbëhet pra nga dy germa platini F.K. (Konica bleu shumë shtrenjtë disa familje germash platini që përbëjnë bukurinë e artit tipografik të "Albania-s" , si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të tij, dhe nga kjo logo poshtë tyre në greqisht:

“Le të thonë ç'të duan, le të dërdëllisin, unë as që pyes”. (Marrë nga autori i lashtë Desiderius Erasmus – "Albania", vit 6, janar 1902, nr.1).

Është kjo një moto koniciane me theks tepër aktual, kur edhe sot e kësaj dite po shfaqen në shtyp antikonicianë të tërbuar që e deformojnë mendimin e tij, duke luajtur me citate të shkëputura nga konteksti dhe nga vetë fryma e kohës kur janë shkruar.
Që shtampa konciane vjen më në fund në Tiranë, që një pjesë identitare e gjeniut Faik Konica vjen në Atdhe, në këtë vit jubilar shpallur nga VATRA VITI FAIK KONICA – ja një gjest fisnik dhe një dhuratë e bukur e shqiptarëve të Amerikës dhe e Kishës shqiptare të Bostonit për gjithë shqiptarët e vërtetë që e duan me zemër Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar, që e duan të përparuar e të ndriçuar, ashtu siç e donte me shpirt edhe vetë Konica kur shkruante : “PARANDJEJ NJË SHQIPËRI TË LULËZUAR DHE INTELEKTUALE”.

P.S.
Bashkëngjitur "EX Libris F.K." realizuar nga unë artistikisht, si dhe një pjesë e vogël e artit tipografik të "Albania-s", ku shfaqet germa “K” (rreshti i parafundit) me ravijëzime që Konicës i dhanë idenë e gjarpërinjve, kundër të gjithë atyre që e sulmonin egër.


vula e konices

vula e konices
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë