I sanksionuar nga SHBA/ Aleksandër Vulin në vizitë zyrtare në Moskë, takohet me sekretarin e Këshillit të Sigurisë

I sanksionuar nga SHBA/ Aleksandër Vulin në vizitë zyrtare në Moskë, takohet me sekretarin e Këshillit të Sigurisë

Aleksandër Vulin në Moskë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua të hënën me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë, ku ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore.

Qeveria e Serbisë tha në një njoftim se Vulini “shprehu kënaqësinë që do ta vazhdojë bashkëpunimin dhe partneritetin për sigurinë e dy vendeve”.

Vulin është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.

Ai u takua edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko.

Qeveria e Serbisë njoftoi se gjatë takimit me Grushkon, Vulini ka falënderuar Rusinë për “përkrahjen e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara” dhe votimin kundër Rezolutës për Srebrenicën.

Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Miratimi i Rezolutës u kundërshtua nga liderët në Serbi dhe nga entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinë, Republika Sërpska, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë thuhet gjithashtu se Vulin ndodhet në një vizitë zyrtare disaditore në Rusi.

Kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Rusi prej ai u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë më 2 maj.

Vulin ka udhëtuar në Rusi në disa raste prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Hera e fundit ishte në prill, kur ai u takua në Shën Petersburg me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev.

Në janar të këtij viti, Vulin u nderua nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse.

Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë.

Në të kaluarën ai ka mbajtur disa poste politike, nga posti i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe e deri tek udhëheqja e dikastereve të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme dhe në fund shërbeu si kryespiun.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e Brukselit dhe nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë