Përveç drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua së fundmi, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë edhe shtetas të tjerë serbë.
Mediat serbe raportojnë se disa prej tyre janë të njohur për publikun e gjerë, si tregtari i armëve Slobodan Teshiç dhe biznesmeni kontrovers Milan Radojiçiç, ndërsa të tjerët pothuajse nuk njihen.
Vendosja e sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Thesarit do të thotë se të gjitha asetet e personave nën sanksione të vendosura në SHBA janë të bllokuara. Në të njëjtën kohë bllokohen edhe kompanitë në pronësi të tyre apo me të cilat janë të lidhura.
Por, përveç Vulinit, Nova.rs, shkruan se në listë janë edhe shtetas të tjerë serbë, 14 prej tyre, njëri prej tyre është Sllobodan Teshiç, tregtar armësh.
Teshiç është tregtari më i madh i armëve në Serbi dhe ai ishte i lidhur me dërgesa të dyshimta të armëve, për këtë arsye ai ishte në fokus të publikut ndërkombëtar në disa raste, madje ishte i kërkuar për një kohë nga Interpoli.
Por, pavarësisht se ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kompanitë e tij vazhdojnë të eksportojnë armë.
Në këtë listë është edhe Goran Andriç, i cili menaxhon kompaninë “Velkom Trade” Beograd, dhe siç ka njoftuar më herët nga Ministria e Financave të SHBA-së, Andriq është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Slobodan Teshiçit.
Përveç këtyre, lista përfshin shumë të tjerë bashkëpunëtorë të Teshiq, si Nebojsha Sharenac, Nikolla Brkiç, Esad Kapixhiç, dhe Zhelimir Petroviç.
Si bashkëpunëtorë të tij përmenden edhe Sreten Cvjetkoviç, Zoran Petroviç, Milan Subotiç dhe Ljubo Mariçiç, të cilët po ashtu janë nën sanksione.
Gjithashtu, aty gjenden edhe biznesmeni kontrovers Milan Radoiçiç, i cili ishte i lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Ky I fundit është edhe nën sanksionet britanike.