Policia e Tiranës identifikoi dhe shpalli në kërkim një 60-vjecar, si autorin e dyshuar të vendosjes së një lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së një gruaje 47-vjeçare në Tiranë.

 Ngjarja ndodhi më 14 nëntor në rrugën “Sadik Petrela”. Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë, u zbulua i dyshuari Albert Zevelizhdaj 60 vjeç, banues në Elbasan.

Blutë gjetën dhe sekuestruan makinën me të cilën ai ka lëvizur natën e ngjarjes, momente të dokumentuara me pamje të kamerave.

 Në gjendje të lirë po hetohen 3 vajza, fqinje në Elbasan të autorit të dyshuar, pasi kanë qenë në makinë së bashku me 60-vjeçarin kur ka vendosur dhe shpërthyer tritolin, dhe nuk e kanë kallëzuar krimin.

Vajzat janë 21 vjeç, 18 dhe një e mitur 17-vjeçare. Makina dyshohet se është marrë me qira për tri ditë në emër të një prej vajzave fqinje të tij në Elbasan. Me këtë automjet, ai ka udhëtuar drejt Tiranës së bashku me fqinjet.

Pas vendosjes së tritolit, 60-vjeçari Albert Zevelizhdaj sipas burimeve, ka ndjekur disa rrugica dhe dyshohet se ka ndërruar edhe veshjen për të humbur gjurmët.

Hetimet paraprake ngrenë dyshime se 60-vjeçari mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të kryer këtë veprim. Ndërkohë, pronarja e banesës dhe fëmijët e saj kanë deklaruar se nuk e kanë njohur më parë të dyshuarin.

Njoftimi i Policisë 

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 14.11.2026, në rrugën “Sadik Petrela”, ku shpërtheu një sasi e dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 60-vjeçar, i dyshuar si autor i ngjarjes.

Procedohen penalisht 3 shtetase, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sekuestrohen automjeti i përdorur ditën e ngjarjes dhe 4 aparat celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit për shpërthimin e një sasie të dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetases A. M., në rrugën “Sadik Petrela”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave, si dhe kryerjes së veprimeve të tjera procedurale, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorit të dyshuar shtetasit A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 shtetase, A. Ç, 21 vjeçe, A. L, 18 vjeçe dhe një 17-vjeçare, komshinj me autorin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me autorin e dyshuar, në momentin e kryerjes së ngjarjes, dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur ditën e ngjarjes, si dhe 4 aparat celularë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë