Lëvizja Vetëvendosje deklaroi sot se po përcjell me vëmendje të plotë reagimet dhe zhvillimet e ngjarjeve pas lojës Shqipëri-Serbi (në Beograd), që ndodhën në fillim të kësaj jave.

"Me shqetësim po marrim lajme për sulmet ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi", thuhet në reagimin për shtyp.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, "këto sulme që nuk janë risi e kësaj jave, por që ndodhin në baza ditore, e në mënyrë sistematike kundër bashkëkombasve tanë, nuk kanë gjetur kurrë as reagim institucional e as joformal qoftë nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga qoftë nga Qeveria e Republikës së Kosovës".
"Teksa çdo ditë flitet në forume vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave kudo në botë është e patolerueshme heshtja përballë cënimit ekstrem të shqiptarëve në Serbi", shprehet mes të tjerash Lëvizja Vetëvendosje.

ATSH