Ministri i Jashtëm Gjerman, Guido Westerwelle zhvilloi një vizitë 24 orëshe në Tiranë dhe gjatë gjithë paradites së sotme pati një axhendë të ngjeshur takimesh me krerët më të lartë të shtetit për të nxitur institucionet për plotësimin e kritereve për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së por dhe për të thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve. I shoqëruar nga ambasadorja gjermane, Carola Holtkemper, kryediplomati gjerman zhvilloi takime me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, Presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së Edi Rama. Guido Westerwelle mbërriti dje pasdite në Tiranë dhe u largua sot në orën 13:00.
PER NE BE S'BEJME LESHIME, PLOTESONI KRITERET
Takimi i parë zyrtar në Tiranë ishte me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti ku u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Më pas u zhvillua konferenca e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Panarit. Ai e nisi fjalën e tij duke falenderuar për mikëpritjen. "Ju jetoni në një vend shumë të bukur me sfida të mëdha por dhe shanse shumë të mëdha." - tha ministri Westerwelle.
“Gjermania- nënvizoi më tej ministri gjerman- mbështet integrimin e Shqipërisë por duhen plotësuar disa kritere për të cilat nuk bëjmë dot lëshime por as vendosim vështirësi artificiale. Mes qytetarëve ekziston një konsensus për integrimin dhe ky duhet të gjejë shprehje tek forcat politike. Demokraci, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor dhe mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra, janë kriteret. E rëndësishme ëshyë që zgjedhjet të zhvillohen me sukses dhe mbi bazën e parimeve evropiane. ”
Madje kryediplomati gjerman shtoi "Panariti është mik i mirë dhe njohës i mirë i Gjermanisë. Panariti e di se ne nuk bëjmë premtime të shumta por atë që e premtojmë e mbajmë. Kjo është “made in Germany”
Konferenenca për gazetarët u zhvillua menjëherë pas takimit me ministrin Panariti dhe Westerwelle duke shtuar se qëllimi i vizitës, e para e tij në Tiranë, ishte thellimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga ana e tij edhe Ministri Panariti vlerësoi si të rëndësishme vizitën e kryediplomatit gjerman, "si shenjë se marrëdhëniet mes Shqipërisë e Gjermanisë janë të shkëlqyera". Në shenjë respekti kryediplomati shqiptar i uroi mirëseardhjen homologut në gjermanisht, një gjuhë që ministri Panariti e zotëron mirë.
Edhe kur u pyet nga gazetarët ministri përsëriti qëndrimin e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë “Sa i takon Gjermanisë nuk bëjmë as lëshime as pengesa artificiale. Do ta vlerësojmë në mënyrë të arsyeshme dhe të drejtëpërdrejtë. Fola për një konsensus brenda Shqipërisë dhe kur flas për këtë them që forcat e ndryshme partiake duhet të jenë në të njëjtën linjë.”
GJERMANIA SI SHBA, S’KA NDRYSHIM KUFIJSH, KUJDES EMOCIONET NACIONALISTE
Kryediplomati gjerman, në një linjë me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker tha se deklaratat nacionaliste duhen trajtuar me kujdes dhe se Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. “Emocionet nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në një fushatë elektorale. Dua t’ju nënvizoj se qëllimi i përbashkët është që shtetet e rajonit të jenë pjesë e BE-së ku të gjithë të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk lejohen as në Ballkan. Kufijtë në Europë as nuk hiqen, as nuk ndryshohen por thjesht humbasin rëndësinë e tyre."- tha Westerwelle.
Ministri Panariti gjatë fjalës së tij përforcoi (duke deklaruar dy herë) se qëndrimi i qeverisë shqiptare për të patur marrëdhënie të mira mes vendeve të rajonit është i palëkundur.
“Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin që ka pasur, si promovuese e stabilitetit të paqes dhe prosperitetit në rajon. As nuk ka patur, as ka dhe as nuk do të ketë synime territoriale në Ballkan.”- tha Panariti
(FOTO: Westerwelle dhe ministri Panariti)
TAKON NISHANIN: ZGJEDHJET SIPAS STANDARDEVE, NISHANI: POLITIKA DO E KALOJE SPROVEN
Pas konferencës për shtyp, ministri Westerwelle iu drejtua presidencës për të zhvilluar një takim me presidentin Bujar Nishani. Presidenti shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian.
“Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde. “- tha Nishani, informon zyra e shtypit e Presidencës.
Lidhur me zgjedhjet kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses.
Lidhur me rolin në rajon Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.
Në përgjigje Kryediplomati gjerman pasi shprehu dakortësi me mendimet e mësipërme të Presidentit Nishani u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”- informon zyra e Presidencës. Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian.
(Foto: Westerwelle dhe takimi ne Presidence me Presidentin Bujar Nishani)
BERISHA: ZGJEDHJET SIPAS STANDARTEVE, SHQIPËRIA S’DO JETË PROBLEM PËR RAJONIN
Më pas në 11:00 u takua me Berishën. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Westerwelle, në takimin që ka pasur po sot paradite edhe me Kryeministrin Berisha, ka siguruar “se Gjermania do të vijojë të jetë një mik i besueshëm dhe një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE. Por jo vetëm kaq; Gjermania gjithashtu është e shumë e interesuar për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe për të parë zgjerimin e investimeve të saj në Shqipëri.”
Burimet zyrtare të Kryeministrisë bënë të ditur se në takim u diskutua për një sërë fushash ku bashkëpunimi dypalësh pritet të shënojë arritje të reja të rëndësishme, si fusha e turizmit, sektori i energjisë elektrike, shkëmbimet kulturore dhe në fushën e arsimit e trajnimit profesional. Në këtë kontekst një rëndësi e veçantë do ti kushtohet zgjerimit të mësimit të gjuhës gjermane nga qytetarët shqiptare, në veçanti nga të rinjtë shqiptarë.
Duke u ndalur tek përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshëm të 23 qershorit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Westerëelle me rezultatet e rëndësishme që janë arritur në fushën e reformës zgjedhore, çfarë ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it dhe njëkohësisht sistemin më të saktë të numërimit të votave në planet. Arritje të rëndësishme në këtë drejtim u vlerësuan gjithashtu edhe rritja e numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të bëjnë të mundur reduktimin e ndjeshëm, si të radhëve të qytetarëve që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ashtu edhe të reduktimit të kohës së numërimit dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. “Ky kuadër eficent ligjor dhe institucional, është një garanci solide për realizimin e zgjedhjeve të përgjithshme konform standardeve ndërkombëtare” përfundoi Kryeministri Berisha.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha ritheksoi se Shqipëria do të vijojë, ashtu si deri më sot, me politikën e saj të moderuar e promovuese të miqësisë, bashkëpunimit e integrimit rajonal dhe atij evropian. “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është dhe mbetet projekt madhor për vendet e rajonit, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e tyre.” theksoi kryeministri. “Ndërkohë, vijoi më tej ai, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të lihen pas ndjenjat dhe shfaqet e albanofobisë, të cilat, jo vetëm që nuk i shërbejnë paqes e bashkëpunimit në rajon, por as edhe projektit të integrimit të tij në BE.”
Më pas ministri gjerman takoi dhe kreun e PS-se.
(Foto: Takimi i Rames me Westerwellen ne selinë PS.
Westerwelle njihet edhe si një mbështetës i fuqishëm i njohjes së Kosovës dhe kushteve që Gjermania i ka vënë Serbisë për integrimin e saj në BE, por nëse njeh Kosovën. Westerwelle qëndroi në Tiranë deri në orën 13:00 më pas u largua drejt Maqedonisë. Vizita ishte planifikuar te zhvillohej me 14 shkurt por për shkak të ndarjes nga jeta të atit të tij Westerwelle shtyu vizitën për sot.
(sg/shqiptarja.com)