Në tekstin e plotë të kabllogramit të ish-ambasadorit amerikan në Sofje, James Pardew për krimin e organizuar në Sofje, që mban datën 7 korrik 2005, mes shumë të tjerëve është edhe Bozhkov. "I lindur në 29 korrik 1956, dhe i njohur edhe me nofkën "Kafka". Ai themeloi kompaninë e tij të parë në 1990, përpara se të ngrinte biznesin aktual NOVE HOLDINGS, që përfshin mbi 30 kompani dhe degë të shumta. Interesi i parë i biznesit legal përfshin lojërat (salla bingoje, kazino dhe llotarinë popullore EUROFOOTBALL) si dhe dyqanet "Duty free". Bozhkov gëzon gjithashtu drejtimin e ekipit të futbollit të CSKA në Sofje dhe të agjencisë së modelimit "J MODELS". Ai besohet se ka nën kontroll "RISK ENGINEERING", e cila ishte pjesë e perandorëisë "MG". Lidhjet e shumta me median e lidhin Bozhkovin me TOSHO TOSHEV (kryeredaktor dhe drejtor menaxhimi i gazetës "TRUD", që është më e shitura ndër të përditshmet në Bullgari), KEVORK KEVORKIAN (drejtuesit të spektaklit popullor në televizionin shtetëror BNT), dhe RADOSVET RADEV (pronar i radios "DARIK"). Në 2002 NOVE shiti pjesën më të madhe të aksioneve të llotarisë "Eurofootball" te miliarderi grek SOKRATIS KOKALIS, duke mbajtur vetëm 49 për qind të aksioneve.

Bozhkov publikisht falenderoi biznesmenin SPAS RUSEV për lehtësimin e marrëveshjes së shitjes. Rusev është i lidhur ngushtë me NMSS, si një shok i ngushtë dhe këshilltar personal i kryeministrit Simeon Saxe-Coburg Gotha, Rusev ka bërë bashkë ekipin ekonomik të NMSS, përfshirë Milen Velchev (ministrin e Financave) dhe Nikolai Vassilev (zëvendëskryeministër dhe Ministër për Transportet). Kazinotë e NOVE-s përfshijnë "LONDON CASINO" në hotelin "Radisson SAS" në Sofje dhe "RILA CASINO" në hotelin "Rila", po në Sofje. Bozhkov besohet se ka kontrollin mbi hotelin "Rila" së bashku me IRENA MARINOVA (drejtoreshë dhe anëtare bordi e kompanisë që menaxhon hotelin) dhe përmes ANTONI NAUMOV (drejtor i kompanisë së menaxhimit të hoteleve. Marinova është gjithashtu aksionere e BUL INS (pjesë e INTERGROUP), së bashku me Bozhkov (përmes NOVE). Naumov dhe Bozhkov janë partnerë në disa kompani, përfshirë edhe ekipin e basketbollit CSKA. Bozhkov ka përdorur influencën e tij që të bllokojë transferimin e rreth 49 për qind të hotelit "Rila", objekt i një lufte të gjatë mosmarrëveshjesh mbi pronën, që pretendohet nga komuniteti hebre i Bullgarisë. Aktivitetet ilegale të Bozhkov përfshijnë pastrim parash, mashtrime me privatizimet, kërëcënime, vënie gjobash. Bozhkov është gjithashtu i lidhur me INTERGROUP (përmes kompanisë IGM, të cilën e drejton bashkë me MLADEN MIHALEV, dhe aksionerët e NOVE-s në BUL INS) dhe me IVAN TODOROV (INTERGROUP dhe AMIGOS)"-shkruante diplomati amerikan në 2005.
(sg/shqiptarja.com)