SHBA  - Faqja e njohur WikiLeaks ka publikuar më shumë se 1.7 milionw dokumente, që i përkasin raportimeve diplomatike ose të inteligjencës amerikane të viteve 70.

Pjesa më e madhe e këtij publikimi është punuar nga vetë themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, gjatë kohës që po kalon brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër që prej 19 qershorit 2012, ku ka kërkuar strehim për t’u mbrojtur nga ekstradimi.

Që nga viti 2010 Assange është kërkuar nga autoritetet amerikane ne lidhje me prokurimin dhe shpërndarjen e më shumë se 92.000 dokumenteve sekrete të SHBA-së.

Koleksioni i këtyre dokumenteve i përket viteve nga 1973 deri në 1976 dhe përfshin raportime diplomatike ose të inteligjencës si dhe korrespondenca mes diplomatëve të huaj.

Në këto dokumente është i përfshirë edhe Rajiv Gandhi një nga figurat më larta të Indisë, i cili shërbeu si ndërmjetës i një kompanie suedeze për furnizimin me avionë forcave ushtarake të Air India.

Koleksioni i këtyre dokumenteve është quajtur Biblioteka publike e diplomacisë amerikane ku janë bërë publike dokumente të reja që prekin të gjitha vendet e botës.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)