TIRANE - Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, në një intervistë për “Top Channel” paralajmëroi se vendi po rrëshqet drejt një diktature, ku kryeministri, ka marrë të gjitha pushtetet në duart e tij dhe vendi rrezikon të ardhmen demokratike. "Shqiptarët duhet ta ngrënë zërin e
tyre”- tha Withers duke shtuar "Shqipëria gjendet buzë greminës. Për  Imunitetet? Berisha i do për të kërcënuar opozitën”.

Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, rrëfeu sot në mbrëmje ( e enjte, 6 shtator)  se ka ikur me një shije të mirë për Shqipërinë. “Kam kaluar një kohë të mrekullueshme në Shqipëri, atë që kam marrë nga vendi juaj e kam në zemër”, shprehet Withers në një intervistë në emisionin “Top Story” nga gazetari Sokol Balla. “Të gjithë amerikanët trajtohen mirë nga shqiptarët, edhe tani që nuk jam ambasador takohem me shqiptarë, e kjo tregon mikpritjen e tyre që buron nga shpirti. Edhe në fshatin ku unë jetoj, takoj shqiptarë në dyqane dhe restorante”, tregon ambasadori mbi raportin me shqiptarët.

Sipas këndvështrimit të ish-ambasadorit, shqiptarët janë njerëz të veçantë, “jo vetëm elitat por edhe njerëzit e thjeshtë”. Ndryshe nga më parë, kur Withers ishte në pozicionin e ambasadorit, ai sot premtoi se do t’i thotë gjërat troç, “më parë flisja në gjuhë diplomatike”. Tani jam qytetar i thjeshtë, vijoi Withers, - nuk flas në emër të qeverisë amerikane dhe DASH”. Në vijim të intervistës, ish ambasadori thotë se detyra e tij ishte njëkohësisht nder dhe privilegj. “U kam shërbyer dy presidentëve, Bushit dhe Obamës. Një ambasador vihet para besimit të prezantojë politikat amerikane dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Withers. Konkretisht për Shqipërinë, ish ambasadori tha se “nëse arrini të kuptoheni nga shqiptarët shpërbleheni me ngrohtësi që rrallë e gjen në vend tjetër”.

A DO TREGOJE DOT NISHANI SE ESHTE I PAVARUR NGA BERISHA?
“Ajo që unë kisha frikë për institucionet e pavarura, ndodhi. Presioni mbi to ishte i dukshëm, përfshi këtu dhe zgjedhjen e Presidentit”, rrëfen Withers. Ai shprehet se e preferon presidentin, pasi sipas tij është burrë kurajoz “situatën me shëndetin ai e kaloi me intuitë dhe trimëri”.  Por, problemi nuk qëndron me individin. Sipas Withers është roli “Nishani” ai që vlen të diskutohet. “Ai është njeri besnik i PD-së. A do dëshmojë dot Nishani të tregojë se është i pavarur në ato raste kur do t’i duhet të ngrihet mbi Kryeministrin?”, ngriti pyetjen ish ambasadori.  “Jam shumë skeptik se ai do ta bëjë një gjë të tillë, kjo sepse shumë politikanë shqiptarë kur Kryeministri flet ata e ndjekin nga pas. Nëse ju nuk keni pikëpamjet personale dhe vullnetin për t’i mbrojtur këto pikëpamje, thjeshtësisht ktheheni në atë që ne e quajmë “YES Man”, njeriu lepe-peqe për gjithçka”, vijoi Withers. Sipas tij, ish presidenti Topi, kërkonte drejtues të mirë në krye të gjykatave, por vijon ai, lind pyetja “cilët do të jenë njerëzit që do të zgjedhë Nishani dhe do mundet ai të shkëputet nga tekat e Partisë Demokratike?”

S'KA PIKEPYETJE PER IMUNITETIN, POR PËR
BERISHEN: PSE S'E KE LUFTUAR KORRUPSIONIN?

Imunitet duhet të hiqen dhe nuk ka pikëpyetje për këtë. Kështu u shpreh ish ambasadori për imunitetin e zyrtarëve, kauzë kjo e cila vijon të hasë diskutime të mëdha politike mes maxhorancës dhe opozitës. “Ju patjetër duhet të keni gjykata që duhet të flasin në emër të ligjit dhe jo të politikës duke plotësuar dëshirat e forcave politike”, theksoi Withers. Pyetja e ish ambasadorit për Kryeministrin Berisha është: Për 7 vjet ju jeni Kryeministër, pse s’kemi pasur luftë madhore kundër korrupsionit? Për një moment kjo s’ka ndodhur se njerëzit janë me imunitet, pse nuk u morët me ata që s’kishin imunitet, pse nuk merreni dhe me njerëzit brenda partisë suaj të akuzuar për korrupsion, por vetëm me deputetet e PS-së?".  Në lidhje me pyetjen se a i mungon Kryeministri Berisha, Withers tha se “ai është njeri i jashtëzakonshëm, por problem janë platformat që ai adapton. Unë mbështes koalicionet për demokraci, lëvizjet sociale në të mirë të popullit shqiptar”.

A MUND T'I ZGJIDHIN POLITIKANET HALLET E SHQIPTAREVE?

Ndërkaq, në rrëfimin e tij “troç” ish ambasadori vijoi të fliste edhe për zgjedhjet, ku sipas tij duhet të jenë të lira e të ndershme, jo manipuluese, jo ndërrim rregullash loje. Por megjithatë, sipas Withers pikëpyetja ngrihet mbi faktin se a do munden politikanët të zgjidhin hallet e shqiptarëve?
“Qeveria shqiptare merr shumë para nga taksat, nëse do isha shqiptar do pyesja çfarë po ndodh me këto para, a po përdoren për ndryshimin e jetës sime? A po ndryshon sistemi shëndetësor, arsimor, rendi? Nuk janë paratë e qeverisë por të popullit”, tha Withers.

A I FITOI ME TE VERTETE ZGJEDHJET LULZIM BASHA?
Një tjetër pikëpyetje që ngre ish ambasadori Withers, është edhe ajo e zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës. “A i fitoi Lulzim Basha me të vërtetë zgjedhjet e Bashkisë? E çuditshme dhe e pajustifikueshme. Shqiptarët duhet të jetojnë në vende me sistem gjyqësor me vendime të drejta e me polici që duhet t’i mbrojë dhe jo t’i dhunojë. Jo përqendrim pasurie në pak duar. Pse qytetarët të përfshihen nga përmbytjet? A po përballon kryebashkiaku i ri këto problematika apo merren me politikë? Të flasë me qytetarët në mes të rrugës të cilëve u detyrohet”, theksoi Withers.

PERGJIMET? NESE JANE TE VERTETA, CESHTJE SERIOZE
I pyetur në lidhje me përgjimet që opozita pretendon se janë bërë ndaj saj dhe diplomatëve, Withers tha se nuk mund të vlerësojë nga një distancë e largët. “Kurrë nuk kam pasur ndjesi se kam qenë i përgjuar”, shprehet ai, ndërsa vijoi, se edhe nëse dikush ka tentuar të spiunojë, është zhgënjyer sepse s’ka pasur asnjë skandal. Nëse pretendimet janë të vërteta kjo është çështje shumë serioze, diçka duhet bërë për këtë”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)