Woodhouse dhe e vërteta e rolit
të britanikëve në genocidin çam

Woodhouse dhe e vërteta e rolit <br />të britanikëve në genocidin çam
Debatet e kohëve të fundit për rolin e misioneve ushtarake britanike në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore sjellin në vëmendje nevojën e vlerësimit objektiv të veprimtarisë së tyre. Nga largesia mëse 70 vjeçare kjo punë ndihmohet jo vetëm me hapjen e pashembullt të arkivave, por edhe për faktin tejet pozitiv që sot Britania e Madhe dhe Shqipëria janë vende mike dhe aleate të ngushta në NATO.
Dihet se pjestarët e misioneve ushtarake britanike në Shqipëri luajtën rol të rëndësishëm në mobilizimin dhe asistencën ndaj luftëtarëve shqiptarë të angazhuar kundër pushtueseve nazi-fashistë. Në këtë drejtim nuk mund të mohohet ndihma e rëndësishme materiale dhe monetare që iu përcoll atyre.
Nga ana tjetër, misionet ushtarake britanike u gjendën edhe në pozitë të vështirë në Shqipëri për arësyet e mëposhtme, disa prej të cilave janë shtjelluar në librin e gazetarit shqiptaro-amerikan Peter Lucas [OSS në Shqipërinë e LII Botërore, Tiranë, 2010].
-rreth viteve 1943-1944 roli i dyshimtë i qeverisë së Çërçillit për kënaqjen e orekseve shoviniste greke në jug ngjalli dyshim dhe shqetësim në mbarë opinionin publik shqiptar, pavarësisht nga anësia ideologjike. Kjo e dëmtoi së tepërmi rolin dhe prestigjin e ushtarakëve britanikë të atashuar pranë luftëtarëve shqiptarë;
- me ardhjen në malet e Shqipërisë të Misionit Ushtarak Amerikan jo rrallë u vërejtën fërkime midis dy misioneve, që lidheshin kryesisht me prirjet dominuese britanike ndaj kolegëve të tyre amerikanë, por edhe me përdorimin e asistencës kryesisht amerikane në ndihma financiare dhe ushtarake pa u dhënë kredia e duhur - për avancimin e agjendës britanike në Shqipëri;
-për më tepër, krerët e rezistenca shqiptare filluan të vërenin edhe njëfarë sjelljeje nënçmuese të britanikëve ndaj vendasve në Shqipëri, çka cënoi së tepërmi frymën e besimit midis dy forcave aleate;
-së fundi, aksionet ushtarake angleze në Shqipëri, qoftë nëpërmjet ajrit dhe qoftë të nxitura në terren, jo gjithmonë morën parasysh apo shmangën efektete kolaterale ose mundësinë e raprezaljeve gjermane ndaj popullsisë civile.
Mirëpo edhe më problematik del sot roli i Misionit Ushtarak Britanik gjatë Luftës II Botërore në Epir ose Çamëri.
Misioni Britanik Ushtarak në Greqi u lëshua në vjeshtën e vitit 1942 për ndërmarrjen e akteve të sabotimit në prapavijat greke me qëllim dëmtimin e rrugëve të komunikimit dhe furnizimit të trupave gjermane në Afrikën Veriore. Aksioni më i rëndësishëm ishte pa dyshim shkatërrimi i urës në Gorgopotamo me 25 nëntor 1942.
Mirëpo mandej ky Mision, fillimisht i përkohshëm, u kthye në mision të përhershëm dhe qëndroi në malet e Greqisë Veriore deri në fund të Luftës.
Në krye të tij në fund të vitit 1943 u vendos koloneli Christopher Montague Woodhouse. Zëvendës i tij ishte Nicholas Hammond. Në mbarim të luftës që të dy këta u rrethuan nga një brerore gati mitike respekti dhe lavdie. Të shquar kahershëm për filo-helenizmin dhe anti-majtizmin e tyre të theksuar, që të dy u shquan më tej në qarqet akademike dhe politike britanike, madje duke arritur në nivelet në majat më të larta. Hammondi madje mbahet sot ndër autoritetet botërore për studimet e lashtësisë sa i takon Epirit dhe Maqedonisë.
Debati profesional asokohe u dominua nga librat me kujtime të tyre, dhe u ndikua jashtë mase nga ngjarjet e Luftës Civile Greke dhe nga Lufta e ftohtë. Filli i rrëfimit apo narrativës së induktuar historike ishte se Misioni Ushtarak Britanik kishte luajtur rol themelor në shpëtimin e Greqisë nga pushtimi gjerman dhe nga rreziku komunist dhe kjo ishte arritur nëpërmjet mbështetjes thelbësore të dhënë shefit të EDES-it, Napolon Zervës, në luftën e tij ndaj gjermanëve.
Mirëpo gradualisht, me kalimin e kohës, dhe me hapjen e arkivave, u shfaqën krisjet e para ndaj këtyre “të vërtetave”. U pa qartë se roli i Woodhouse-it dhe i Hammond-it kishte qenë shumë më kompleks se sa dihej dhe se miti i krijuar për rolin e tyre në malet e Greqisë ishte tejet larg realitetit.
Gërvishtja e parë që filloi t’i nxjerrë kallajin historive të Woodhouse-it dhe Hammond-it erdhi fill pas lufte, kur edhe pjestarë të Parlamentit britanik ngritën pyetje shqetësuese lidhur me rolin e vërtetë të Zervës në rezistencën anti-gjermane, çka implikonte indirekt edhe misionarët britanikë.
Këtyre zërave koloneli Woodhouse iu përgjigj me kundërargumente shpotitëse, duke hedhur poshtë çdo insinuate për lidhjet e Zervës me gjeneralin gjerman Hubert Lanz në Janinë [Shih librin e C. Woodhouse “Molla e Sherrit”, Londër, 1946].
Mirëpo paqësimi i Greqisë dhe fryma rishikuese e ngjarjeve të Luftës Civile, sidomos në vitet 1960-1970, si dhe dalja në skenë e historianëve objektive gjermanë, që kishin qasje të plotë në arkivat e Wermachtit, e pasuroi debatin me të dhëna të tjera që vërtetonin në mënyrë të padiskutueshme bashkëpunimin e Zervës me gjermanët nga shtatori 1943 e deri në gusht 1944, madje deri në evakuimin e Janinës në tetor 1944.
Debati shkencor – deri atëherë i kufizuar brenda literaturës gjermane dhe greke - u përcoll përfundimisht edhe në gjuhën angleze me një studim me vlerë të jashtëzakonshme të historianit gjerman Heinz Richter në një revistë shkencore në fillim të viteve 1990.
Historiani gjerman atje vërtetoi me fakte të pakundërshtueshme se Zerva dhe gjenerali Lanz kishin lidhur një marrëveshje xhentëlmenash për mos-sulmim ndaj njëri tjetrit dhe për shkëmbim informacioni. Kjo marrëveshje, sipas historianit gjerman – arrinte madje në kufinjtë e tradhëtisë ndaj kauzës aleate.
Të mos harrojmë se Zerva dhe EDES-i ishin krijim i britanikëve dhe mbaheshin prej tyre me armë, ushqime dhe parà.
Pra, tash vonë doli se Zerva nga një anë mbante një “armëpushim të heshtur” me gjermanët dhe nga ana tjetër vilte miliona stërlina ari ndihma nga anglezët. Dhe kjo ndodhte nën hundën e ushtarakëve britanikë.
I ndodhur para faktesh të pakundërshtueshme, Woodhouse gjeti një rrugëdalje aspak fatlume në përgjigjen e tij ndaj historianit gjerman: njëlloj si Hrushovi, që për mospajtimet me udhëheqjen komuniste shqiptare në Moskë në vitin 1961 ua hodhi fajin përkthyesve, edhe Monty Woodhouse bëri të njëjtën gjë: ai u përpoq të shpjegoië me vështirësi se Tom Barnes, ushtaraku neozelandez i atashuar direkt me shtabin e Zervës, nuk dinte greqisht; rrjedhimisht ai duhet të ishte keqkuptuar në komunikimet e veta me Zervën, etj.
Por cili ishte roli i Woodhouse-it në ngjarjet dhe masakrat në Çamëri? A ishin ai dhe kolegët e tij thjesht dëshmitarë asnjanës, që e pane veten krejt të pafuqishëm për të penguar valën e terrorit të Zervës?
Eshtë e vështirë të pranohet se ajo çka ndodhi ndaj popullsisë së pafajshme civile në Çamëri në periudhën qershor 1944 – mars 1945 nuk përbënte kurrfarë shkeljeje të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, dhe të asaj ndërkombëtare humanitare në veçanti.
Mirëpo pjesëtarët e Misionit Ushtarak Britanik në malet e Greqisë ishin të detyruar të zbatonin të gjitha konventat ndërkombëtare në fuqi në atë kohë që rregullonin trajtimin e popullsisë civile gjatë konfliktit të armatosur.
Duhet thënë se sot ka një prirje edhe në qarqet studimore britanike për ta çmitizuar rolin e Woodhouse-it në ngjarjet e asaj kohe. James Pettifer është njëri ndër studiuesit britanikë që ndjek këtë hulli. Ky madje përmend se në librat e tij Woodhouse nuk shquhet për ndonjë simpati për popullsinë çame, që ai e quante me përçmim “turko-shqiptare”.
Disponimi i Woodhouse-ndaj komunitetit çam përcillet gjerësisht në dy librat e tij me kujtime [“Molla e sherrit” dhe “Diçka e sprovuar” – Something Ventured], ku ai i akuzon në tërësi çamet për bashkëpunëtore të gjermanëve, ndërkohë që anashkalon lidhjet e vërtetuara të Zervës me pushtuesit.
Mirëpo në raportet sekrete dërguara qendrës në Londër Woodhouse është edhe më eksplicit
Vlerë të veçantë ka një dokument i datës 16 tetor 1945 me titull “Një shënim për Çamët” [A Note on the Chams] me të dhënat arkivale F.O. 371/48094/18138. Ai është zbuluar e shfrytëzuar thuajse njëkohësisht për herë të parë prej historianit amerikan Mark Mazower [After the War Was Over, Princeton University Press, 2000] dhe atij grek me prejardhje shqiptare Vasil Kondi [Basil Kondis) tek “Epirus, 4000 Years of Greek Civiliation, Botzaris, Athens 1997. Këtu Woodhouse jep si me thënë një justifikimi operacional për shpërnguljen e dhunshme të popullsisë çame nga shtëpitë tyre.
Më konkretisht Woodhouse-i raporton se: “…Zerva, i nxitur nga Misioni Aleat nën drejtimin tim, i ndoqi ata [Çamët] prej shtëpive të tyre në vitin 1944 për të lehtësuar operacionet kundër armikut…” [në origjinalin në anglisht: …Zervas encouraged by the Allied Mission under myself, chased them [Chams] out of their homes in 1944 in order to facilitate operations against the enemy…”.] Edhe historian shqiptar Beqir Meta e ka shfrytëzuar këtë dokument.
Ky pohim i pashembullt, i Woodhouse për shefat e tij në Londër, flet vetë. Këtu del fare pastër dhe qartë përgjegjësia të paktën e tërthortë e Woodhouse-it dhe e kolegëve të vet të Misionit Ushtarak Britanik në masakrat ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur çame.
Ka rëndësi të theksohet se data e “Shënimit” të Woodhouse-it, përkon me përpjekjet e para për ndërkombëtarizimin e çështjes çame nga ana e OKB-së dhe e qeverisë shqiptare, dhe me siguri duhet të ketë ndikuar në formësimin apo ngurtësimin e qeverisë britanike ndaj kësaj krize të pashembullt humanitare në rajonin ballkanik.
Në fund nuk mund të mos vërejmë evoluimin në qëndrim dhe intepretim që i bëjnë ngjarjeve studiuesit dhe historianët grekë. Pozita e Vasil Kondi-it, për shembull, nënkuptohet qartë: ai ia hedh britanikëve përgjegjësinë e asaj çka i ndodhi popullsisë çame pasi, sipas tij, Zerva thjesht po zbatonte urdhërat e Misionit Ushtarak Britanik.
Studiuesja greko-amerikane Elaine Thomopoulos shkon edhe më tej: Ajo pranon se “edhe pse Woodhouse besonte se ata bashkëpunonin me pushtuesin, burime të tjera përmendin se një grup çamësh u bashkuan me organizatën e rezistences ELAS”. Thomopoulos madje përmend me guxim akademik krimet e kryera nga Zerva, duke theksuar se “trupat e Zervës masakruan edhe …një numër të papërcaktuar civilësh të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë”. Në fund ajo thekson se çështja mbetet e hapur edhe në vitin 2011 “duke vazhduar t’i ndërlikojë marrëdhëniet shqiptaro-greke”. [Elaine Thomopoulos, History of Greece, Greenwood, ABC-CLIO, LLC, Santa Barbara, California f. 123,].
Thomopoulos nuk është e vetme. Ka edhe studiues të tjerë në Greqi që po marrin qëndrim kritik ndaj asaj çka ka ndodhur, si p.sh. Sevasti Trumbeta.Georgia Kretsi, etj.
Nuk besojmë se aksioni tragjik i nxitur dhe i miratuar nga Woodhouse në Çamëri u bë me miratimin e qeverisë angleze të asaj kohe. Woodhouse-i jo rrallë vepronte thjesht me kokën e vet dhe dilte jashtë kuadrit të porosive dhe urdhërave të mara nga qendra. Gjithsesi, roli i tij dhe i kolegëve të tij në shkeljet e pashembullta të së drejtës ndërkombëtare në Çamëri gjatë periudhës në fjalë duhet hulumtuar më tej.

Agron Alibali*

*Autori është studiues në Universitetin e Masaçusetsit. Ai po shkruan një liber për çështjen çame dhe aspekte të së drejtës humanitare ndërkombëtare të lidhura me të.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë