TIRANE- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi dje se ndryshimet e propozuara nga qeveria për ndryshimin e Kodit Penal janë të formuluara në mënyrë të gabuar. Pas një acarimi të situatës në komision, ku deputetët e të dyja palëve, PD-PS , u përfshinë në një debat kundër përfaqësuesve të qeverisë për shkak se ndryshimet e sjella nuk përputheshin ne ligjin. Në këtë pikë, Xhafaj kritikoi ashpër ekzekutivin. “Kam diçka edhe me ju të ekzekutivit. Jo çdo gjë që po ndodh aty jashtë të vijë menjëherë këtu e përkthyer në mënyrën në të keqe të mundshme”,- theksoi Xhafaj.

Por në të njëjtën linjë me kreun e komisionit ishte edhe relatorja e çështjes, Ermonela Felaj, e cila theksoi se qeveria duhet të tregohet më serioze në momentin kur propozon ndryshimin e ligjeve për shkak se po ia vështirëson më shumë punën prokurorëve dhe gjyqtarëve. Këto debate u ndezën në momentin kur po diskutohej ndryshimi i dënimeve për tregtimin e paligjshëm të kartave SIM. “Kjo nuk të çon në dënimin e kompanive që e pengojnë punën e prokurorëve që të marrin të dhënat. Sinqerisht duhet ta kuptoni se këtu po ndryshojmë kodin penal në mënyrë që gjyqtari dhe prokurori ta ketë më të lehtë punën dhe jo ta vështirësojmë edhe më shumë duke e koklavitur ligjin”,- tha Ermonela Felaj, deputete e PS-së

Mbledhja u shoqërua gjithashtu edhe nga akuza dhe fyerje ndërmjet deputetëve të opozitës dhe të mazhorancës. Konkretisht deputetja Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj, po kundërshtonin një propozim të qeverisë, propozim i cili kishte gjetur mbështetjen e pjesës tjetër të deputetëve të mazhorancës. Në këtë pikë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, theksoi se mazhoranca gjendet në një pozicion të vështirë. Por kjo deklaratë e tij gjeti edhe reagimin e deputetes Hysi e cila tha: “Nard Ndoka nuk jemi të gjithë injorant si puna jote”.

Shkrimi u publikua sot, 7 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)