Deklarata e ministrit vjen në ditën që i mbaron mandati Kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërsa ende nuk dihet se si do të zgjidhet ngërçi për pasuesin e tij, pasi procesi është bllokuar për shkak se nuk është ngritur KLP. Shumica është kundër zgjatjes së mandatit të Llallës, po ashtu edhe SHBA dhe BE, por opozita e kundërshton emërimin e një Kryeprokurori të emëruar nga qeveria.
“Vetë operacioni ‘Forca e Ligjit’ ka si synim krijimin e një data baze të dhënash dhe skanimin e të gjithë grupeve kriminale, asetet, lidhjet brenda dhe jashtë vendit. Procesi është në përfundim, kemi një tablo të qartë për veprimtarinë dhe territorin, por edhe rrezikshmërinë.
Kemi disa shifra, por nuk jam këtu për të thënë gjëra që nuk më takojnë. Nuk jam shefi i operacioneve apo drejtoi i policisë. Dokumentimi ligjor është një tjetër proces për të çuar para përgjegjësisë grupet penale. Me ndryshimet që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme se deri sot” deklaroi ministri.
Përsa i përket kërkimit të tre ish-drejtuesve të lartë të policisë së shtetit që janë të akuzuar për përfshirje në dosjen ‘Habilajt’, ministri tha se “Unë nuk merrem unë me cështjet e kërkimit, kjo është detyrë e policisë dhe besoj që është duke e bërë” deklaroi ai. I pyetur për bashkëpunimin me ndërkombëtarët për këtë rast ai tha se” T’u japim ndërkombëtarëve atë që u takon, por mos u japin përgjegjësi që nuk u takojnë” përfundoi ai. Në fund të prononcimit nuk munguan batuat e Xhafajt me gazetarët, pasi iu drejtua “Jeni bërë më të mirë nga ç'keni qenë".
Prononcimi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas konferencës
Pyetje: Cilat janë rezultatet e “Forcës së Ligjit”?
Ministri Xhafaj: Nuk besoj se duhet të them ndonjë gjë më shumë sesa ajo çfarë thashë aty. Por e ritheksoj atë që thashë aty që: Vetë operacioni “Forca e Ligjit”, pjesë e planit të veprimit që ka miratuar Qeveria Shqiptare, ka si komponente të tij të rëndësishme krijimin e një data baze të plotë të dhënash dhe mbi të gjitha skanimin e të gjitha grupeve kriminale, lidhjet e tyre brenda dhe jashtë vendit, aseteve që zotërojnë etj. Ky është një proces i rëndësishëm. Një proces i cili pothuajse është në përfundim. Ne tashmë kemi një tablo më të qartë se ku shtrihet ky aktivitet kriminal, cila është veprimtaria që ushtrojnë këto grupe nga pikëpamja e territorit dhe ndërlidhjes me to dhe rrezikshmëria që kanë. Natyrisht i takon pastaj Task Forcës Speciale që të bëjë një ndarje në nivelin e asaj çfarë do të ndjekë dhe drejtpërsëdrejti Task Forca Speciale dhe çfarë do të ndjekin Task Forcat Rajonale.
Pyetje: Kemi një shifër për të gjithë vendin?
Ministri Xhafaj: Po si thua? Kur bëhet një skanim nuk është se ka një shifër, por ka disa shifra. Unë nuk jam këtu për të thënë gjëra që nuk më takojnë mua. Jua kam thënë dhe një herë tjetër, unë jam ministër që i di detyrat e mia, sipas kushtetutës dhe ligjit. Unë nuk jam shefi i operacioneve, nuk jam drejtori i policisë. Jam Ministër i Brendshëm dhe bëj detyrat dhe flasë për atë që i takon Ministrit të Brendshëm. Atë që u takon oficerëve të policisë, duhet të pyesni oficerët e policisë.
Pyetje: Po dokumentimi ligjor z. Ministër i këtyre grupeve kriminale?
Ministri Xhafaj: Pyetja është shumë e drejtë, por nëse ju do të më thoshit mua që një shkrim e bëni ose një intervistë e bëni sapo mbyllni kamerën, unë nuk e besoj. Ju duhet edhe një proces tjetër. Dhe ky është një proces, jo më pastaj identifikimi, zbulimi, gjurmimi dhe krijimi i provave të nevojshme për t’i çuar përpara përgjegjësisë penale. Dhe ky do të jetë një proces në të cilin policia ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta, prokuroria gjithashtu ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Natyrisht me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme seç kemi sot.
Pyetje: Deri ku kanë arritur kërkimet tuaja përsa u përket tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për çështjen “Habilaj”?
Ministri Xhafaj: Unë jua shpjegova që nuk merrem unë me çështje të kërkimit, të cilitdo që kërkohet nga Policia e Shtetit. Policia e Shtetit ka detyrën për të bërë këtë gjë dhe unë besoj që është duke e bërë.
Pyetje: A ka një bashkëpunim me ndërkombëtarët sepse thuhet se kanë dalë jashtë shtetit?
Ministri Xhafaj: T’u japim ndërkombëtarëve atë që i takon ndërkombëtarëve, mos t’ju japim edhe përgjegjësi që nuk i takojnë atyre.
dy.b/shqiptarja.com

VIDEO









