Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj thotë se pas gati një dekade, mund të thuhet me bindje se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate, por shtoi se ka ende rrugë të gjatë përpara.

“Pas gati një dekade nga miratimi i paketës kushtetuese, një gjë mund të themi me siguri se kemi bërë gjënë e duhur, jeni në rrugën e duhur por ka edhe shumë punë për të konsoliduar reformën dhe që rezultatet e saj të jenë sa më të prekshme dhe të besueshme për qytetarët. Reforma në drejtësi ishte rezultat i një pune të gjatë dhe shumë impenjative. Zbatimi i saj ka kaluar në një rrugë të gjatë me debate, rezistence, keqkuptimesh dhe presionesh të gjithanshme, e natyrshme për përmasat e një reforme të tillë. Reforma në drejtësi është trasnformimi më i thellë institucional në Shqipëri dhe kushti kyç për përparimin evropian.”, tha Xhafaj. 

Më pas, ai renditi një sërë risish që solli reforma, duke nisur nga ndarja e pushteteve. Pavarësinë e gjyqësorit, Xhafaj e cilësoi si arritjen e parë dhe më të madhe. Një tjetër risi tha ai është se me zbatimin e këtij projekti, sistemi i drejtësisë po funksionon mbi parimin e vetëqeverisjes dhe vetërregullimit. Së treti, Xhafaj tha se institucionet e reja të drejtësisë dhe mekanizmat e tjerë që u krijuan i dhanë sistemit mundësinë e vetëpastrimit dhe forcën goditëse për të luftuar korrupsionin  dhe krimin në nivele të larta. 

Përmendi gjithashtu një sërë sfidash që sipas tij duhen adresuar sa më parë. Sipas Xhafajt, një ndër problematikat më të mëdha është ndryshimi i mentalitetit të atyre që shërbejnë në sistemin e drejtësisë. Po ashtu kërkoi më shumë bashkëpunim ndërinstitucional brenda sistemit. Sipas Xhafajt, edhe debati ndërmjet pushteteve nuk duhet keqinterpretuar për sa kohë ai zhvillohet brenda normave. 

“Ka sërë problemesh që janë identifikuar nga institucionet e drejtësisë dhe ca më tepër edhe vetë qytetarët në përballjen me shërbimin e ofruar. Ndër to janë realisht sfida. Është serioze dhe ndikim të ndjeshëm te qytetarët, biznesi dhe ekonomia, kohëzgjatja e afatit të çështjeve në hetim e gjykim, një dukuri jo e re për ne. Vakancat në sistem janë shkak i fortë për këtë situatë.  Por në gjykimin tim nuk është i vetmi shkak. Integriteti, kontrolli i brendshëm dhe inspektoriatit, eficenca dhe profesionalizmi në hetim e gjykim, dixhitalizimi i sistemeve, respekti i palëve në proces apo garantimi i aksesit në drejtësi te qytetarët dhe sidomos garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre, mbeten ende ndër problematikat kryesore që duhen trajtuar me prioritet. Kalimi i vettingut dhe pavarësia e garantuar me kushtetutë nuk mund të jetë mburojë justifikimi përballë detyrimit kushtetues për përgjegjshmërinë në zbatimin e kushtetutës dhe ligjit, për më shumë llogaridhënie dhe transparencë të institucioneve që qeverisin dhe menaxhojnë sistemin e drejtësisë. Sfidat që ndeshim aktualisht lidhen në një masë të konsiderueshme edhe me bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të vetë sistemit, por me vizion dhe aftësinë menaxhuese të lidershipit të tyre, sidomos nga dy këshillat drejtuese, inspektoriatin dhe drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive të rretheve gjyqësore. Sfida për ndryshimin e mentalitetit të njerëzve që shërbejnë në sistem apo që do të hyjnë të rinj në të është kyç në këtë proces. Reforma synon të zgjidhë shumë aspekte të ndërtimit, dhe funksionimit të sistemit, dhe me efekte pozitive por mënyra e të menduarit, qasja dhe kultura e shërbimit në këto institucione janë sfida më e vështirë e këtij procesi që me sa duket do të kërkojë kohën e vet të reflektimit, reagimit dhe ndryshimit pozitiv. Është jetike për reformën të reagojë në kohë mbi këto dukuri. Çdo debat rreth tyre dhe çdo kritikë që adresohet për përmirësimin e gjërave është veç pozitive. Sistemi sot ka nevojë si bima për ujin për debatin e brendshëm konstruktiv, për mendimin doktrinar, kritikën dhe oponencën profesionale. Edhe debatet ndërmjet pushteteve nuk duhen konsideruar me rrezik, kur zhvillohen brenda normave të debatit të shëndetshëm, frymës kushtetuese dhe në funksion të interesit publik. Prirja për të qëndruar larg ndërmjet bashkëveprimit dhe ndërveprimit institucional, ndërmjety pushteteve dhe institucioneve të tyre, është qasje e gabuar. Përvoja e këtyre viteve në zbatimin e reformës dikton nevojën për të ndryshuar edhe procesin e koordinimit, monitorimin dhe mbikëqyrjen parlamentare. Kuvendi ka rol parësor për reflektim dhe veprim. Është momenti për reflektim përmes një analize se çfarë është bërë dhe po bëhet, por edhe çfarë duhet bërë në vijim. ", tha ai.


Lajmi kryesor:

Drejtësia/ Suchocka: Shqipëria, hap madhor në pavarësinë e gjyqësorit! Sadushi: Reforma është ngadalësuar, s'ka më vullnet si në fillim