I zhgënjyer nga të gjithë.Madje dhe nga ata që i premtuar se do u jepnin Drejtësi, për vrasjen e nipit. Tashmë, thuajse i dorëzuar pasi prej 5 vitesh endet në zyrat e prokurorisë, policisë e kryeministrisë për të gjetur autorët e vrasjes së Aleks Nikaj, por vetëm brenga i ka mbetur, brenda që e gërryen.
 
Brenga që nuk arrin të marrë drejtësi, për një krim të ndodhur në mes të bulevardit më të madh të kombit, një krim që ndodhi mes kamerave dhe mes shumë personave, por që nuk ka asnjë dëshmitar dhe asnjë provë.

Mark Nikaj, vijon të besojë se një ditë drejtësia për vrasjen e nipit të tij do të vihet në vend, por nga ana tjetër shprehet se vrasja ishte politike dhe se vështirë të zbulohen autorët.

Madje Marku shton se edhe nëse do zbulohet emrat vështirë është të arrestohen dhe të dërgohet para drejtësisë.Në një intervistë telefonike për “Shqiptarja.com” Mark Nikaj shprehet se do jetë nesër në bulevard për të bërë homazhe për nipin e tij.

Homazhet për të tashmë janë bërë në ritual të përvitshëm, ku nga qeveria u jepet vetëm shpresë por realisht në çdo vit nuk bëhet asgjë.


Z.Nikajt, u mbushën 5 vjet nga ngjarja e 21 janarit. Nisi si një demostratë dhe përfundoi në masakër. Si ndihet sot xhaxhai i Aleks Nikajt dhe familja e tij?
Po, vërtet u mbushën 5 vite dhe ne si të dëmtuar nuk kemi bërë asnjë hap përpara. Jetojmë çdo ditë me brengën se do marrim drejtësi një ditë, por gjërat janë shumë të komplikuara. Krimi është politik dhe se askush nuk i intereson të zbardhet vrasja e Aleks Nikajt. Pas 5 vitesh ne sot ndihemi të dërmuar, pasi kemi gjithë këto vite që kërkojmë drejtësi në dyert e prokurorisë, policisë dhe kryeministri dhe nuk dimë ende se kush e vrau nipin. S’kemi një emër personi konkret,për të mos folur më tej për të marrë drejtësi.


Do jeni në 21 janar të pranishëm në bulevard, ju kanë ftuar nga kryeministria?
Sigurisht që do jemi, jo vetëm ne si anëtarë të familjes së Aleksit por të edhe familjet e tjera të dëmtuara. Tashmë për ne 21 janari, është kthyer një ritual i përvitshëm, ku edhe nëse kryeministria nuk na thëret ne do bëjmë homazhet tona në vendet, ku u vranë të afërmit.Deri tani (19 janar) nga kryeministria nuk na ka ardhur një ftesë, por besoj se do kujtohen. Takimet në kryeministri janë vetëm shpresëdhënëse dhe asnjë gjë më tepër. Ne kërkojmë vetëm drejtësi.


Gjatë kësaj kohe keni pasur takime me kryeministrin Edi Rama, çfarë keni biseduar?
Takime kemi bërë, por siç ju thashë janë takime shpresëdhënëse.Vetëm na premtojnë se do punojnë për të bërë të pamundërën për të zbardhur krimin, por deri tani asgjë.Takime kam kryer dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, nga i cili kemi marrë premtime, por krimi është politik dhe të vërtetën e dinë vetëm politikanët brenda dhe jashtë qeverisë.


Sipas jush kush di të vërtetën e vrasjes së nipit tuaj?
Të vërtetën e di vetëm ish-kryeministri Sali Berisha, Lulzim Basha që janë jashtë qeverisë dhe Ilir Meta që është brenda qeverisë.Nëse shtrëngohen këta të tre del e vërteta se kush urdhëroi për vrasjet në 21 janar dhe emrat e pesronave që qëlluan mbi njerëzit në 21 janar.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)