Po kështu, dyshohet se objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por telefonata e berberit që i la takim për t’u qethur, e nxori nga rrethi i rrezikut. Është hera e dytë që Shkurti i shpëton sulmit me armë, pasi hera e parë ndodhi në shtator në vitit të shkuar. Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Sajmo Xhelili ka dhënë detaje të tjera për ngjarjen, duke bërë që të ndryshohet edhe dinamika e saj.Ai rrëfeu se në momentin e atentatit ata nuk ishin ulur në lokal,ndryshe nga sa u tha fillimisht. “Ne nuk ishim ulur në kafe.
Po rrinim te një pemë në anë të rrugës. Xhulio sapo kishte ikur. Ne po bisedonim në këmbë kur një makinë ndaloi pak metra më larg (rreth 20 metra) dhe që atje doli një person me maskë të zezë në kokë, në duar mbante një armë automatike. Kur u afrua nja 6 a 7 metra, unë u largova me vrap pas ndërtesave. Të tjerët nuk mundën.
Autori hapi zjarr dy herë me breshëri kallashnikovi, pastaj u fut në makinë dhe u larguan”-ka rrëfyer Sajmo Xhelili para grupit hetimor. Sakaq, policia vijon hetimet për ngjarjen, dhe me sekuestrimin e kamerave të disa bizneseve do të bëhet edhe verifikimi i mëtejshëm. Dëshmitarët thonë se ata që kanë qëlluar me armë kanë qenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, ndërsa një person tjetër i tretë drejtonte mjetin, që më pas u gjet i djegur në aksin Lushnjë-Berat,e cila është dyshuar se drejtohej nga Julian Sula, por ky i fundit është shoqëruar dhe ska pranuar autorësinë në polici.
I mbaruan plumbat “Nuk e ke të gjatë ti”
Xhulio Shkurti,nipi i ish-kapo bandës së Lushnjës, Aldo Bare (Alfred Shkurti) ka rrëfyer përpara grupit hetimor përplasjen e tij me Laert Hoxhës dhe Orgest Bilbilin. Shkurti ka thënë se i ka shpëtuar dy herë atentateve të organizuara nga dy personat në kërkim. Tre ditë më parë ishte atentati i dytë që i bëhej Xhulio Shkurtit, ku nga plumbat e armëve kallashnikovë të Laert Hoxhës dhe Orgest Bilbilit, humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zaimir Latifi. Shkurti sapo ishte larguar nga vendi ku ndodhi ngjarja, pasi kishte qenë në shoqërinë e dy shokëve të tij. Atentati i parë ndaj Xhulio Shkurtit daton në shtator 2016.
Në drejtim të tij dhe Sajmo Xhelilit (shok me Xhulio Shkurtin) u qëllua me armë zjarri pistoletë nga Laert Haxhiu. Dy shënjestrat morën plagë në këmbë, por fatmirësisht pa rrezik për jetën. Pasi ka qëlluar disa herë në drejtim të Xhulio Shkurtit, Laert Haxhiu i është afruar me pistoletë në dorë, të cilën e kishte të zbrazur nga plumbat, dhe i ka thënë Shkurtit se nuk do ta kishte të gjatë. “Mu afrua dhe më tha nuk e ke të gjatë ti dhe më pas iku”-ka thënë Xhulio Shkurti përpara policisë. Goditjen fatale ndaj Xhulioi Shkurtit, Laert Haxhiu e kishte planifikuar tre ditë më parë, në orët e pasdites, në qendër të qytetit të Lushnjës. Plumbat e armëve kallashnikov kapën Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin, të cilët u ekzekutuan barbarisht, ndërsa objektivi i atentatit, Xhulio Shkurti ishte larguar pak sekonda përpara se të ndodhte ngjarja, duke shkuar tek berberi për tu qethur.
Haxhiu e Bilbili të dy të dënuar
Dhe pse të dënuar nga drejtësia shqiptare përkatësisht me 21 vite e 8 muaj burg Laurent Haxhiu dhe 7 vite e 4 muaj Orgest Bilbili, kjo si ka penguar ata aspak të lëvizin të lirë në qytetin e Lushnjës për të realizuar atentatin e tre netëve më parë ku mbetën të vdekur Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laurent Haxhiu ishte dënuar me 21 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Lushnjës dhënë në korrik të 2017, e ky dënim sipas drejtësisë është për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares të ndodhur në shtator të 2016.
Por dosja e Orgest Bilbilit ngre ende dyshime sesi ai ka mundur të jetë në liri dhe pse prej tre vitesh është në kërkim për trafik droge drejt italisë me avionin e pilotit italian Giorgo Rifformato. Bilbili është dënuar në 2016 me 7 vite burg por ai sështë arrestuar asnjëherë dhe pse dënimi ndaj tij ka marrë formë të prerë. Jo vetëm që s'është arrestuar por Bilbili ka gjetur mundësinë t'i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs duke kërkuar pafajësi por kjo kërkesë e tij depozituar në 2016 ende nuk është shqyrtuar ende.
Dhe pse prej 94 orë në Lushnjë, Fier e Berat forcat RENEA dhe ato operacionale janë duke kryer një operacion masiv dy të dyshuarit kryesorë Haxhiu e Bilbili nuk janë gjetur. Dyshimet e hetuesve është se të rinjtë pas atentatit dhe djegies së makinës në aksin Lushnjë-Berat janë ndihmuar nga një tjetër grup kriminal për t'u dërguar jashtë vëndit. Një kërkesë ugjente i është dërguar “Interpol” për Haxhiun dhe Bilbilin pasi dyshohet se ata janë larguar jashtë duke kaluar kufirin ilegalisht dhe mendohet se fshihen në Greqi.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com








