TIRANE- Eksperti i Ekonomisë si edhe ish-deputet i Partisë Demokratike, Selami Xhepa thekson se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të japi dorëheqjen nga posti i tij për shkak të grabitjes që iu bë institucionit pak ditë më parë. Në një prononcim për gazetën “Shqiptarja.com” ish-deputeti demokrat thekson se e gjithë kupola drejtuese e BSH është përgjegjëse për ngjarjen e ndodhur dhe për këtë edhe ata duhet të ndërmarrin të njëjtën iniciativë për të dhënë dorëheqjen si një akt moral për shkak të funksionit të larë që kanë në Bankës e Shqipërisë.

Lidhur me situatën dhe pasojë që la vjedhja e parave që duhet të ishin eliminuar, Xhepa thekson se Banka e Shqipërisë është në një situatë të vështirë e cila ia ka vështirësuar edhe më shumë pozitat e saj përballë sektorit financiar. “Është një ngjarje shumë e rëndë që vështirëson pozitat e Bankës së Shqipërisë. E gjithë struktura drejtuese e Bankës së Shqipërisë ka përgjegjësinë për atë çfarë ka ndodhur duke përfshirë këtu edhe titullarin e institucionit që është edhe Guvernatori i BSH-së Ardian Fullani.

Do të ishte mëse normale që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të jepte dorëheqjen që të marrë përgjegjësinë për situatën e ndodhur duke qenë se ai është edhe titullari më i lartë i institucionit. Një shpërdorim i vlerave monetare ka ndodhur në një institucion kaq serioz sigurisht që ngrenë dyshime serioze në mënyrën se si administrohen kompetente e tjera që janë nën administrimin e bankës”,- theksoi Xhepa.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)