Siç e shihni eksponenti rajonal i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, i cili dy muaj më parë, në fundtetor, kishte braktisur partizanët dhe qe bashkuar me ballistët dhe trupat gjermane që pushtuan qytetin e Beratit, nuk e mban mend që kongresi i nacionalistëve nuk u mbajt në dhjetor 1943, por në fillim të janarit 1944.
Kjo është një pasaktësi fare e vogël dhe që nuk ndikon në thelbin e gjërave, por gjithsesi Xhelal Staraveckës nuk i duhet besuar çdo fjalë që e thotë dhe e shkruan, madje jo rrallë është edhe manipulues i fakteve.
Në librin e tij të kujtimeve ai thotë se ndërsa ato kohë kishte në plan të krijonte një parti të vetën, ose siç shkruan “një fuqi të tretë që t’i vihej përballë fuqisë komuniste”, “kur u ndodha në Kongresin e Ballit në Berat nuk hezitova të deklaroja me zë të lartë se unë nuk kisha aspak të bëja me Ballin. Xhevat Kallajxhiu që ndodhet në Amerikë e që redaktoi procesverbalin e atij kongresi, po të jetë gjallë kur të dalë ky libër, patjetër ka për të dëshmuar sa po them unë këtu”.
Mirëpo Xhevat Kallajxhi nuk ka shkruar ndonjëherë se në Berat ka qenë rishikues i procesverbalit, i cili patjetër gjatë punimeve është mbajtur prej një tjetri. Fakti që Kallajxhi e ka riplotësuar, dëshmon se ideja për të nderur në perde mbi çdo material të shkruar në kongresin e Beratit nuk ka qenë vendim i atyre çasteve, por relativisht më i vonshëm, i shtrënguar nga rrethana të caktuara.
I paramenduar, gjithnjë sipas Xhelal Staraveckës, për ta bërë sa më shumë dokument të qëndrueshëm procesverbalin e punimeve të të gjithë kongresit, operacion politik shumë kyç sepse atje do të ndodhej tërë çfarë qe thënë e ishte vendosur, jemi të detyruar të bëjmë një vizatim të shkurtër të personit të Xhevat Kallajxhiut. I lindur në 1903 në Gjirokastër, para lufte në vendlindjen e tij pati punuar pranë gazetës lokale “Demokratia” (me jetë aktive në periudhën 1925-1939, ku është botuar edhe një shkrim patriotik i Enver Hoxhës të porsakthyer nga studimet e papërfunduara në Francë. Pas lufte Kallajxhi emigroi në SHBA dhe këtu punoi si gazetar pranë radios “Zëri i Amerikës”. Po ashtu ka qenë më vonë, mesi i viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, për një dekadë, edhe botues përgjegjës i gazetës “Dielli”, organ mediatik i shoqatës “Vatra”.
Ky gazetar profesionist, i cili botoi edhe libra, me një jetë të vazhdueshme të shkruari, jo vetëm mund ta pohonte se ishte një njohës mjaft i mirë i procesverbalit të kongresit ballist të Beratit, por i tërë punimeve të tij, ku edhe qe deleguar.
Ndërkohë Xhelal Staravecka ngul këmbë jo vetëm në faktin se në ngjarje ishte me statusin i të ftuarit (pra, jo të delegatit), por edhe se di shumë: “Me qenë se jam mbi bisedën e Kongresit të Beratit, nuk do të rri pa shënuar këtu se në përfundim të atij kongresi, pas votimit, si kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri, natyrisht për t’i dhënë pak kredi kombëtare Ali Klisurës që u zgjodh nënkryetar, dhe komandant i përgjithshëm i Ballit u zgjodh Kadri Cakrani, eksponenti i gjermanofilo-bego-feudalizmës, dhe Abaz Ermenji nënkomandant i Ballit”.
Ku fle lepuri i censurimit të dokumentacionit të kongresit të Ballit Kombëtar?
Sipas Profesor Kristo Frashërit, i cili i referohet tërë dëshmive kryesore të pjesëmarrësve në kongres, të cilët e kanë lënë atë të shkruar, mbledhja e rëndësishme e nacionalistëve “trajtoi tri çështje kryesore: a) Vijën politike që duhej të zbatonte në të ardhmen organizata Balli Kombëtar; b) Krijimin nga Balli Kombëtar të një fronti të përbashkët me faktorë të ndryshëm antikomunistë në luftë për të parandaluar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri; c) Zgjedhjen e Komitetit Qendror të ri të Ballit Kombëtar”.
Ndërkaq në 15 mars 1945 eksponenti i BK nga Gjirokastra, Ismail Golemi, në Gjyqin Special deklaroi se “Unë në Kongresin e Beratit kam marrë pjesë si anëtar ushtarak i qarkorit. Bisedimi në këtë kongres ka qenë për të arritur në një marrëveshje me gjithë grupet e tjera, si me Frontin Nacional Çlirimtar ashtu edhe me Legalitetin e grupet e tjerë që ishin”.
Atëherë pyesim njëherë e mirë: diskutimet në kongres ishin për të bërë Balli një marrëveshje edhe me PKSH-në apo qe krejt e kundërta: një pakt me këdo, edhe me “djallin”, kundër Partisë Komuniste Shqiptare?
Ndoshta këtu fle edhe lepuri i censurimit masiv të dokumentacionit të kongresit të Ballit Kombëtar për çfarë në të vërtetë qe folur në Berat.
“Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare” bashkohet me Ballin
Në kongresin e Ballit Kombëtar në Berat, që në 3 janar 1944, pasdite, kur filloi punimet, qenë të pranishëm edhe disa komunistë. Më i rëndësishmi mes tyre ishte një emër shumë i dëgjuar dhe në ndeshje të gjatë dhe mospajtim me Partinë Komuniste Shqiptare: Sadik Premte.
Pesë vite më i ri në moshë se Enver Hoxha, i linduri në fshatin Gjorm të Vlorës, pasi pati përfunduar shkollën teknike të Harry Fulzit në Tiranë, qe lidhur ideologjikisht me pikëpamjet bolshevike. I bindur se kjo zgjedhje ishte në përputhje të pasionit të tij për t’u marrë jo aq fort me profesionin e gjeometrit, për të cilën qe shkolluar, por me atë të politikanit, u lidh menjëherë me Grupin Komunist të Korçës, cili në mes të viteve tridhjetë konsiderohej pothuaj si vetë Partia Komuniste e të gjithë vendit.
Por Sadik Premte nuk vonoi të hynte në mosmarrëveshje me pjesën drejtuese të kësaj bashkësie dhe të vijonte pa kthim prapa rrugën e tij të pavarur për t’u bërë një udhëheqës i rëndësishëm politik, prandaj edhe në vitin 1937, bashkë me kolegun e tij student në shkollën teknike amerikane, Anastas Lula, krijuan në Tiranë partinë e tyre: grupin komunist “Të rinjtë”.
Gjithsesi bashkë me njëmendësin e tij Lula, Sadik Premte, u shpreh dakord me propozimin për bashkimin e të gjitha formacioneve të mëparshme bolshevike dhe krijimin e një partie të përbashkët unike, madje që të dy qenë edhe delegatë në mbledhjen themeluese të PKSH-së.
Premte qe edhe njëri prej organizatorëve të demonstratës së 28 tetorit 1941, e cila u organizua qëllimisht nga bashkëthemeluesit e ardhshëm si aksioni i parë i asaj që do të krijohej në 8 nëntor, simbolikisht një ditë pas përvjetorit të revolucionit bolshevik rus.
I prirë të mos humbiste peshë politike dhe lartësi pozicionimi në partinë e përbashkët Sadik Premte u gjend nën dyshimin e pjesës së homogjenizuar të PKSH-së dhe shumë shpejt bashkë me Anastas Lulën u shpallën elementë fraksionistë. Duke qenë se partitë komuniste të tipit bolshevik nuk i lejojnë fraksionet dhe ato të profilit stalinist edhe i eliminojnë ndjekësit e tyre fizikisht, ata të dy, të akuzuar tashmë edhe si trockistë, u ndodhën nën goditje të plotë në konferencën e jashtëzakonshme të Partisë Komuniste Shqiptare të mbajtur në 28-29 qershor 1942. Po ashtu në konferencën e parë të kësaj partie, në mars 1943, që të dy u rigoditën, këtë herë shumë ashpër. Vetë Enver Hoxha e ka pohuar në një histori të shkurtër të PKSH-së të vitit 1947, se mori detyrë prej komitetit qendror të realizonte paralizimin e tyre, likuidimin çfarë donte të thoshte edhe zhdukjen fizike.
Menjëherë pas kësaj konference, sapo patën kaluar vetëm disa ditë, Anastas Lula, i vendosur me dënim të ishte në Skrapar pranë çetës partizane të Ramiz Aranitasit, u pushkatua, pasi e detyruan ta hapte vetë gropën.
Sadik Premte, i cili ndodhej i dënuar në Vlorë dhe qarkun e saj, e pati krijuar atje një fraksion të plotë. Falë shkathtësisë së tij të komunikimit, të mbushëmendjes, por edhe të inteligjencës, njohurive teorike që kishte për marksizëm-leninizmit, ia pati dalë ta kthente pothuaj tërë organizatën e PKSH-së për Vlorën në një miniparti të tij. Kishte shkuar edhe më tej: pati vënë ndikim dhe kontroll mbi krahun e armatosur të territorit, çetën partizane të krahinës së Mallakastrës.
Kështu në qershor 1943 rrugët e tij dhe të Partisë Komuniste Shqiptare u ndanë përfundimisht dhe Sadik Premtes do t’i duhej të ruhej prej vrasjes. Ndaj tij në të vërtetë u përgatitën disa atentate, por mundi të shpëtonte.
Gjithë vjeshtën e vitit 1943 e kaloi me organizimin e ëndrrës së tij të vjetër: krijimit të një partie që ta drejtonte vetë. Duke mobilizuar disa ndjekës të tij komunistë, tre prej të cilëve edhe nga qyteti i Beratit, Sadik Premte shpalli krijimin e asaj që herë pas here e nuk e quante Grupi Komunist i Vlorës apo me ndonjë nofkë tjetër, por “Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare”.
Një tjetër komunist hidhet me Ballin
I pranishëm në kongresin ballist të Beratit qe edhe me një tjetër të përjashtuar si element fraksionist nga PKSH, Qazim Çakërrin, Sadik Premte nguli këmbë që formacioni i tij politik të mos shkrihej brenda Ballit Kombëtar, siç edhe jo pak delegatë e dëshironin, madje edhe vetë Mit’hat Frashëri, por të qëndronte si strukturë e pavarur.
Këtë pikëpamje e mbrojti edhe eksponenti i majtë ballist Skënder Muço, madje ai i dha kësaj teze shumë autoritet në kongres.
Më në fund shumica e delegatëve ra dakord me autonominë e grupit komunist të Vlorës pranë frontit të ri anti PKSH, i cili do të kishte po atë emër siç e pati kur u krijua në fund të vitit 1942: Balli Kombëtar.
Ky grup autonom duhej të paraqitej dhe të luante politikisht si “Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare”.
Në kongres qenë të pranishëm nga Korça dhe prej krahinës së Kolonjës edhe disa nacionalistë të drejtuar nga Fazlli Frashëri dhe Qazim Prodani. Këta kërkuan të njiheshin si një fraksion i Ballit Kombëtar.
Pas pak debatesh e përfituan këtë status.
Doemos që bashkë me të gjitha këto përpjekje për ta zgjeruar dhe rinovuar BK kërkonte një zgjidhje pyetja thelbësore e kohës: si do të veprohej ndaj gjermanëve?
Këtë përgjigje e kërkonte opinioni publik, populli shqiptar dhe sidomos brezat e tij, tepër të dhënë pas idesë së luftës së armatosur për çlirim kombëtar. Prandaj edhe udhëheqja e Ballit Kombëtar u përpoq gjatë punimeve të kongresit të Beratit t’i shpëtonte sa më shumë ndonjë akuze se platformën e tyre të luftës kundër Partisë Komuniste Shqiptare po e përdornin si një justifikim për të bërë pajtim të detyruar me trupat pushtuese.
Fillon rrethimi i Enver Hoxhës
Berati me kongresin e parë të Ballit Kombëtar ishte shndërruar zyrtarisht në një kryeqendër shqiptare e antikomunizmit. Në librin e tij “Përpara gjyqit të historisë”, Xhelal Staravecka, që e kishte braktisur Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe pati filluar luftën me armë kundër saj, pohon se ndenji në Berat për dy-tri javë dhe gjatë tërë asaj kohe shkroi trakte kundër PKSH-së.
Kjo ishte fryma që kishte lënë pas kuvendi i mësipërm.
Në fakt, me sa dimë, Xhelal Staravecka qëndroi në këtë qytet pranë nuses së tij të re, të porsamartuar dy muaj më parë, madje nën urimet e njerëzve të Frontit Nacional-Çlirimtar, përfshi edhe Mehmet Shehun.
Në fillim të shkurtit atë e thirri në Tiranë kryeministri Mehdi Frashëri dhe i ofroi punën e komandantit të xhandarmërisë shqiptare për Tiranën. Në po të njëjtin libër Staravecka ngul këmbë se ende nuk e pati marrë këtë detyrë kur në kryeqytet ndodhi masakra e 4 shkurtit, por kjo pak rëndësi ka për çfarë kemi si qëllim të parë të parashtrojmë: kongresi i Ballit Kombëtar realisht e nxiti luftën me të gjitha mjetet kundër krahut të armatosur të PKSH-së, me synim të mund të ndalte njëherë e përgjithmonë ardhjen e komunizmit dhe të modelit të tij të pushtetit në Shqipëri.
Një orientim i tillë qe aq fort i ngulitur në programin e tij politik, po ashtu edhe në mendësinë e krerëve të BK, saqë nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Mit’hat Frashërit prej shkurtit deri në prill 1944 u krye një aksion diplomatik pranë qeverive të djathta greke dhe turke për të krijuar një bosht Stamboll-Athinë-Tiranë dhe krijuar murin e ndalimit të depërtimit sovjetik, sidomos nëpërmjet armatës së kuqe, deri në vendet e tyre.
Nisma nuk u realizua dot, madje as që mori ndonjë përfillje. Projekti qe një utopi, më shumë një ide e bukur apo retorikë diplomatike, tipike për stilin e veprimit politik të Mit’hat Frashërit, se sa një llogaritje e mirë dhe e saktë e zhvillimeve reale.
Sipas Ditarit të Luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, 1941-1945, vëllimi i tretë, faqja 639, edhe në Shqipëri pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste dhe ngritjen e njësive milice, gjithnjë në nxitje prej komandës së trupave të pushtimit. Madje në Tiranë u bë fuqi e madhe shtytëse edhe ministri Xhafer Deva, një gjermanodashës i njohur.
Sipas këtij ditari ky bashkëpunim nisi në janar 1944 nëpërmjet ngritjes së një aparati shtetëror që do ta vinte në jetë. Bëhej fjalë në fillim për mbështetjen e katër batalioneve këmbësorie shqiptare, të cilët, gjithnjë sipas këtij ditari, ishin tashmë në veprim dhe forcat pushtuese do t’i ndihmonin nëpërmjet dhënies së armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikëqyrës.
Veç asaj, theksohet në Ditarin e Luftës të Forcave të Armatosura Gjermane, do të përgatitej njëkohësisht bashkimi në një ushtri kombëtare i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve ose prijësve të tyre. Kjo udhëheqje qe në dorën e një SS të lartë dhe kryekomandanti policie në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe Komandant-Brigade SS Josef Fitzthum. Ky formalisht ishte i maskuar si këshilltar i Sekretarit të Shtetit Shqiptar për sigurinë kombëtare.
Në Ditarit të Ëehrmachtit, komanda operacionale e njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart në të gjitha çështjet e veprimit ushtarak, të vendndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave ishte në dorën e komandës së përgjithshme të Korparmatës XXI gjermane në Tiranë.
Ky Ditar me pjesët për Shqipërinë dhe Kosovën përkthyer nga Ana Kolevica dhe i redaktuar e shoqëruar, me shpjegimet përkatëse, edhe prej gazetarit Saimir Lolja, shkruan se “Atëherë ishte edhe posti i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali Theodore Geib dhe pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e Jashtme gjermane kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të komandës së lartë juglindore”.
Në Ditarin e mësipërm të Forcave të Armatosura Gjermane thuhet se Tirana kishte “një qeveri të krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane”.
Për t’i shërbyer gjithnjë e më mirë rikrijimit sa më real të rrethanave kur ndodh kongresi ballist dhe pas mbylljes së tij ndërsa vijon kursi që u fiksua gojarisht në të, na duhet të kalojmë disa çaste se çfarë po ndodhte paralelisht në grupin rival politik, tek Partia Komuniste Shqiptare.
Operacioni gjerman i dimrit 1943-1944 doemos që kishte si qëllim të parë asgjësimin e saj dhe bashkë me shkatërrimin e udhëheqjes politike edhe të lëvizjes së rezistencës partizane.
Patjetër që synonte edhe likuidimin e komandës ushtarake, të Shtabit të Përgjithshëm. Në krye të tij nazistët e dinin se qe Enver Hoxha, në të njëjtën kohë edhe kryetari i partisë.
(Vijon)
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com