TIRANE- Pas operacionit që çoi në pranga 9 të akuzuar si grupi që rekrutonte besimtarët myslimanë shqiptarë për të luftuar në luftën civile në Siri, Prokuroria e Krimeve të Rënda hap hetimin për gjetjen e burimit financiar për ndërtimin e xhamisë së Mëzezit dhe asaj të Unazës së Re në Tiranë.
 
Lajmi konfirmohet nga burime të besuara pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të cilave pasuria e të arrestuarve për rekrutimin e luftëtarëve në Siri, po verifikohet në bazë të ligjit “Antimafia”.
 
Nga verifikimi i kryer, janë evidentuar disa llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme në emër të të arrestuarve dhe të afërmve të tyre.
 
Një pjesë e dosjes hetimore, janë llogaritë bankare të imamit të vetëshpallur të xhamisë së fshatit Mëzez, Bujar Hysa.
 
Hysa së bashku me imamin e Unazës së Re, Genci Balla akuzohen si dy organizatorët kryesor të rrjetit të rekrutimit të xhihadistëve.

Nga kontrolli analitik i këtyre llogarive tashmë të sekuestruara, rezulton Hysa ka bërë shumë transferua të shumave të mëdha parash ndër vite. Lëvizjet më të mëdha të parave, rezulton se I ka bërë gjatë viteve 2005-2006, ku ka pranuar dhe tërhequr në disa raste nga llogarit e tij bankare shuma që varionin nga 40 deri 60 mijë euro.
 
Këto para, sipas dosjes, i dërgoheshin Hysës nga banka jashtë territorit shqiptar, që për arsye hetimi nuk jepen detaje për vendin e origjinës së nisjes. Hetuesit dyshojnë se këto para janë përdorur edhe në investimin dhe ngritjen e xhamisë së fshatit Mëzez dhe atij të Unazës së re.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)