TIRANE- Zamir Mani, babai i 4 vjeçarit nga Shkodra të dërguar në Siri së bashku me nënën e tij, nga imami i vetëshpallur Genci Balla, ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, peripecinë e tij për të takuar djalin e vogël, të cilën e mbante ish-gruaja Almira Kastrati me të cilën ishte divorcuar. Mani ka rërfyer se nga martesa me Almirën, ka lindur djali i tyre Fideus Mani, i cili në moshën 4 vjeçare ëhstë ndarë nga babai, si pasojë e divorcimit të prindërve.

Në dëshminë e tij para gjykatës, Mani ka rëfyer se djalin e takonte shpesh kur ai qëndronte në Shkodër, dhe se takimet kryheshin dy herë në javë. Por pas largimit të ish-gruas së tij në Tiranë, këto takime u rralluan dhe akoma më tepër u kufizuan fare. Zamir Mani ka treguar se gjatë kësaj kohe ka pasur komunikime me ish-gruan me qëllim për të takuar djalin e tij, dhe së bashku kishin lënë një takim në xhaminë e vjetër që ndodhet në qëndër të Tiranës.


”…E kam pritur për disa orë tek xhamia, por Almira së bashku me djalin nuk kanë ardhur. Teksa prisja më janë afruar tre persona me mjekër dhe më ka thënë që ne jemi vllezërit e Almirës, ndaj të sugjerojmë që të mos e takosh më…”-ka deklaruar Mani në gjykatë.

Njoftimi për ikjen në Siri
Gjatë dëshmisë së tij Zamir Mani ka treguar se pas takimit me tre personat me mjekër, ka bërë kërkime në ditët në vijim për të mësuar vendodhjen e ish-gruas me qëllim marrjen e djalit, prej saj. Në këto kërkime ai ka treguar se kishte mësuar se ish-gruaja ishte lidhur me një person që quhej Abdurrahim Balla, që predikonte fenë islame por nuk kishte informacion që ky njeri dërgonte njerëzit në Siri.

Sipas dëshmisë së tij, ka qënë policia e Kavajës ajo që e ka njoftuar se djali i vogël 4 vjeçar së bashku me ish-gruan kanë shkuar në Siri. Njoftimi është bërë në vitin 2014. Ai ka rëfyer se gjatë kohës në vijim nuk ka pasur asnjë kontakt dhe asnjë bisedë me ish-gruan por edhe me djalin e tij të vogël. Gjatë dëshmisë së tij, imami Abdurrahim Balla nuk ka pohuar asnjë fjalë.

Dëshmitë për fëmijën
Zamir Mani, për të marrë fëmijën i ëhstë drejtuar gjykatës së Shkodrës,duke akuzuar ish-bashkëshorten e tij Almira Kastrati për kryerjen e veprës penale të, “Marrje e padrejtë e femijës”. Në gjykim u thirrën me cilësinë e dëshmitarit shtetasja Kimete Mani e cila deklaroi se: “Djalin nuk e kam parë më që nga data 21.12.2012. Këtë gjë e di pasi jetoj me babin e tij (Zamirin). Herën e parë ka shkuar Zamiri të marrë fëmijën dhe nuk e ka takuar fëmijën.

Me pas ka ardhur djali tjetër nga Italia dhe kemi shkuar në Tiranë për të marrë fëmijën. Është ulur Zamiri me djalin tjetër dhe fëmijët, une me nusen kemi qëndruar në makinë.E kemi marrë në telefon përpara Almirën për të nxjerrë djalin. Kemi pritur gjysmë ore dhe nuk e ka nxjerrë fëmijën”. U thirr me cilësinë e dëshmitarit shtetasi Altin Hoti i cili deklaroi se: “Kemi qenë në datat 20 dhe 27 Shtator, dy të premte të njëpasnjëshme pasi Zamiri ka pasur leje të marrë djalin nga ish-bashkëshortja.

Rreth orës 04:30 deri 05:30 kemi qëndruar në vendin e caktuar për të marrë fëmijën dhe nuk ka dalë asnjëri. Në dijeninë time, Zamiri nuk e ka takuar fëmijen që nga fundi i vitit 2012”. U thirr me cilësinë e dëshmitarit motra e të akuzuarës Almira Kastrati, shtetasja Alketa Kastrati e cila deklaroi se: “...Nuk kam dijeni. Nuk kam kontakt me motrën…. Ka rreth 10-11 muaj që nuk e kam takuar… edhe më femijën nuk jemi takuar…”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)