Erisa Xhixho
Tiranë, 2 Shkurt / ATSH -Zv/ministrja e Integrimit Evropian, Erisa Xhixho, në një bashkëbisedim që ka zhvilluar me studentë te Universitetit Evropian të Tiranës, u shpreh se "pjesëmarrja e rinisë në vendimmarrje, eshte shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit".
"Lëvizja Rinore për Integrim u themelua nga të rinj që ëndërruan, guxuan dhe sfiduan, duke krijuar një forum që përfaqësonte dhe mbronte interesat e tyre", shtoi Xhixho gjatë fjalës mes studentëve.
Xhixho ishte vetë që zgjodhi që këtë takim mos ta zhvillonte në formën e një leksioni me studentët, leksione të cilat herë pas here bëhen të lodhshme dhe jo interesante, por në formën e një bashkëbisedimi miqësor midis saj dhe studentëve, të cilët kishin ardhur me dëshirë të madhe për të biseduar me të
Studentët e klubit të Lëvizjes Rinore për Integrim në Universitetin Evropian të Tiranës, takimin e zhvilluar prej tyre në ambientet e universitetit me zv/ministren e Integrimit Evropian, Erisa Xhixho, zgjodhën ta quanin si "Një profil ndryshe në politikë".
Studentët ishin të interesuar të dëgjonin prej saj rrugën që Erisa kish ndjekur që nga dita e parë e saj në politikë e deri më sot, sfidat e saj si ish-kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim, studimet e shumta të kryera brenda dhe jashtë vendit dhe sfida e momentit si pjesë e kabinetit qeveritar.
Gjatë të gjithë bashkëbisedimit, Xhixho theksoi se çdo i ri duhet të bëhet në një formë apo në një formë tjetër pjesë e vendimmarrjes, të jetë protagonist në atë çka ndodh në përditshmërinë tonë, duke e ngritur zërin.
/k.m//a.ke/