Presidenti kinez Xi Jinping ka thyer traditën e protokollit diplomatik, duke shkuar personalisht në aeroportin e Shenzhenit për të pritur presidentin amerikan Donald Trump, i cili mbërriti në Kinë për samitin e APEC.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte përqafimi mes dy liderëve mbi tapetin e kuq, pranë shkallëve të avionit presidencial Air Force One. Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, ky ishte një gjest i pazakontë për Xi Jinping, i cili tradicionalisht i pret liderët e huaj në pallatin e tij dhe jo në aeroport.

Presidenti kinez nuk u mjaftua vetëm me shtrëngimin e duarve, por e përqafoi Trump përpara kamerave, një veprim i rrallë në gjuhën e tij të trupit. Në politikën ndërkombëtare, ku çdo gjest është i studiuar, kjo pritje ka marrë vëmendje të veçantë.

Në shtator, Trump kishte bërë një gjest të ngjashëm ndaj Xi Jinping, duke shkuar personalisht për ta pritur në aeroport, ndonëse protokolli amerikan parashikon që pritja të bëhet në hyrje të Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, sipas analizës së gazetës italiane, përqafimi i Xi mund të ketë pasur edhe një tjetër qëllim. Është e mundur që presidenti kinez, pasi ka studiuar homologun amerikan, të ketë kuptuar se Trump i kushton rëndësi të veçantë vlerësimit personal dhe njohjes së statusit të tij.

Përqafimet janë të rralla për Xi Jinping, i cili një gjest të ngjashëm e kishte bërë edhe ndaj presidentit rus Vladimir Putin në shkurt të vitit 2024, gjatë një takimi në Zhongnanhai.

Atëherë, presidenti kinez e kishte përqafuar dy herë Putinin, ndërsa pamjet ishin transmetuar nga televizioni kinez dhe kishin nxitur interpretime të ndryshme mes politologëve. Këtë herë, sipas “Corriere della Sera”, përqafimi me Donald Trump shihet si një sinjal se Xi Jinping e ka çuar Kinën në të njëjtin nivel fuqie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Lajmi kryesor:

Kina në qendër të diplomacisë botërore, Trump, Putin dhe Xi Jinping bashkë në Shenzhen! Dy orë bisedime për rendin botëror, nesër samiti trepalësh (VIDEO)