Xixëllonjat ndriçuese të Atjon Zhitit

Xixëllonjat ndriçuese të Atjon Zhitit
Disa persona, lënë gjurmë në jetën tonë, në ndërgjejen dhe botëkuptimin tonë, paçka se rrugëtimi i tyre në këtë jetë zgjat pak. Atjon Zhitin, djaloshin plot pasione, me shpirt dhe mëndje të bukur, e njohëm vetëm pasi ai iku.  Tek shumë prej nesh, ikja e tij la gjurmë të thella, ndërsa zbuluam një potencial të pazakonte që ishte strehuar tek ky djalosh.

Shkrimet e tij, që i lexuam më së shumti pas ikjes së tij, ishin plot mesazhe të forta për këtë shoqëri të sëmurë në tranzicion të tejzgjatur dhe plot shije arti e estetike ndër ta.  

Por veç shkrimeve të tij Atjoni la edhe një sërë pikturash, krijime të kohëve të ndryshme, ku idetë, mesazhet dhe ndjesitë i përcjell këtë herë përmes ngjyrave e subjekteve që zgjedh.

‘Takimi’ i fundit me këtë djalosh të pazakontë ishte pikërisht këto ditë dhjetori, ndërsa u hap nëj ekspozitë e veçantë me piktura të tij në Universitetin “Polis”, në sallën MAD Center.

Me titullin “Kutia e xixëllonjave”, kjo ekspozitë me punime spontane të fëminisë së tij dhe të adoleshencës, erdhi për artdashësit nën kujdesin e kritikut të artit, studiuesit të njohur Profesor Gëzim Qendro.

Qendro e cilëson vërtet një zbulim këtë pjesë tjetër të  talenteve që shpalos Atjoni. Pas botimit të një libri me ese filozofike, “Per atë që dua(m)”, ky student, në çantën e të cilit si rrallëkush gjeje libra të shquar të mendimit, klasikë e modern, na zbraz ngjyra, pas të cilave fshihen ndjesi dhe ide apo thjesht një emocion, që e tejkalojnë moshën, ose janë të pa moshë.

Sipas Kuratorit Qendro ekspozita nuk është thjeshtë një grumbull pikturash, por etapa të një ecjeje e preokupime të mënçura rinore, arritje plot domethënieje.
 
Në një stendë të veçantë  të kësaj ekspozite janë vendosur dhe disa libra, që në ballina kanë vizatime të Atjon Zhiti, kurse sipër tyre në një kornizë të madhe është vendosur një ese, e gjitha si një poezi, që pikëzonte gjetjet dhe arritjet, vlerat artistike në pikturën e Atjon Zhiti, që kritiku Gëzim Qendro e titullon “Kutia me xixëllonja”.

Ndër të tjera aty lexojmë:
1- “Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.                                  
 2- Demiurg i plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar...   
   
3- Është pa vend të rrëmosh në këtë rast për strategji të mirëfillta artistike pasi pikturat e një fëmije e kanë vlerën pikërisht në drejtpërdrejtshmërinë e pikturimit, freskinë e gjurmëve të imagjinatës së harlisur dhe në çlirimin e plotë nga pesha e traditës. Është çarja e guximshme e koracës së botës së dukjeve, përpjekje për të kaluar me natyrshmërinë e fëmijës në botën numenale përmes ndjenjës... 
       
4- Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontaneitetin dhe pastërtinë e fëmijës. Ai kopsht ishte bota e tij të cilën s’mund t’ia merrte apo përdhoste askush, ishte profilaksi shpirtërore dhe strategji mbrojtjeje nga çmendina jashtë tij ku shkelet pa mëshirë çdo gjë me vlerë...
Këto janë vetëm xixëllonjat që arritëm të mbledhim. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
 
Ekspozita është mirëpritur nga artdashësit, ndërsa do të vijojë të qëndrojë e hapur edhe për pak ditë. Për ata që se kanë vizituar ende, kjo ëhstë nëj rrugë për të njohur një tjetër dimension të pasioneve të Atjon Zhitit, një grup ndjesish e mesazhesh që këtë herë përcillen përmes ngjyrave. 
Atjon Zhiti

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin