Mesfushori kosovar Ylber Ramadani, i grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren, ka folur në konferencë shtypi, ku ka shprehur besimin se do ta nisë titullar ndeshjen me Norvegjinë. Ish-lojtari i Partizanit, që aktualisht luan në Danimarkë, ka falënderuar trajnerin për besimin dhe premton të bëjë maksimumin për fanellën kuqezi:
“Çdo lojtar që është në Kombëtare, ka dëshirë të luajë nga minuta e parë. Është detyra e trajnerit pastaj të vendosë. Jemi një grup shumë i mirë, i harmonizuar. Dua ta falënderoj trajnerin për besimin që ka treguar ndaj meje dhe dua t’ia shpërblej. Nëse futem në fushë, do të bëj maksimumin për çdo minutë.
E kam pritur që kur kam qenë fëmijë ftesën, e kam ëndërruar Kombëtaren gjithmonë. Mendoj se është shumë mirë kur ka konkurrencë të madhe në ekip dhe dua të bëj maksimumin. Nuk është vendosur se kush luan, por besoj se do të luaj nga minuta e parë. Trajneri Sormani më ka ndihmuar shumë, e kam edhe në Danimarkë. Ai ka punuar shumë me mua dhe është i ngjashëm me trajnerin Panucci në mënyrën e punës. Tek U-21 ka përgjegjësi të tjera. Ne kishim përgjegjësi të shkonim në vendet e para dhe bëmë ndeshje të mira, por na ka munguar fati. Por me Kombëtaren A ka edhe më shumë përgjegjësi.
Gjithë ekipi është mirë fizikisht dhe do të hyjmë në fushë për ta fituar ndeshjen, për të rritur moralin e ekipit. Në këtë moment është mirë që të punohet për skuadrën e së ardhmes, por edhe për të fituar me Norvegjinë. E di trajneri se cili modul i përshtatet më shumë ekipit tone”, –
mesfushori kuqezi Ylber Ramadani