Ylli Pata: Çfarë personifikon metafora e 'barit' që mund të hajë PD që nga 10 shtatori?!

Ylli Pata: Çfarë personifikon metafora e 'barit' që mund të hajë PD që nga 10 shtatori?!

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Tashmë siç pritej çështja “Berisha” po kthehet në një telenovelë që më shumë sesa ngjarjet që do të prodhojë, ka të bëjë realisht me mesazhin e sjelljes së politikës karshi zhvillimeve që vijnë përballë saj.

Problemi i “rezistencës” së Sali Berishës karshi vendimit të qeverisë së SHBA për ta shpallur non grata, e më pas rezistencës ndaj kërkesës së ambasadores amerikane që PD duhet të zgjedhë nëse do të ketë një standard në sjelljen demokratike apo do të zgjedhë të “hajë bar”, përbën një model të caktuar politik.

Një model që Berisha nuk e ka pasur vetëm sot, por e ka pasur gjithmonë, si kur është në pushtet, si kur është në opozitë.

Sa ka qenë në opozitë, Sali Berisha, asnjëherë nuk ka shkuar në Prokurori, edhe kur është thirrur. Në rastin e vrasjes së Azem Hajdarit, është angazhuar një negociatë e specializuar nga i ndjeri ambasador i SHBA-së në Tiranë Robert Frovvick, që kreu i PD të depononte atë që dinte pranë një prokuroreje nga Norvegjia, e cila u financua nga OSBE, ku donatore më e madhe është SHBA.

Kur ishte në qeveri, Sali Berisha ka penguar drejtësinë që të hetojë zyrtarët e lartë, e këtu faktet më domethënëse janë rasti i Fazliçit, rasti i të pandehurve për zhdukjen e Remzi Hoxhës, e më pas refuzimi që krerët e Gardës të thirren në Prokurori.

Ky është një model që tashmë dihet dhe është i qartë që nuk mundet që do ta braktisë Berisha, pasi ai model është pjesë e karakterit të tij politik.

E në këtë logjikë, nuk është natyrisht vetëm doktori, por edhe Fatmir Mediu, që pikërisht kur pati një akuzë publike nga SPAK ndaj tij, ai nuk u largua, por ishte i bindur se ai nuk mund të hetohet.

Sërish në këtë shtrat është edhe zgjedhja e Saljanjit, i cili është dënuar nga një gjykatë për  fabrikimit të rrengut “Babale”.

Ky është një standard që i takon politikës së 30 viteve. Në këtë logjikë, Lulzim Basha, pritej që të ndryshonte modelin, të paktën siç ai kërkon nga kundërshtarët e tij.

Edi Rama, ka deklaruar se çdo zyrtar që do të marrë një akuzë publike ai do të largohej nga PS, duke mos e përdorur politikën si strehë. Ky standard është zbatuar si në rastin “Tahiri”, por edhe më tej. Ne patëm largimin e Tom Doshit, i cili dukshëm është larguar natyrisht me vullnetin e tij, por pasi ka pasur një shtysë politike nga mazhoranca, nga Edi Rama konkretisht.

Largimi i Gramoz Ruçit nga politika aktive, pritej prej kohësh, por mënyra e koha drastike që ndodhi, natyrisht ishte një sinjal politik. Siç ishte e Lefter Kokës, apo edhe zhvillimet e tjera.

Sado që të nxirren bishta për këto zhvillime; jo e kanë bërë nga halli, jo e kanë bërë se ishin të shtrënguar e të tjera e të tjera, të gjithë këto janë pjesë e një standardi politik.

Një standard politik që duket qartë se partnerët kërkojnë për Shqipërinë e sotme.

“U takova me kreun e SPAK Arben Kraja për të nënvizuar pritjen e SHBA që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pa marrë parasysh sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë”, shkruan ambasadorja Yuri Kim pas takimit me Krajën.

Pra ky është thelbi i logjikës: nuk ka lidhje përmasa e figurës, trashëgimia, mbështetësit, apo edhe kontributi i tij. Thjesht standardi i këtij modeli të ri.

Që PD nuk pranon dot ta përqafojë. E natyrisht, duke insistuar që të mos bëhet pjesë e këtij modeli, çdokush që flet, çdokush që debaton apo e përmend quhet: servil i Ramës, lake i pushtetit, e natyrisht me të gjitha fjalët e zeza.

Po ja ta marrim se qëndron ky argument, atëherë përse qëndrojnë ende Berisha, Mediu etj. “Për betejë”?! Cila është beteja që ata kanë marrë përsipër? Edhe nëse qëndron edhe beteja, përse nuk e bëjnë pa spaletat e politikës?/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK