Ylli Pata: Egërsimi i Bashës që i kujtoi Berishës bunkerin, shantazh apo lëvizje politike?!

Ylli Pata: Egërsimi i Bashës që i kujtoi Berishës bunkerin, shantazh apo lëvizje politike?!

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Pas vendimit për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, deklarata e fortë e Lulzim Bashës në oborrin e selisë blu, ishte zhvillimi më i fortë i mbajtur nga ai që prej fillimit të kësaj krize në opozitë.

Përmendja e qartë nga Basha se “PD nuk bëhet bunker i askujt për interesa personale”, por edhe përmendja e “të korruptuarve tanë”, përbëjnë realisht afrimin e kulmit të përplasjes së tij fatale me “babain”, që duket do të vijë para fundit të këtij viti.

Por a përbënte një shantazh, ndaj atyre që e sulmojnë se do të hapë dosjen e “të korruptuarve të PD-së”, apo ishte një lëvizje politike që paralajmëron hapin e radhës?

Sipas të gjitha gjasave është edhe e para dhe e dyta, pasi tashmë e qartë se për kreun e PD-së nuk ka më kthim prapa, e këtë e dinë edhe pala e “Foltores” që ka betohet për zhdukjen e degdisjen e tij në Holandë siç thonë nëpër panele e portale.

Megjithatë ka një paqartësi në lëvizjen e kreut të PD-së, i cili ndoshta për herë të parë në jetën e tij politike po bën një betejë të rëndë, e cila do të shënojë pashmangshërisht karrierën e tij politike.

Të ikurit me Berishën nga grupi parlamentar, apo edhe nga partia, edhe nëse shtohen, nuk se janë realisht humbje e madhe për kreun e PD-së.

Numrat në Kuvend nuk janë forca reale e një force politike të një opozite, por aksioni politik dhe protagonizmi.

Megjithatë deri tani ka një impression se Lulzim Basha, në betejën e tij me Berishën është vetëm në PD, përveç disave që e mbrojnë publikisht dhe deklaratat del e i thotë natën në oborrin e selisë së PD-së.

Deri tani, Basha, ka luajtur me tezën se “nuk duha të hap debatin për Berishën se dëmtohet partia”, por në fakt debati u hap sapo erdhi vendimi nga SHBA për ta shpallur Non Grata ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin e tij.

Armët që mund ta frikësojnë palën tjetër, janë vetëm transparenca dhe folja hapur e të gjitha gjërave që ai di pas hapjes së “Kutisë së Pandorës” së PD-së që nga “tentative për ta përdorur partinë si bunker për interest personale”, apo edhe për të “korruptuarit tanë”.

Ndërkaq, nëse Basha nuk nis dialogun dhe e hap partinë për të gjithë kundërshtarët e tij të larguar në vite, apo ato që ka brenda në parti, të cilët publikisht kanë kritikuar Sali Berisha, vetmia e tij do të shtohet edhe më tepër.

Në një betejë të tillë, në skenë dalin përgjithësisht njerëzit që quhen “skifterë” që janë pjesë e çdo enturazhi politik  në Shqipëri. Edhe në rastet e përplasjes fratricide që ka ndodhur në PS kohë më parë, ndërmjet Fatos Nanos e Ilir Metës, apo mes Nanos e Majkos kur këta ishin kryeministra, njerëzit që aktivizoheshin hapur me palët ishin përgjithësisht jo tregues i fuqisë dhe mbështetjes reale. Këtë dimension nuk ka asgjë tjetër që e bën më të qartë sesa vota.

Në mënyrë të qartë, vota e 25 prillit edhe pse ishte një zgjedhje e deputetëve nxorri mesazhe të forta politike, edhe brenda PD-së. Pikërisht ajo votë tregoi në mënyrë të qartë se Sali Berisha nuk është më “perëndi” apo tabu tek elektorati i së djathtës. Numrat e votës preferenciale ishin një tregues i qartë për këtë. Ndërkaq, tek sondazhet e Zaloshnjes në universin e elektoratit që ka votuar PD-në tregonin se ka një ndarje e paqartësi, ku në krye qëndron Berisha nga aktiviteti i “Foltores”.

Këto dy botë paralele që përfshihen në sondazhet e publikuara tregojnë pikërisht atmosferën e përplasjes, e cila nëse ishte kryer prej kohësh, pasojat do të ishin më të vogla për të gjithë aktorët në lojë.

Megjithatë, këto dy botë paralele, në fund do të shkojnë me personin që do ta fitojë betejën finale, e jo të ndahen mes ish-kryetarit e kreut aktual. Përjashto njerëzve që janë pjesë e enturazhit të ngushtë, apo lodraxhijntë që secila palë i merr me qira për të bërë zhurmë.

“Nuk do ta lejoj PD të merret peng e të përdoret si buker për interesa personale” tha Basha i ngrysur e me vendosmëri. Po si do ta bëjë këtë, edhe me kë, kjo është enigma. Apo prêt sërish që këtë gështenjë të madhe që po përzhitet në zjarr, tja nxjerr prapë Amerika me hapin e radhës…/ Gazeta "Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore