Ylli Pata: Fushata e kandidatëve me Berishën në bark

Ylli Pata: Fushata e kandidatëve me Berishën në bark

Ish kryeministri Berisha

Realiteti i foltores që krijoi më pas zombizmin politik në një subjekt elektoral së bashku me Ilir Metën, e që si “bri” ka jo partitë e tjera të opozitës, por një përbindësh politik siç është Beleri i Himarës, megjithatë është një fakt real.

Kjo falë edhe atij vendimi apo mosvendimi të tmerrshëm e të gabuar të PD-së për të mos garuar me 61 kandidatë në zgjedhjet e 14 majit. E si i tillë, ky realitet është përballja më konkrete me kandidatët e mazhorancës socialiste.

E në këtë përballje është krejt normale që do të ketë një narrativë krejt të kundërt me atë ç’ka ofron PS-ja dhe kandidatët e saj për kryebashkiakë, ku në shumicën e rasteve janë të konfirmuar.

Njëra palë, pra kandidatët e mazhorancës do të mbrojnë punën e tyre në mandatin apo mandatet parardhëse dhe pala tjetër, pra kandidatët e Berishës dhe Metës do ta rrëzojnë, duke nxjerrë problemet më të mëdha, pakënaqësitë më të mbledhura, e të sjellin një tregim të kundërt, premtime të kundërta, apo edhe tullumbace elektorale, që nuk se ndodhin për herë të parë në realitetin tonë.

Megjithatë, fakt në këtë realitet, është se jo vetëm se Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë marrë protagonizmin në fushatën direkte, nëpërmjet takimeve elektorale politike, por edhe kandidatët, si dhe fushata mediatike po bëhet me metodat, argumentet dhe sikletet e Berishës.

E natyrisht, fushata e Tiranës është pasqyra ku ky fenomen duket më shumë.

Përveç pjesës së ekipit të kandidatit Belind Këlliçi, dhe tentativës për të kopjuar fushatën e Lulzim Bashës të vitit 2011, për të krijuar përshtypjen e një kandidati të pavarur që do të ketë autonomi të plotë për të gjitha, e gjithë pjesa tjetër është dominuar nga foltorja dhe detashmenti mediatik i gjuhës së njohur të doktorit.

Nëse e shikon sot ftohtë fushatën e vitit 2011 dhe kërkon një arsye për një numër të madh votash që mori Lulzim Basha, shikon pikërisht problemin kardinal që ka sot politika shqiptare dhe dëshirën e etur e një elektorati që i thuhet shpesh “elektorati gri”.

Basha mori aq shumë vota, pasi njerëzit ishin të etur të shikonin një personazh të ri politik që nuk është Sali Berisha dhe të paktën përfaqëson dhe ka mundësi të bëjë gjëra të ndryshme.

Basha vërtetë nuk ka qenë asnjë ditë si Sali Berisha, nuk e ka përdorur gjuhën e tij, edhe pse e ka trashur zërin shpesh derisa i është ngjirur. Por është nata me ditën me dhunën verbale të Berishës dhe njerëzve të tij.

Megjithatë, sapo u zgjodh, Lulzim Basha nuk ka qenë asnjë ditë autonom, sin ë vendime ashtu edhe në emërime të qenësishme, përjashto ndonjë gjë të vogël, e natyrisht në politika. Njerëzit panë menjëherë në barkun elegant e të tonifikuar të Lulit, portretin e doktorit që sikur dilte herë pas here e sokëllinte siç e ka zakon.

U pa në prishjen në punë e sipër të projektit të sheshit “Skënderbej”, kur ishte mundësia të rimodelohej, siç kishte ndodhur me Zogun e Zi në 2006-n për të vënë rrotullamen e famshme që emri ironikisht ju vu “Rilindja”.

E ndaj njerëzit, përveç të tjerash u mërzitën nga Basha dhe nuk e votuan më. Elektorati që nuk është militant në Shqipëri, ka kërkuar gjithmonë një figurë që të jetë autonom nga njeriu që kërkon të ngelë gozhdë në politikë, edhe pse është i ndëshkuar përjetë dhe familjarisht nga dy fuqitë e mëdha të Perëndimit Demokratik.

Mjafton të shikosh sjelljen e “ushtrisë së rrjetit” apo blogerëve të foltores që në ditët e fillimit të betejës për të parë se çfarë po ndodh.

Një nga sulmet më të mëdha ndaj Erjon Veliajt prej mbështetësve të foltores ishte duke hedhur e bërë virale një foto të kryebashkiakut të Tiranës me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

Pra një logjikë për të thënë se ja pse dhe kush janë armiqtë jo vetëm të dokorit, por edhe të demokratëve dhe të atyre që nuk duhet të votojnë mazhorancën.

Parë në një logjikë të ftohtë, kushdo e kupton se ky sulm nuk është gjë tjetër veçse një autogol që largon elektoratin gri.

Dhe ka shumë gjasa që edhe Këlliçi ta mendojë kështu, por ai nuk mundet ta thotë, sepse në bark ka doktorin dhe enturazhin e tij, që kërkon të imponojë mënyrën e tij agresive dhe invazive të strategjisë elektorale.

Ndërkaq, një tjetër fakt është përzgjedhja e ekipit të këshillit bashkiak por edhe të bashkëpunëtorëve. Kush mban mend këshillat bashkiake të PD-së në Tiranë, e di se atje ka qenë një artileri e rëndë politike e degës së Tiranës.

Që nga i ndjeri Ferdinand Poni, Niazi Kosovrasti, vetë Flamur Noka, por edhe emra të tjerë që vijnë si përfaqësues të partisë në territor. Duke përfaqësuar natyrisht që nga tiranasit e vjetër , por edhe zonat e tjera periferike, si dhe shtresa të ndryshme. Nëse shikon sot këshillin bashkiak, aty ka vetëm imponim politik të dyshes Berisha-Meta. Që nga vendosja në krye të listës të njerëzve të LRI-së e deri tek ish-drejtuesit e dikutshëm në institucione të larta në kohën e PD, që i kanë mbetur besnikë foltores.

Emri i doktor Ilir Alimehmetit, për të cilin në fillim Belind Këlliçi tha se do ta bënte nënkryetar është i vetmi ose i pakti që vjen si një vullnet politik të bazës së PD-së së Tiranës. Dhe dihet shumë mirë si ndodhi përgatitja e listës, jo nga negociatat e Këlliçit me “aleatët”, por nga ecejaket e Ilir Metës në zyrën e Berishës.

Për të mos folur më pas për trajtimin që i bëhet fushatës pikërisht nga mediat pranë Berishës, shikohet qartë se nuk ka një lidhje me një fushatë propozuese apo edhe kontestuese e një kandidati si përfaqësues, por një imponim në distancë, apo edhe në lidhje live çdo ditë si nga Sali Berisha apo Ilir Meta.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 11/04/2023 00:59

    Dhe ramistet qe te hapin barkun me vijen e sjelljes ditore! Dje "antiamerikanizmi" sot "saliu bashkiak". Sa te ulet. Cfare servilesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë