Ylli Pata: Histeria në Tiranë, pas një horrori në Shkodër!

Ylli Pata: Histeria në Tiranë, pas një horrori në Shkodër!

Jemi tre ditë pas një ngjarje të tmerrshme në Shkodër. Ku Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj janë mbytur në ujrat e lumit Buna.

Sot analistët kanë bërë gati pretencën, pa pasur realisht të dhënat e një krimi të tmerrshëm që së pari duhet zbardhur. A i hodhi Alma Arrazi tre fëmijët e saj në lumë për t’i mbytur? Apo ishte dikush tjetër që kreu krimin? Kamerat deri tani nuk kanë nxjerrë një provë filmike për të ardhur në përfundim. Ndaj jemi ende në hipoteza, ku te gjithë flasin për dhunën. Po dhunën e kujt? Kush e realizoi dhe pse e vulosën analistët nga Tirana.

Në vitin 1995, isha reporter i Gazetës Shqiptare në Shkodër. Në një ditë të qetë pa lajme, bashkë me mentorin tim në gazetari, Musa Kurtulajn, takuam ekspertin mjeko-ligjor të policisë së Shkodrës. Një shkencëtar në kuptimin e plotë të fjalës. Ai na tha se kishte pasur në dorë një ngjarje të trishtë, shumë të trishtë.

Një nuse e re në Velipojë, kishte vrarë veten, sepse prindërit e të shoqit e kishin rënduar, lënduar dhe akuzuar. Ajo ishte shtatëzënë, ndërkohë që nuk kishte as tre muaj që ishte martuar. I shoqi, i ri fare si ajo ndodhej në Itali. Ja nxinë jetën, derisa një ditë gruaja bukuroshe vret veten me çifte me një fëmijë në bark.

Mjeku ligjor i policisë së Shkodrës ishte i tronditur dhe na e tha, ne mirëkuptim më shumë me Musain. Nuk vonova dhe shkrova një raportim të shkurtër me shkrim dore, dhe më pas e përcolla në poste telegrafin e Shkodrës kur njerëz të shumtë ndiqnin ç’do të thoja. Ku të paktën dy vetë ishin agjentë të SHIK-ut të Gazidedes.

Të nesërmen, redaktori im në Gazetën Shqiptare, e kishte bërë aperturë. “Vret veten nga thashethemet”. Shkrimi ishte bold. Bëri bujë!

Atë ditë, ndësa unë po ndiqja një leksion me profesoreshë Paulina Hoxhën në historinë antike, kryesekretarja Ingridi, hap derën e klasës dhe thotë: Ylli Patën e kërkon rektori!

Shkoj menjëherë në zyrën e Gjovalin Kolombit. Edhe pse një militant i PD-së, ishte një personazh mjaft babaxhan. Sa hyri më priti me romuze, si për të thënë se këtu nuk të ndodh gjë.  “Ça shkruni mor aman, hajde hajde ulu këtu”, thotë rektori i qetë.

Në kolltukun ngjitur, ndodhej një tip gangsteri, i cili nuk vonoi shumë dhe tha: “Kam ardh me të vra”. Nuk e di ç’ndodhi me mua por i thashë: Ok të lumtë pushka, takohemi ku të duash. Dhe lamë një vend takimi, te Kisha e Madhe, vendi më i rëndësishëm i qytetit.

Sa dola nga rektori, poshtë ndërtesës së fakultetit priste Musa Kurtulaj e i madhi Paulin Selimi. Të dy të shqetësuar për fatin tim, por i pari i armatosur me argumente. Musai kishte folur me të atin e vajzës. Historia ishte krejt e thejshtë. Vajza nga Shtoji, ishte dashuruar me një djalë nga Velipoja dhe i kishin dhënë fjalën njëri tjetrit.

Dashuria e tyre kishte qenë jo vetëm e sinqertë por edhe konkrete. Pas tre muajsh u martuan, e nusja e re natyrshëm ishte shtazënë me djalin që donte. Por i shoqi nuk ndodhej aty për ta mbrojtur, e as opinioni nuk i erdhi në krah. Babai i vajzës, një intelektual, jo vetëm që më përgëzoi për botimin e lajmit, por shtoi se vajza jonë nuk u vetëvra, por u vra nga vjehërrit injorantë e fanatikë.

Ndërhyrja e babait të vajzës më shpëtoi realisht nga një ngjarje e tmerrshme që në atë kohë në Shkodër ndodhnin përditë.

E meqë ra fjala, vriteshin shpesh për gjakmarrje. Në çdo ngjarje, unë shkoja për ngushëllim në familje. Pastaj i thoja se jam gazetar. Shumë nuk donin të flisnin, por pjesa më e madhe donin të shpreheshin, sepse policia i fshihte faktet. Pastaj më rrëfenin dhe me jepnin dhe fotot e të ndjerit. Kishte kolegë që vidhnin fotot nga lajmërimet mortore. i quanin “njerëz pa din”.

Kurrë nuk kam marrë një foto nga lajmërimet, edhe pse nuk më kanë dhënë info familjarët, apo edhe mund të më kishin përzënë natyrisht me lezet. Sot pas shumë vitesh, takoi njerëz të familjeve të personave që profesioni më ka takuar, e flasim për atë standard që në Shqipërinë apo Shkodrën e 1994-1995 sot nuk takohet dot. Por flasin njerëz pa pikë lidhje. Pa zbuluar ende se kush e ka kryer hedhjen në lumin Buna të tre fëmijëve, Alma apo dikush tjetër? Kamerat nuk kanë kapur pamje tjetër veçse shëtitjen.

Alma piu kafe për herë të fundit me kunatën. Po krimi i tmerrshëm si ndodhi? Pa u zbardhur me detaje ai, askush s’mund të nxjerrë analiza. Sepse këtu është thelbi, jo kush dhunoi gruan apo burri kishte dashnore. Po kush i mbyti fëmijët!/ Tema

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton