Ylli Pata: Ju sos durimi qeverisë apo i ranë nervat muxhahidinëve, pse plasi në Manzë?

Ylli Pata: Ju sos durimi qeverisë apo i ranë nervat muxhahidinëve, pse plasi në Manzë?

Shqipëria është bërë sot një lajm ndërkombëtar si pasojë e një ngjarje dramatike në kampin e refugjatëve në Manzë. Ku jetojnë prej 9 vjetësh mbi 2500 iranianë, pjesëtarë të opozitës MEK, e cila drejtohet politikisht nga Myriam Rajavi, kreu i Këshillit të Rezidencës së Iranit, që jeton në Paris.

Thuajse të gjitha agjencitë e mediat e njohura në SHBA dhe Europë, si dhe ato të Lindjes së Mesme kanë transmetuar gjithçka është dhënë non stop minutë pas minute nga mediat shqiptare. NCRI, që është edhe kupola drejtuese e opozitës iraniane kishte planifikuar si çdo vit që të zhvillonte tubimet e saj politike të 20 qershorit në Paris dhe Tiranë. Ku si rëndom janë ftuar emra të njohur të politikës amerikane e europiane, kritikë ndaj regjimit të ajatollahëve në Iran, ku dhe nga Shqipëria flasin si zakonisht Pandeli Majko, Fatmir Mediu dhe Sali Berisha. Ky i fundit, pasi u shpall non grata prej SHBA nuk është thirrur më nga MEK për të folur.

Tre ditë më parë, më 17 qershor, shefi i policisë së Parisit, nuk i dha leje muxhahidinëve që të zhvillojnë tubimin vjetor në kryeqytetin francez. Ndërkaq, në Tiranë, po sot, policia e shtetit, e autorizuar nga Prokuroria Speciale shkoi sot që të kontrollojë kampin e Manzës, që muxhahidinët e quajnë Ashraf 3.

Guguleja, siç u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka ndodhur kur oficerët e policisë kanë nisur të marrin në dorëzim të autorizuar nga Gjykata Speciale kompjuterat dhe serverat e organizatës. Aty ka nisur intifada e një grupimi, që guerriljen e ka në gjak. E që prej vitesh nuk e kanë ushtruar në kushte trup me trup. E Kështu ata nisën përplasjen me policinë, tentuan të djegin trupat e PC-ve, laptopët, serverat apo driverat që i mbanin në magazinë.

E pastaj intifada pati edhe nota dramatike, sa muxhahidinët akuzojnë qeverinë shqiptare për humbjen e jetës së një prej anëtarëve të tyre, e deklarata e kupolës së organizatës nga Parisi ishte edhe më e rëndë. Ajo akuzonte qeverinë shqiptare se është sjellë njësoj si qeveria e kryeministrit iraken Nuri Al Maliki në vitet 2009-2015, kur kampi Ashraf në Irak u bombardua dhe shumë vetë u vranë, duke përfshirë edhe liderin e muxhahidinëve. Përkatësisht Massoud Rajavi, burri i lideres aktuale të organizatës Maryamit.

E menjëherë në rrjet ka nisur një fushatë e grupeve që sponsorizohen prej vitesh nga iranianët për të sulmuar opozitën e tij, duke thënë se u doli fjala se këta nuk janë gjë tjetër veçse terroristë e gjëra të tilla.

Po si qëndron e vërteta e kësaj stuhie në gotë që ndodhi sot? Kujt i ranë nervat, qeverisë shqiptare apo muxhahidinëve?

Së pari, Tirana zyrtare dhe autoritetet e saj, e dinin që në fillim se strehimi i një organizate si muxhahidinët, nuk ishte si të strehonin 2500 turistë. Edhe pse të ardhurat që kanë sjellë ata në Shqipëri nuk janë të pakta. Një biznesmen i fuqishëm ndërtimi në Tiranë, vetëm nga qiratë që dha në pallatet e tij të mbetur gërmadhë në Mëzez bleu tre supermakina luksoze, të cilat fëmijët e tij bëjnë paradë prej 10 vitesh. Një Ferrari, një Bentley e Porche, shuma e të cilëve shkojnë mbi 1 milionë e gjysëm dollarë, plus operacionet plastike të së bijës që kandidoi edhe për deputete.

Gjithsesi, qeveria shqiptare e dinte që po strehonte një armatë reale, e cila për vite e vite pas largimit nga atdheu kanë shërbyer si detachment luftarak të kundërshtarëve të regjimit iranian. Në fillim pro Sadam Hyseinit, i cili i strehoi në Irak, pranë Bagdadit, më pas të amerikanëve, për llogari të të cilëve zbuluan provat se regjimi i ajatollahëve po prodhon armën bërthamore.

Shumica e muxhahidinëve kanë qenë student ekselentë, kryesisht kanë studiuar për fizikë bërthamore apo informatikë, veçse kanë një defekt janë 60 vjeç e lart. Kanë humbur të gjithë pjesë të rëndësishme të familjes e sot nuk kanë gjë për të humbur. Prej vitit 2014, ata kanë ardhur në Shqipëri me klauzolën se nuk duhet të bëjnë aktivitet politik kundër Iranit, por thjesht të qëndrojnë të qetë. Në fakt ata jo vetëm kanë kryer aktivitet politik, por intensiv, kryesisht në sulme kibernetike dhe propagandë antiregjimit të ajatollahëve.

Si pasojë e tyre Shqipëria është bërë prej vitesh një terren përplasjesh me Teheranin, i cili e ktheu Shqipërinë në një terren të shërbimeve të tij sekrete. Ku nëpërmjet tyre hyjnë fort edhe aleatët më të ngushtë të tyre GRU-ja ruse. E cila ka baza të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Këtë e kanë ditur edhe Tirana zyrtare edhe partnerët perëndimore që i kanë ndjekur, monitoruar dhe përfituar nga ky aktivitet spiunazhi që u përfshi Shqipëria. Mirëpo, pas mbylljes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin, Tirana zyrtare i bëri të ditur muxhahidinëve që ta lënë luftën direkte me armiqtë e tyre politikë, sepse mund të përfshijnë Shqipërinë në sulme terroriste. Një vit më parë, kur Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, i kërkoi muxhahidinëve që ta pezullojnë aktivitetin e përvitshëm që ata e bënë.

Por më pas vijuan në zakonin e tyre, aktivitetin intensiv në rrjete sociale, media të ndryshme online kundër regjimit iranian. Madje edhe për protestat që zhvillohen herë pas here në Iran, muxhahidinët gjithmonë pretendojnë se i drejtojnë ata nga jashtë. Zëdhënësi i tyre, i dërgon vazhdimisht mediave shqiptare info, foto e video nga këto protesta. Pra të gjitha këto diheshin prej kohësh. Po përse sot autoritetet shqiptare, duke nisur nga SPAK, Gjykata Speciale, policia e qeveria i thanë mjaft aktivitetit politik të opozitës iraniane? Gjasat janë që ka ndodhur diçka në politikën e madhe e gjeopolitikën botërore. Po a kishte mundësi që qoftë policia apo edhe autoritetet, këtë operacion ta zhvillonin pa zhurmë e spektakël mediatik? Padyshim që kishte, por duket se qëllimi ishte pikërisht për të treguar gjithçka atë që kishte ndodhur sot. 

Edhe muxhahidinët e dinin që nuk mund të ishin më aktorë të rëndësishëm politik. Madje që kur në presidencën e SHBA erdhi Joe Biden, i cili ndryshe nga Donald Trump ka tjetër qasje politike në Lindjen e Mesme. E kështu, dalë ngadalë muxhahidinët u afruan me opozitën e Sali Berishës, duke punësuar edhe juristët e ekspertët nga establishment i doktorit. Madje edhe avokatin ja ka zgjedhur ai.

Përtej ironisë, 2500 muxhahidinët janë realisht një armatë e dëshpëruar luftëtarësh që të frustruar nga mungesa e një aktiviteti real kundër qeverisë diktatoriale të vendit të tyre, nuk ndjehen mirë edhe normal. E këtë qeveria shqiptare, duhet ta trajtojë politikisht, përndryshe, kjo enklavë në Manzë, mund të kthehet pa asnjë problem në një qendrër shpërthyese gravitacionale në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vali: 21/06/2023 12:16

    mendohet se sot ka ndodhur nje sulm tjeter kibernetik ne platformen e sherbimeve elektronike e-albania. disa sherbime nuk punojne perfshi dhe QKB. te presim dhe te shohim

    Përgjigju
  • WTF: 21/06/2023 06:53

    Ptuuuuuu rrac muti mir ja bani masi edi rama ju mori flliqsina muti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie