Ylli Pata: Ka gabuar Amerika dhe jo Berisha? Ngrica e mendjeve që vjen nga e shkuara

Ylli Pata: Ka gabuar Amerika dhe jo Berisha? Ngrica e mendjeve që vjen nga e shkuara

Sali Berisha

Pas një hezitimi disa ditor, ka nisur një seri solidarizimesh me doktorin dhe kundër Amerikës, nga disa zëra publikë në vend, të cilët janë shfaqur si në formën e komenteve apo edhe pllakateve propagandistikë vizuale.

Ra në sy që në fillim pllakata grafike e Bujar Kapexhiut, që u duk se ishte marrë nga revista “Hosteni” e vitit 1978, e më pas u pa në pamfletet e Ylli Manjani dhe Artan Hoxhës(Presidentit).

Logjika e tyre është se ka gabuar Departamenti Amerikan i Shtetit që ka shpallur Sali Berishën dhe familjen e tij si “Person Non grata” dhe jo ish-Presidenti e ish-Kryeministri.

Sipas pllakatës së Kapexhiut, në tryezën e Kreut të DASH kanë mbërritur “dokrra, shpifje, trillime dhe rrena”, që ai s’i pa fare por i mori për të mirëqena.

Kurse Ylli Manjani thotë se edhe urrejtësit e Sali Berishës nuk e besojnë se është i korruptuar, pra kërkon të rikthejë tezën e vjetër sa tranzicioni shqiptar, se “Sali Berisha është politikani më i ndershëm në vend që jeton në një apartament të vogël 2 dhoma e një kuzhinë”.

Ndërkaq, Artan Hoxha(Presidenti) thotë që patjetër është Departamenti i Shtetit që e ka gabim, madje herët a vonë do ta ndryshojë qëndrimin.

Po mirë, pse Departamenti i Shtetit mund ta ketë gabim dhe jo Sali Berisha?!

Përse SHBA ka dëgjuar Ramën, kur ka pasur një mirë arsye dhe një mijë argumente për të fajësuar ish-Presidentin?!

Duan prova? Nëse duan të mbrojnë doktorin, mjafton të kundërshtojnë verdiktin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

DASH afirmoi qartësisht: “Në kapacitetin e tij zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha u përfshi në akte korruptive, si keqpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja me proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime vetjake dhe pasurimin e aleatëve të tij politik dhe të anëtarëve të familjes në shpërdorim të besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve qeveritare dhe zyrtarëve publikë”.

Kjo është bindja e qeverisë Amerikane që e ka sjellë në vendim, është verdikti që nuk ka ardhur si një rrufe në qiell të pastër, por si proces politik në vite.

Le të dalin publikisht mbrojtësit e tij dhe të thonë se Berisha nuk është përfshirë në akte korruptive, nuk ka keqpërdorur fondet publike për përfitime vetiake, pasurimin e familjes dhe aleatëve të tij. Le të hyjnë në vorbullën e sqarimit apo kundërshtimit të akuzave, duke dhënë edhe provat e tyre.

Kjo nuk ndodh dhe nuk ka ndodhur. Asnjë, asnjëri prej mbështetësve mediatik të doktorit, nuk i konteston akuzat ndaj tij. Thjesht kërkojnë prova, kërkojnë dëshmitarë, kërkojnë njerëz që kanë dijeni për ngjarjet. Një pjesë e tyre fatkeqësisht nuk jetojnë më. Por jetojnë dhe janë aktivë ata që janë besnikë të Sali Berishës dhe të bindur se ai është një zyrtar që nuk është pasuruar, por jeton si asket së bashku me familjen e tij.

Edhe ithtarët e Enver Hoxhës prej vitesh mbrojnë idenë se idoli i tyre ishte i ndershëm dhe i pakorruptuar, por shoqëria nuk i beson, i ka lënë në margjina, ku dalin në ditë të caktuara në qoshe, si një dëshmi e një kohe që del nga ngrica e frigoriferit të kohës, sa herë ka ndonjë event, ku Enveri mund të dalë si imazh për disa, e gogol për disa të tjerë. Por kjo është folklor, e jo debat politik. Në këtë rast debati politik në hapësirën mediatike të opozitës ka mbetur në sirtarin e dytë të ngricës së historisë. Frigoriferi ka tre sirtare ngrice: i treti është Enveri, i dyti Saliu, e opinioni po pret me ngulm të parin për ta futur në ngricë, e më pas për të nisur normalitetin e regjimit të freskisë.

Tashmë kjo është përcaktuar, e nuk ka më kthim prapa, Berisha nuk i përket zonës së freskët të zhvillimeve, por asaj që temperaturat e ka mbi 20 gradë nën zero: diskutimet që bëhen në këtë argument, thjesht vijnë nga zona e ftohtë tashmë e historisë së Shqipërisë.

E ka kuptuar shoqëria, e ka kuptuar elektorati që dha sinjalet e qartë më 25 prill. E opinioni publik që kërkon të diskutojë, duke e nxjerrë “materialin” nga ngrica, duhet ta lërë të shkrijë gjatë. Por ka shumë gjasa që pasi të shkrijë, ky “material” të qelbë dynjanë, si peshku i ndenjur. E këtë radhë është “Peshk i Madh”…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Roland Gjoni: 24/05/2021 19:30

    PO ATA QE E MBROJNE JANE ISH SIGURIMSAT DHE TE KORRUPTUARIT QE SALIU I KA PASURUAR MROJTUR NDOSSHTA I KA EDHE TE DASHURA PO JU VJEN FUNDI TE GJITHVE NUK KANE NGATE SHKOJNE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit