Ylli Pata: Korrupsioni dhe SHBA, dy linjat e kundërta të PD-së që përplasen brenda një jave

Ylli Pata: Korrupsioni dhe SHBA, dy linjat e kundërta të PD-së që përplasen brenda një jave

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ndërsa Lulzim Basha është ftuar zyrtarisht të votojë Uashingtonin nga numri tre i DASH, Gabriel Escobar, Belind Këlliçi, një zyrtar i Foltores është shprehur i nervozuar për axhendën e zyrtarit të qeverisë së SHBA.

Ky nervozizëm është realisht një vijë politike që tashmë e ka ndarë me thikë botën opozitare në Shqipëri.

“Bota” Lulzim Bashës, e cila konsiderohet interlekutore politike e Perëndimit, është njëjtë si ajo e Berishës për ta rrëzuar Edi Ramën. Por kundërshtimin me qeverinë e ka për shumëçka, jo vetëm për reformën në drejtësi, për të cilën SHBA e BE kanë investimin kryesor.

Ndërkaq, “Bota” e Sali Berishës më shumë se kundër Edi Ramës, është më fort kundër reformës në drejtësi dhe vendimeve të qeverisë amerikane, ku vendimi për ndëshkimin e Sali Berishës është në krye të listës të kontestimit politik të kësaj pjese.

E cila jo vetëm e ka kthyer në pezm, por në një kauzë politike ndëshkimin e Berishës. Kjo mund të shihet fare qartë në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë apo ato të zyrtarëve të lartë të administratës së SHBA, ku gjuha e përdorur është jashtë çdo lloj limiti, që ja kalon padyshim edhe eskalimeve më ekstreme të gjuhës së Ever Hoxhës dhe mediave të tij kundër Amerikës.

Ndërkaq, opozita e Bashës, është një grup që pranon reformën në drejtësi, është gati të jetë partner i SHBA në luftën ndaj korrupsionit, edhe pse kjo luftë do të plagosë apo vrasë eksponentë të Partisë Demokratike, apo opozitës.

Ndërkaq, grupi i Berishës, e pranon marrëdhënien me SHBA-në vetëm nëse nuk atakohet Sali Berisha dhe familja e tij.

Belind Kelliçi, një politikan i ri i opozitës, që arriti të fitojë kreun e FRPD-së me ndihmën e lobit të Berishës, por që në zgjedhjet e 25 prillit arriti të marrë më shumë vota preferenciale, sesa doktori në qarkun e Tiranës, ka bërë një deklaratë realisht të rëndë politikisht për një grup politik që konsiderohet si aleat i perëndimit.

“Unë gjykoj që shfaqja që do të shohim nesër, turp më të madh, që nesër do vijë Escobar dhe do na flasë kundër korrupsionit, në krah të Edi Ramës, për një vend siç jemi ne nuk mund të ketë. Për një personalitet, për një politikan të këtij rangu turp më të madh që ta rreshtojnë në krah të Edi Ramës për të folur kundër kundër korrupsionit, unë nuk kam pare”, tha Këlliçi, një ditë më parë.

Pra përveç paragjykimit të asaj çka do të ishte axhenda e takimeve të zyrtarit të lartë të SHBA-së, njeriu që sot është në krah të Berishës e konsideron turp radhitjen e Amerikës në krah të qeverisë shqiptare. Po kur SHBA ishte në krah të qeverisë së Sali Berishës, a ishte ky turp, kur ajo qeveri, edhe sipas deklaratave të njerëzve të Foltores ishte e korruptuar?!

Sepse tani është e qartë se nga të dy palët e PD-së në një luftë civile, nuk mohohet një ekzistencë e gjerë e korrupsionit gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Thjesht mideja e Berishjanëve ka adresuar që të korruptuar janë vetëm njerëzit që sot mbështesin Lulzim Bashën jo të tjerët.

Por, problem është se korrupsioni, përveç se perceptim është edhe një vepër që varet nga faktet e provat, e këtu më të besueshme se çjerrjet e fanatikëve të Foltores vlejnë rekordet që ka dokumentuar qeveria e SHBA-së.

E cila sot ftoi zyrtarisht Lulzim Bashën në Uashington, duke bërë të qartë politikisht se ky qëndron diferenca në radhët e opozitës. Pasi DASH në krye të herët është një institucion i politikës së lartë.

Më pas, natyrisht që do të ketë veprime të tjera për korrupsionin, që sipas kompetencës do të aktivizohen nga Departamenti i Thesarit. Siç ndodhi me të korrruptuarit e Bosnjës, apo të veriut të Kosovës. Të cilët prej vitesh krekoseshin se do të rrëzonin SHBA-në, duke u shitur si popullorë, e që kanë mbështetje nga Vladimir Putini.

Berisha deri tani ka qenë në një linjë me 115 trimat e Milorad Dodikut që u ndëshkuan nga Departamenti i Thesarit, apo 40 individët e subjektet e serbëve të Kosovës, thjesht që nuk e ka përmendur Putinin. Po natyrisht vetëm publikisht…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu