Ylli Pata: Kulla e ngujimit të opozitës!

Ylli Pata: Kulla e ngujimit të opozitës!

Kanë kaluar goxha vite, po ka gjasa që njerëzit nuk e kanë harruar meselenë e SHQUP-it në vitin 2013. Sali Berisha kishte humbur zgjedhjet dhe muajin e fundit ja grahu fort mbledhjeve të qeverisë, duke miratuar koncensione e leje shumëmilionëshe. Që nga koncensioni i skanimit në dogana, ngjyrosja e karburanteve, leje e licenca të shumta, si dhe gjetja e shtëpisë së re të opozitës. E cila do të ngujohej në një vend në zemër të Tiranës, me synimin pastaj që të rikthehej shpejt e shpejt, duke rrëzuar “axhaminë” Edi Rama, i cili me pranimin e aleancës me Ilir Metën, kishte futur në gji një asset të doktorit.

Një nga ato mesele ishte edhe “resorti” opozitar; Seli, xhami, plus një kullë e madhe. Një trini tipike alla kullë babeli, ku do të shtroheshin së bashku pushteti politik, ai shpirtëror, e ai financiaro-ekonomik.

Mirëpo Edi Rama ua preu që në fillim, fijet e kësaj “trinie”, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet me Erdoganin, financuesin dhe ndërtuesin e xhamisë së madhe të Namasgjasë. Kështu xhamia do të ndërtohej pa kullë, e SHQUP nuk do të kishte lidhje me dy objektet e projektuara si një “resort” alla Empire State Building në Nevv York.

Në atë kohë, nisi një luftë e përnatshme panelesh në televizione, ku përfaqësues “pronarësh” kërkonin që të rrëzohej vendimi i qeverisë, duke e konsideruar si shkelje e të drejtës së pronarëve për ta zhvilluar truallin e vet, sipas dëshirës e qejfit.

Ajo mesele u venit shpejt, e askush nuk e çoi në Strasburg, si hotelin e familjes së Bashës në Ujin e Ftohtë në Vlorë, pasi ishte Erdogani dhe Komuniteti Musliman në mes, ç’ka nuk kishtr asnjë gjasë që gjyqi të fitohej.

Ai rast, nuk është as i pari e as i fundit, i interesave milionere të bizneseve të familjes. Të cilët për 10 vjet nuk u prekën as një qime floku. Nëse do të kishte dashur qeveria, do të anulonte lejen e ndërtimit te Klubi Partizani, siç bëri Sali Berisha me mbikalimin e Zogut të Zi, apo projektin e sheshit “Skënderbej”. Do ta bllokonte, e ta çonte në prokurori, duke mos e lënë që të mbaronte ajo aferë e madhe që brenda ka jo thjesht falsifikimin e grabitjen e një prone publike, por një sërë krimesh financiare që nga fshehja e pasurisë e deri tek pastrami i parave.

Tashmë nuk çudit askënd fshehja e interesave të biznesit në politikë. E cila nuk është asgjë tjetër veçse një PR i biznesmenëve që ata të shtojnë pasurinë duke qenë klientë të shtetit, e të përdorin kontratat e buxhetit të shtetit për të shtuar fitimet.

Madje ne kemi arritur në fazën kur politikanët janë zotërues të aseteve të mëdha ekonomike dhe ato të patundshme të vendit. Edhe pse të fshehura në emra të tjerë. Të gjithë i dinë kush e ka aksh tokë, aksh çiflik në zonat më ekskluzive të Tiranës e në bregdetin, ku vlera rritet përditë.

Këtu ka dështuar, duket edhe nga SPAK të paktën deri tani bërja e një inventari të saktë, cilat janë pronat reale të politikanëve të lartë, familjarëve të tyre, asetet e bizneseve dhe pasurite e tyre të tundshme e të patundshme. E më pas të analizohet se si i morën e si i justifikojnë, thjeshtë të bëhen me letra, pasi njerëzit i dijnë të gjitha. Të gjitha janë bërë duke shfrytëzuar paratë e buxhetit, e pronat e shqiptarëve. Askush me rrogë nuk mund të blejë apartamente luksoze, të ndërtojë vila në bregdet, të ndërtojë palate pa fund, të ketë makina luksoze e shpenzime të shfrenuara.

Por gjithsesi ky është një muhabet tjetër, që ja vlen të diskutohet për ditë, por jo me zhurmë siç ndodh në panelet tona, ku mbrohet një politikan ose një biznes i tillë, duke rrëzuar ditë pas dite edhe kredibilitetin e gazetarëve e medias. Ku shumë prej këtyre denoncuesve e të ftuarve të përnatshëm janë klientë e përfitues të vilave, apartamenteve e zijafeteve të shfrenuara.

Kulla që na mbiu në ish-gropën e Hajdin Sejdisë, risjell projektin që nisi në 2013, atë të ngujimit të opozitës, të modelit aziatik të betonizimit të një institucioni bazë siç është opozita në çdo vend parlamentar.

Ku siç duket do të ndërtohen edhe një palë shkallë elektrike, e kandidati i mundshëm për të drejtuar vendin, do të zbresë në ato shkallë siç bëri Donald Trump para nga 8 vjetësh në Kullën me emrin e tij në qendër të Manhatanit.

Në fakt, edhe pa kullë, opozita ka qenë e ngujuar për 10 vjet brenda një bunkeri që të mbrohej nga sulmet që vinin nga jashtë. E natyrisht nuk e kishin problem që të mbroheshin as nga Edi Rama, e as nga mazhoranca e tij. Siç dhe doli, e gjitha u bë për të bunkerizuar opozitën që të mbrohet nga Amerika, e cila Sali Berishën dhe klanin e tij e ka nxjerrë totalisht jashtë loje për t’u rikthyer në pushtet.

E mbani mend në 2022-shin kur shpërthyen si kërpurdhat pas shiut “lajmet” për kullën që do të ndërtonte Lul Basha te SHQUP-i? Po tani që ai s’e ka selinë e PD-së, por e ka zaptuar foltorja, a vijon ai projekti i kullës, apo ka kërcyer tek gropa e Hajdinit. Të cilin, Berisha e sulmoi fort në 1991, kur deshi të ndërtonte Sheratonin me paratë e arabëve, e më pas i mori lekë njerëzve në Tiranë. Më pas, është një nga miqtë e miqve. Po pse kulla mbiu pikërisht në atë vend?

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK