Ylli Pata: Kush po e mbështet Berishën dhe kush Bashën brenda PD

Ylli Pata: Kush po e mbështet Berishën dhe kush Bashën brenda PD

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Është paksa e pazakontë dhe e çuditshme lufta që sapo ka nisur në Partinë Demokratike mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Përveçse një maraz të pritshëm për përjashtimin e Sali Berishës nga Basha, me një shpallje në transmetim live, ende nuk kemi parë një rreshtim real forcash brenda grupeve që përbëjnë Partinë Demokratike.

Shoqërimi i doktorit nga dy “senatorë” të PD si Paloka e Shehu, është një zhvillim krejt normal, të një marrëdhënie njerëzore dhe nuk tregon aspak një nisje të ndarjes së forcave brenda partisë pas qëndrimit të Berishës, që po e përsërit përditë.

Në fakt, ish-kryeministri, i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, ka të gjitha mundësitë që ta çojë çështjen në forumet e PD-së, apo të thërrasë një mbledhje të grupit parlamentar. Të paktën të fillojë për të formalizuar këtë çështje, ndoshta jo vetë, por nëpërmjet një deputeti tjetër të PD-së që e ka përkrah, i cili mund të kontestojë vendimin e kryetarit Lulzim Basha, duke mbledhur grupin parlamentar, për ta kundërshtuar e rikthyer Berishën si deputet i PD-së.

Duket, se për një kohë të gjatë do të kemi një luftë false mes palëve, duke mos u zhvilluar në forumet statusore të selisë blu. Vetë Berisha deklaroi te Çani, se “do takohem me demokratët”, duke kopjuar në një farë mënyre “lëvizjen për katharsis” të vitit 2001 nga Fatos Nano, i cili donte të hiqte Ilir Metën nga posti i kryeministrit.

Nano, në atë kohë, takimet në bazë i bëri, pasi kishte humbur në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues në shtatorin e 2001, e po synonte të riekuilibronte forcat, duke zhvilluar një betejë të fortë, ku u ndanë palët. Me Nanon, një pjesë e deputetëve që nuk kishin hyrë në qeveri, e me Metën, kryesisht drejtuesit qendror e lokalë të pushtetit që vareshin nga kryeministri. Përplasja e Madhe u bë në KPD-në e famshme, ku forcat ndryshuan si pasojë edhe paktit të madh publik, si dhe dobësimit të grupit që përkrahte Ilir Metën, ku pati firo rrugës.

Ndërsa, në krahasim me precedentin e Nanos, Berisha, ende nuk ka shpallur se kush janë njerëzit që atë e mbështesin  në grupin drejtues. Deri tani, kemi parë që vetëm Flamur Noka, Bujar Leskaj, e Edi Paloka nuk e kanë mbështetur vendimin e Lulzim Bashës në grupin parlamentar. Por në mitingun e nesër më u zhvillua pas mbledhjes, edhe pse ishte herët, pritej të shikojë një panoramë më të qartë të atyre që nuk e duan largimin e Sali Berishës brenda Partisë Demokratike.

Panorama që u shfaq përpara selisë së Parlamentit ishte më shumë folklotrike sesa politik. Pesha specifike e grupit që brohoriti u konsiderua më shumë një reagim emocional, sesa një demonstrim politik. Sot jemi gati një javë nga vendimi i Bashës, dhe Sali Berisha nuk ka nxjerrë ende, se kush janë njerëzit e rëndësishëm brenda partisë që e përkrahin: kryetarët e degëve, përfaqësuesit e strukturave. Qyteti bazik i demokratëve si Shkodra, ka sjellë deri tani në rrjete vetëm reagime të njëjta emocionale të militantëve butaforikë, por jo zëra që vijnë nga krerë komunash të dikurshme, krerë strukturash lokale, ish-kryetarë bashkish, por edhe figura intelektuale të qytetit.

Dega e PD-së e Tropojës, vend nga ku Sali Berisha është me origjinë, nuk ka reaguar ende deri më sot, në asnjë prej poreve politike të organizimit të partisë atje. Ndërkaq, Kavaja, vendi që ka dërguar sërish ish-kreun e PD-së në Kuvend, dhe do ta ketë atë jashtë grupit, çka e bën votën e tyre të pavlefshme, sërish nuk është prononcuar, kur duhet të kishte të paktën disa emra të njohur të së djathtës që kërkoheshin të flisnin. E njëjta gjë në Kukës, Kurbin, Lezhë, etj zona që janë bastionet e demokratëve.

Ndoshta është herët, por një sinjal duhej dhënë, e realisht deri tani mund të thuhet se pikërisht këto zhvillime japin një mesazh jo fort të paqartë. Një mesazh që përkthehet shkoqur se Sali Berisha, edhe pse mund të bëjë zhurmë me anë të mekanizmave mediatike dhe rrjeteve sociale, pra në mënyrë virtuare, në realitet fuqia e tij politike ka rënë goxha. Kjo në fakt ishte e pritshme, ngaqë u pa që në rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit, pra votat preferenciale në qarkun e Tiranës. Ndërkaq, pas ndëshkimit të SHBA, forca e tij thuajse u zbeh.

E kjo po shikohet për ditë. Megjithatë, nëse Berisha do vërtetë të bëjë lëmsh në PD, ka gjasa që të krijohet një modus vivendi për një lëvizje, pasi aty kazani zien dhe ka shumë gjëra që njerëzit duhet t’i ndryshojë. E këtu hyjnë të gjithë ata njerëz që janë të mënjanuar nga Basha, që nga Ristani, Lisandër Hoxha  apo edhe të larguarit më parë nga Kreu aktual i PD-së. Por të gjithë këta, rrëmujën për të tronditur kupolën e PD-së, sipas të gjitha gjasave e bëjnë për vete, e jo për të ringritur Sali Berishën në majë.

Madje mungesa e tyre në daljet me doktorin, është pikërisht një mesazh i qartë i tyre, se ata janë gati ta ndezin situatën, por me një marrëveshje të qartë, se nëse ndezin, në radhë të parë duan të heqin Lulzim Bashën…Por, në partitë shqiptare korrentet janë ende një mundësi utopike, pasi grupet e interesit tërhiqen vetëm nga fuqia reale që është në duart e kryetarit. Sidomos tani, që Lulzim Basha ndodhet edhe më afër skenës së politikës reale, e ndoshta vërtetë kërkon të rritet…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'